Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në të gjithë zinxhirin ushqimor në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore dhe shmangien e praktikave të mashtrimit ushqimor të cilat cenojnë shëndetin dhe interesin e konsumatorëve.

Gjatë javës së shkuar Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër ka kryer 26 kontrolle në terren dhe në pikat e inspektimit kufitar tek operatorët e biznesit ushqimor me origjinë shtazore, jo shtazore dhe produktet e mbrojtjes së bimëve.

Sipas AKU-së, janë marrë 32 mostra për kryerjen e analizave laboratorike, nga të cilat 29 mostra janë nga sektorët e inspektimit në terren dhe 3 mostra janë nga sektorët e inspektimit në pikën e kalimit kufitar, Hani i Hotit.

AKU vendosi gjobitjen e 2 subjekteve me vlerë 110 mijë lekë si dhe 5 masa administrative që i referohen shkeljeve ligjore që lidhen me mungesën e sistemit të gjurmueshmërisë, mosrealizimin e detyrave të lënë nga inspektimet paraardhëse, mungesën e analizave të ujit, mungesën e librezave shëndetësore të punonjësve etj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë pandërprerë kontrollet rigoroze në të gjithë vendin me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe mbajtjen pastër të tregut nga produkte të papërshtatshme për konsum human.