Nga Andreas Dushi

Në vitet e para pas pavarësisë, Italia dhe Austria e mbështetën Shqipërinë që të rimëkëmbëj jo vetëm ekonomikisht, por edhe kulturalisht. Këto dy shtete çelën dyert jo vetëm për studentë që donin të bëheshin klerikë, por për të gjithë ata që synonin të studionin jashtë dhe dijet e fituara t’i përdornin në të mirë të atdheut.

 

Fillimisht, vetëm të krishterët mund të studionin në këto vende, jo vetëm prej besimit por edhe ngaqë ata dinin thuajse njëlloj si shqipen, italishten e një pjesë e mirë e tyre edhe gjermanishten, sepse shkollat ku kishin mësuar fillimisht drejtoheshin nga priftërinj me të tillë kombësi. Por vetëm pak kohë më vonë, auditorët e Italisë u mbushën për herë të parë me studentë jo të krishterë.

 

Nga Shkodra ishin pjesa më e madhe, sepse në këtë qytet gjendeshin liceu françeskan dhe kolegji jezuit të cilët kishin krijuar binjakëzime me shkollat evropiane. Një prej shkodranëve ishte Shefik Osmani i cili, me të përfunduar studimet e para në Bari, shkoi në Firence, vendlindjen e Dantes dhe mjedisin aq të dashur për familjen e tij, pasi aty kishte studiuar i ungji dhe tezja vijonte akoma.

 

Aty gjeti një grup të madh shqiptarësh të cilët përfaqësonin ide të ndryshme politike dhe qasje të shumëllojshme për të ardhmen e Shqipërisë. Mes tyre dalloheshin Qemal Stafa, Arshi Pipa dhe Mustafa Dervishi. Osmani, i gjendur mes dy rrymave të ndryshme, e para e përfaqësuar nga Stafa e Dervishi ndërsa e dyta, nga Pipa, nuk bëri një zgjedhje por vijoi studimet disi larg koncepteve dhe planeve politike.

 

Ky grup studentësh shqiptarë, sëbashku me Muhamet Balën dhe Xhevat Metën krijuan në Universitetin e Firences një grup të quajtur Shqiptarët e Firences. Profesorët e kohës i identifikonin me anë të këtij grupi dhe, në arkivin e këtij universiteti është një dosje që mban pikërisht këtë emër.

Fati i Stafës dhe Dervishit dihet. Gjithashtu edhe Pipa vuajti shumë gjatë komunizmit, por sëbashku me Osmanin lanë pasuri të pafundme në kulturën, gjuhën dhe historinë e Shqipërisë.