Çfarë teatri! Çfarë estrade për mua”! Kështu e konsideron gazetari Mustafa Nano sjelljen e imamit Elvis Naçi gjatë kohës që tenton të komunikojë me Zotin. Në monologun e kësaj të marte në emisionin “Provokacija”, Nano u ndal tek një video e imamit të njohur shqiptar, që pasi ligjëron fjalimin e tij qan.

“Quhet Elvis Naçi, është imam i një prej xhamive të Shqipërisë. Është duke predikuar një hutbe. Është duke folur për profetët e feve monoteiste, për Ademin, për Ibrahimin, për Musain, për Dautin, për Isain, Muhamedin dhe në fund e mbyll duke cituar një ajet kuranik në gjuhën arabe dhe menjëherë pas kësaj ia kris të qarit. Ia kris të qarit literalisht. Nuk e di se çfarë ndodh në kokën dhe në psiken e atij njeriu në atë moment, por kam ngelu pa fjalë kur e kam parë për herë të parë që ai qan me lot pasi ka recituar diçka në gjuhën arabë të marrë nga Kurani”, thotë Nano.

Videoja ka marrë 1 milion shikime në Youtube, çka për Mustafa Nanon është shqetësuese. Sipas tij, në sytë e besimtarëve myslimanëve, Naçi shfaqet si imami modern, pasi është patriot dhe perëndimor.
Megjithatë në veshje edhe Ronaldo është më mysliman se Elvis Naçi thotë gazetari.

Verpimin e këtij të fundit, që në fund të ligjëratës qan, Nano e konsideron ekstrem. Sipas tij, ai është i pari njeri, duke ia kaluar edhe profetëve që njeh që qan pas përpjekjeve që bën për të komunikuar me Zotin. Prandaj moderatori i “Provokacijas” e konsideron imamin profet mbi profetët.

Mustafa Nano e mbyll monologun duke e konsideruar të gjithë sjelljen e imamit si teatër dhe në fund “ia plas” edhe ai të qarit.

“Asnjë nga profetët nuk e ka bërë këtë. Edhe Muhamedi ka qarë në disa momente, por ka qarë kur ka qenë te varri i nënës. Ndërsa Elvis Naçi është profet mbi profetët, ai qan menjëherë pas një tentative për të komunikuar me Zotin.

Çfarë teatri, çfarë estrade për mua! Tani nuk e di nëse e vutë re dhe ligjërimin e përdorur nga imami Elvis Naçi. Ishte një gjuhë e thjeshtë, një gjuhë bazike, elementare ishte si hartimet e klasës së pestë, veçse ai i kishte mësuar përmendësh dhe për mua, më mirë të jesh vuvë se sa të flasësh si Elvis Naçi. Unë po e lë këtu sepse ka rrezik që t’ia kris të qarit. Madje… më duket se më erdhi!”, thotë Nano.

Monologu i plotë:

Do shihni në ekran kur shfaqet një person shumë i njohur. Është një personazh shumë i famshëm. Quhet Elvis Naçi, është imam i një prej xhamive të Shqipërisë. Është duke predikuar një hutbe. Është duke folur për profetët e feve monoteiste, për Ademin, për Ibrahimin, për Musain, për Dautin, për Isain, Muhamedin dhe në fund e mbyll duke cituar një ajet kuranik në gjuhën arabe dhe menjëherë pas kësaj ia kris të qarit. Ia kris të qarit literalisht. Nuk e di se çfarë ndodh në kokën dhe në psiken e atij njeriu në atë moment, por kam ngelu pa fjalë kur e kam parë për herë të parë që ai qan me lot pasi ka recituar diçka në gjuhën arabë të marrë nga Kurani.

Kjo është një video që në Youtube ka 1 milionë shikime. Për mua ky numër shikimesh është shqetësues. Shumica e njerëzve, e besimtarëve myslimanë mendojnë se Elvis Naçi është një imam modern. Është një imam që përfaqëson në të njëjtën kohë dhe imamin e moderuar shqiptar që do të thotë, ai është patriot dhe perëndimor. Kjo gjë duket dhe nga veshja. Edhe Ronaldo në veshje, në dukje, ngjan më mysliman se Elvis Naçi. Thonë që ai nuk është ekstremist dhe bazuar tek ato që ai thotë, dhe tek ato që ai thotë në këtë video ai nuk është ekstremist. I vetmi moment ekstremist ka të bëjë me momentin e fundit, kur ai qan. Qan me lot.

Unë nuk njoh ndonjë besimtar tjetër ekstremist që të qajë me lot duke u përpjekur të komunikojë me Zotin. Elvis Naçi është i pari njeri në këtë botë që unë njoh, por jam i sigurt që as profetët vetë nuk kanë qarë në momentet e tyre kur janë përpjekur të komunikojnë me Zotin. Asnjë nga profetët nuk e ka bërë këtë. Edhe Muhamedi ka qarë në disa momente, por ka qarë kur ka qenë te varri i nënës. Ndërsa Elvis Naçi është profet mbi profetët, ai qan menjëherë pas një tentative për të komunikuar me Zotin.

Çfarë teatri, çfarë estrade për mua! Tani nuk e di nëse e vutë re dhe ligjërimin e përdorur nga imami Elvis Naçi. Ishte një gjuhë e thjeshtë, një gjuhë bazike, elementare ishte si hartimet e klasës së pestë, veçse ai i kishte mësuar përmendësh dhe për mua, më mirë të jesh vuvë se sa të flasësh si Elvis Naçi. Unë po e lë këtu sepse ka rrezik që t’ia kris të qarit. Madje më duket se më erdhi!/abcnews