Partia Demokratike shpërndau sot me shpejtësi lajmin në media se Gjykata Administrative i ka shfuqizuar të gjitha gjobat e Bashkisë së Tiranës në lidhje me protestat e saj të dhunshme.

 

Por, pas një verifikimi të thjeshtë doli se e vërteta është krejt tjetër. Në fakt, Gjykata Administrative ka lënë në fuqi dy prej gjobave të vendosura nga Bashkia ndaj Partisë Demokratike, të cilat ajo është e detyruar t’i paguaje. Ndërkohë edhe për gjobën e tretë, ajo është shfuqizuar me argumentin se duhej t’i ishte vendosur jo subjektit PD, por në emër të organizatorëve të protestës, që në këtë rast janë Gazmend Bardhi dhe Sahit Dollapi.

 

Ajo që bie në sy është se vlera e dy gjobave të vendosura nga Bashkia e Tiranës dhe që janë cilësuar të drejta nga Gjykata, janë shumë herë më të larta se sa gjoba e tretë për të cilën fajtor janë dy funksionarët e lartë të PD, si organizatorët e këtyre protestave.

 

Më konkretisht PD duhet t’i paguajë Bashkisë për dhunën në protestën e 13 prillit, 19 milionë lekë dhe për protestën e 11 majit, shumën 34,2 milionë lekë.

 

Po kështu, edhe me vendimin e sotëm, Gjykata ligjëroi dënimin administrativ të vendosur ndaj PD nga Bashkia Tiranë, por argumentoi se kjo gjobë duhet t’i shkonte jo subjektit politik, por organizatorëve që kërkuan këtë tubim, konkretisht Gazmend Bardhit dhe Sahit Dollapit.

 

Në zbatim edhe të vendimit të sotëm të Gjykatës, Bashkia Tiranë do marrë edhe dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara ndaj qytetit në protestën e datës 16 shkurt 2019.