Pas 13 muajsh hetimesh, Armir Grima, ish trajneri i kombëtares në futboll për femra, ish-portier i Vllaznisë për shumë vite dhe më pas edhe drejtor i klubit ka marrë pafajsinë nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër. Arrestimi i Armir Grimës bëri bujë por pas 13 muajsh akuzat e ngritura ndaj tij kanë rënë të gjitha poshtë. Grima u arrestua nga policia vendore e Shkodrës i akuzuar si pjesë e grupit Bajri.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë pafajsinë edhe për ish boksierin e Vllaznisë Nelson Hysa edhe ky i akuzuar si pjesë e grupit Bajri. Hysa u shpall në kërkim dhe pas disa muajsh u arrestua nga policia por tashmë gjykata i ka dhënë atij pafajsinë duke hedhur poshtë akuzat e ngritura edhe ndaj tij.

Pafajsinë në gjykatën e shkallës së parë të Shkodrës e ka marrë edhe Fabjol Rexhepi, ish portier i Tërbunit edhe ky i arrestuar në të njëjtën kohë me Grimën si pjesë e grupit Bajri. Grima dhe ish portieri Rexhepi u arrestuan fillimisht të dyshuar për trukimin e një ndeshjes mes Vllaznia B dhe Tërbunit të Pukës e luajtur në Shkodër pas disa përgjimeve dhe bisedave të shkurtra telefonike.

Fillimisht çështja ishte tek krimet e rënda në Tiranë por që në muajin gusht është transferuar në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër për moskopetencë. Gjykata e shkallës së parë në Shkodër i dha pafajsinë Armir Grimës, Nelson Hysës dhe Fabjol Rexhepit ndërsa gjyqtar ishte Tonin Sterkaj dhe prokurore e çështjes Edlira Cufi.

Kjo e fundit kërkoi pafajsinë për mungesë provash ndërsa gjykata dha të njëjtin vendim. Fillimisht Armir Grima dhe Fabjol Rexhepi dolën me “detyrim paraqitje” dhe tashmë pas 13 muajsh nga momenti i arrestimit janë shpallur të pafajshëm. Grima dhe Rexhepi pritet që t’i rikthehen sërish botës së sportit dhe të angazhohen në ekipe të ndryshme ashtu siç edhe Nelson Hysa pritet të jetë afër Vllaznisë së boksit duke qenë se kanë mbyllur çështjet e tyre me drejtësinë.

Arrestimi i këtyre emrave të njohur të sportit shqiptar erdhi në një moment të vështirë për qytetin e Shkodrës pas një sërë ngjarjesh të ndodhura dhe përfshirja e tyre në atë moment për trukim ndeshjeje bëri bujë në opinion. Tashmë pritet se cila do të jetë e ardhmja në botën e sportit për Grimën, Nelson Hysën dhe Fabjol Rexhepin.