Shumë produkte ushqimore në qytetin e Shkodrës vazhdojnë të tregtohen në kushte aspak higjieno-sanitare duke ekspozuar kështu qytetarët para sëmundjeve të ndryshme.

 

Në tregun e fruta-perimeve në merkatën e Rusit, përveç kushteve higjieno-sanitare mungojnë kushtet minimale për tregtim. Sipas tregtarëve, hapësira në tezga është e pamjaftueshme për të tregtuar e për të qëndruar.

 

Tregtarët bëjnë të ditur se nuk I duan kushtet në të cilat punojnë, por nuk kanë zgjidhje tjetër për të jetuar. Një gjë e tillë ka larguar edhe konsumatorët nga tregu.

 

E njëjta situatë paraqitet edhe në tregun e fruta-perimeve në tregun e “Zdrales” pasi produktet shiten në trotuaret e rrugës, ku konsumatorët rrezikohen nga makinat të cilat kalojnë në rrugë, duke u bërë shpesh herë edhe shkaktar të trafikut të rënduar.

 

Produktet e stinës, tepër të konsumuara në këtë kohë gjenden në kutitë kartoni të improvizuara nga tregatarët dhe shiten në kushte skandaloze e në fakt nuk kanë kaluar në asnjë hallkë të kontrollit të cilësisë nga institucionet përgjegjëse.