QAZIM ÇELA, MALËSORI QË KULTIVOI HUMORIN NË SHPIRT DHE NË SKENË…

Intervistoi: Albert Vataj

Qazim Çela është padyshim një personalitet i spikatur i artit shkodran, i kësaj traditë të shtrirë në kohë dhe të pasuruar nga emra dhe kontribute, të cilat e ngritën këtë thesar në lartësinë e një krenarie.

Djali me origjinë malësore, me karrierë në ushtri, nuk e pati të lehtë të ngjiste shkallët e famës si artist, por pasioni që ushqeu, puna e palodhur dhe angazhimi vetëmohues e shpërblyen këtë vullnet artistik. Ai tashmë është i pranishëm si në skenat shqiptare ashtu edhe në ato jashtë vendit, atje ku emigrantët kanë gjetur fatin e ardhmërisë së tyre në tokë të huaj, por që e ushqejnë me mall dhe nostalgji si ushqim i shpirtit humori dhe këngën, kujtesën dhe nostalgjinë. Nuk e pata të vështirë të merrja këtë intervistë me Qazim Çelën e aq më tepër të shkruaja këto radhë, për edhe fort e lehtë nuk ishte të realizoja një promovim njohës të kësaj figure, në pozitat e mikut dhe bashkëvendësit në të njëjtat rrugëtime dhe ambicie, pavarësisht ndarjes për shkak të impenjimeve.

Qazim Çela, ka qenë dhe ka mbetur një njeri i mirë, një artit kërkesash të larta profesionale, një ambicioz ngadhënjyes i arritjeve. Për të gjithë është e rëndësishme se si ballafaqohesh me spektatorin, i cili është gjithnjë i vëmendshëm dhe shumë intuitiv.

Qazim Çela ka treguar me vepër se meriton një vëmendje të veçantë, një përkujdesje vlerësuese të matur dhe të paanshme. Për të e rëndësishme mbetet ajo që mbetet në gjithë këto beteja ballafaqimi. Sepse për artistin është shtresëzimi i asaj pasurie, e cila bëhet premisë që mbi këtë taban të ndërtohet i lartë panteoni i mirënjohjes dhe vlerësimit. Jo vetëm humori, poezia, edhe gjini të tjera kanë marrë prej Qazim Çelës atë shprehje pasurore të shpirtit krijues, atë manifestim përgjegjësie artistike.

Edhe pse për të si malësor, si pretendues i një territori pushteti artistik në një “tokë të huaj” ka qenë sfiduese, ai ka luftuar dhe përballur me pasion dhe përkushtim, me besim në ëndrra dhe në dëshira, të cilat e shpërblyen. Sepse ishte puna, puna e palodhur dhe sfilitja për të marrë diçka me më shumë mund dhe sakrifica. Të pretendosh atë që është e vështirë të ishte në zotërimin tuaj ishte një ëndërr, që për të është një realitet artistik, një e mundshme arritjeje dhe synimesh.

-Cili është Qazim Çela në kuptimin e origjinës prejardhja dhe çfarë ka mbetur malësor në jetën dhe në veprimtarinë e tij krijuese?

Unë jam nga Reçi i Malësisë së Madhe, por babai na shpërnguli prej andej pas çlirimit të vendit dhe na solli në fillim në Grizhe, ku unë linda në 1954, e pastaj, rreth viteve 1960, në fermën Bujqësore të Shtojit në periferi të qytetit. Kështu që unë u arsimova dhe më vonë u bëra aktiv në jetën kulturore dhe artistike të Shkodrës. Pra mund të më quani malësor i qytetarizum ose shkodran prej Reçit. Hibrit hesapi…

Mbaj mend një herë në një koncert në Londër, moderatoria na prezantoj Gacin edhe mua si humorist shkodran, por ne sa dolëm në skenë e korrigjuam duke theksuar se jemi nga Malësia e Madhe, dhe për këtë salla e mbushur më së shumti me malësor na duartrokiti fort. Shkodra pa asnjë mëdyshje ka vlerat e veta të pa diskutueshme dhe nuk jemi Gaci dhe unë që ndikojmë për të ia shtuar as për të ia ulur, por e vërteta është se jemi malësor dhe për këtë jemi tepër krenar, siç jemi krenar që Shkodra na do, na ka përkrahur dhe prej vitesh japim kontributin tonë edhe në qytet…

–Nëse do të kishit një mirënjohje për gjithçka keni arritur, cili do të ishte ai që do ta meritonte këtë çmim fisnikërie?

Nuk është një person, janë disa. Në fillim desha tu them se kam qenë ma i vogëli i pesë fëmijëve, kështu që e kam ndjerë vetën kurdoherë i përkëdhelur. Tani të vijmë tek pyetja juaj… Nëse shikoni tek unë diçka pozitive si njeri, këtu mirënjohja shkon për prindërit e mi dhe nëse shikoni tek unë vlera artistike, mirënjohja përsëri mbetet brenda familjes, por shkon tek vëllai im Qamili, që më shkruante vjersha dhe më nxiste edhe mua të krijoja, si dhe tek motra Sanije, që më vishte bukur dhe më mësonte të recitoja. Këta të dy nuk më lëshonin, më kishin “dënuar” që unë të isha nxënësi ma i mirë i klasës dhe të dilja gjithnjë i pari në recitime.

-Çfarë do të kujtonit nga fëmijëria juaj diçka e cila ka lënë mbresa të pashlyera tek ju?

Po… Kur isha i vogël mbaj mend që në shtëpi shpesh na vinin miq. Mbasi hanim darkë dhe konsumoheshin bisedat e burrave në mes babait dhe vëllait të madh, nga ana jonë dhe miqve nga ana tjetër, më vinte rralla mua. Më hipnin mbi një tryezë të vogël tek cepi i dhomës. Ajo ishte skena ku unë filloja “spektaklin” me recitime dhe imitime. Transmetoja ndeshje futbolli si dhe imitoja pjesë nga filma të ndryshëm. Ky ka qenë vendi ku unë kam marr duartrokitjet e para. Më vonë më ka qëlluar rasti që në koncerte të ndryshme të marr duartrokitje e komplimente të shumta, por duartrokitjet dhe vlerësimet që kam marr atëherë nuk do ti harroj kurrë…

–Sa e vështirë ka qenë rruga për të mbërritur deri tek njohja që opinioni ka për Qazim Çelën si humorist dhe si poet?

Jo edhe aq e vështirë, sepse pasioni, dëshira, vullneti, këmbëngulja për të arritur diku tek një objektiv që i ke venë vetës, bëjnë që jo vetëm të arrish atje ku dëshiron, por edhe që rruga të mos të duket fort e vështirë. Kur punon me përkushtim realizimet, arritjet dhe sukseset vijnë në mënyrë të natyrshme. Pastaj “gur gur bahet mur” thotë populli, edhe ne nëpër vite kemi shtuar gur në murin e aktiviteteve tona artistike. E gjithë kjo ka bërë që një farë soji të jemi të njohur në Malësi e në Shkodër, por ama e them me sinqeritet se asnjë herë nuk kam punuar qëllimisht për këtë. Unë dhe miqtë e mi nuk u morëm me ndonjë mjeshtri tjetër, nuk u morëm (shyqyr zotit) as me politikë, por u morëm me art dhe nuk është faji i jonë që populli artistët i do aq shumë…

-Krijimtaria juaj nuk ka mbetur e kufizuar vetëm në planin e humorit. A ishte e vështirë ta gjeje vetën edhe në lëme të tjera krijuese?

Nuk mund të them se ishte e vështirë, gjithçka erdhi natyrshëm si pa kuptuar. Kur iu afrova pemës së madhe të artit, plot me degë, filiza, gjethe e lule të shumta, më pëlqeu më së shumti të rrija në degën e humorit, por duke i pas afër ata që rrinin në degët e tjera nuk u durova pa i fut hundët edhe në punët e tyre. Bie fjala muzikantët dhe këngëtarët i kam shumë miq. “Më thuaj me kë rri të të them se cili je “ thotë populli. U desh vetëm një ngacmim i vogël i mjeshtërit të madh Bujar Qamili, që unë të filloja të shkruaja tekste këngësh. Ky pasion nga viti në vit erdhi duke u rritur dhe tani me kënaqësi ve re se janë bërë dhjetëra tekste këngësh të shkruara nga unë, aq sa në fundin e vitit 2017 agjencia e spektakleve “Buna1” në Shkodër, sipas votimit të publikut në internet më dha çmimin “Tekst shkruesi me i mirë i veriut”. Disa thonë e kam merituar, disa thonë jo… nejse.

Një pasion tjetër i imi janë fabulat, por ma shumë për të rritur se për fëmijë. Këndvështrimi i realitetit me mjetet shprehëse që disponon fabula është tepër interesant, ka finesë dhe befasi duke i thënë gjerat në mënyrë disi të tërthortë. Libri im me fabula “Shkopi i qorrit” u prit shumë mirë, vitin që shkoj, në Shkodër e më gjerë, aq sa mjeshtri Fadil Kraja më quan fabulist dhe më ka thënë se ti bën mirë të merresh vetëm me fabula.

–Cila është krijimtaria juaj dhe shtrirja kohore e saj?

Nuk është e shumtë, por as e paktë jo…Veprat e mija të botuara deri më tani janë: ”Ju lutem një buzëqeshje”, poezi humoristike dhe fabula,viti 1995. “Gaz e maraz”, tregime dhe skica humoristike, viti 2000, “Dëgjo vesh, pastaj qesh”, poezi me satirë e humor, viti 2002, “Shkopi i qorrit”, fabula,viti 2017…

Komedi të vena në skenën e teatrit “Migjeni, Shkodër: “Binjakët” 2005, “O vajzën,o komunën”, 2007,”Kollovari” 2008, dhe “Vëllai nga babai” 2010.

Dramë e pa venë në skenë: “Rrugë e pamëshirshme” sipas romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Fran Camaj… Dhe komedi të pa vena në skenë: “Nuse për vip” dhe “Duel Grash” dhe së fundi komedi që po vihet në skenë tani nga trupa e humorit e teatrit “Migjeni” të Shkodrës: “Frikacaku bëhet trim”…

Gjithashtu siç e theksova edhe më sipër kam shkruar me dhjetëra tekste këngësh për këngëtar nga Shkodra, Malësi e Madhe e më gjerë..

Nëse më lejon dua të theksoj se komeditë e mija në teatrin “Migjeni” janë venë në skenë nga regjisori Fatbardh Smaja, miku im i pa harruar, që më mungon aq shumë dhe kanë interpretuar kasta më e mirë e aktorëve të humorit si Zyliha Miloti, “Mjeshtre e Madhe”, Zef Deda, “Mjeshtër i Madh”, Besnik Çinari, “Mjeshtër i Madh”, Drane Xhaj, Gac Kodrina, Anton Krosaj, Muhamet Çekini e tjerë….

-Dueti juaj me Gac Kodrinën është tashmë një emblemë e humorit, a do të kishit diçka për të ndarë me lexuesit në lidhje me njohjen dhe partneritetin skenik me Gacin…?

Ah, kjo është një pyetje që kërkon përgjigje të gjatë, se edhe Gaci është i gjatë, se edhe njohja jonë është e gjatë, se edhe suksesi ynë është i gjatë, por me që unë jam i shkurt po mundohem me i ra shkurt. Kemi filluar të luajmë bashkë në skenë që në vitin 1982, sa vite bëjnë, llogariteni vet se unë në matematik kam qenë gjithmonë tap…Atëherë kemi pas flokë boll, unë të zi,e Gaci biond, ndërsa tani unë jam ba si cjap i bardhë e në tollën e Gaçit rezet e diellit bëjnë rikoshetë…Jetëgjatësia e bashkë punimit tonë e ka sekretin tek mirë kuptimi mes nesh për punën që duhet të bëj secili. Unë duhet të jem krijuesi dhe deri diku regjisori, ndërsa Gaci për vet tipin komik që ka, duhet të mbaj peshën e aktorit të parë. Por jo gjithmonë ndodh kështu, sepse ka raste që edhe Gaci shkruan ndonjë gjë, apo që edhe unë të jem ndonjë herë aktor i parë. Nuk bëhet fjalë asnjë herë për ambicie apo mëri, sukseset i kemi të përbashkëta, suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit. Kemi shumë ndodhi me humor që na kanë ndodh në koncerte të ndryshme anë e mbanë botes, por për ti treguar të gjitha ato do të na duhej një natë dimri me borë, disa shishe verë dhe një fërlik përpara…

–Dukshëm vëmë re se prezenca juaj është gjithnjë e më e pranishme para publikut shkodran dhe jo vetëm ,si e shpjegoni këtë, ka lidhje vetëm me rritjen tuaj artistike, apo me ndonjë faktor tjetër?

Gaci dhe unë në fillim fare kemi interpretuar për publikun në Malësinë e Madhe, për vitin e ri, në “Sofrën Bajziane” dhe në “Sofrën e Koplikut”, kur na ftuan pastaj edhe në koncertet e Shkodrës dhe humori ynë filloj të pëlqehej e të kërkohej edhe në qytet. Për ne asokohe ishte një arritje e madhe. Kjo bëri që kërkesat tona ndaj vetës, si në krijimtari ashtu edhe në interpretim, të rriteshin më shumë, kështu që për mjaft vite kemi qenë të suksesshëm. Tani për ta mbajtur lart nivelin madje për ta ngritur më lart duhet punë, duhet punë, sepse nuk është aspak e lehtë të besh humor në Shkodër apo në Malësi ku humori i njerëzve buron na shpirti. Nuk ma merr mendje që të ketë ndonjë vend tjetër në Shqipëri ku humoristët ti thërrasin edhe në dasma, siç na thërrasin Gacin dhe mua.

-Sa e vërtetë është se në Shqipëri nuk mund të jetosh vetëm me art, dhe aq më tepër për një aktor dhe krijues humori, ju si ia keni dalë?

Po të kishim mbetur për të jetuar me fitimet që na sjell skena dhe humori mbi varret tona do të kishte lulëzuar e tharë bari disa herë… Si ia kam dalë? Arti për mua ka qenë thjeshtë pasion. Unë kam punuar për vite të tëra në ushtri si specialist me një rrogë jo edhe aq të keqe për kohën. Tani jam në pension të parakohshëm ushtarak. Gruaja punon, djali në emigracion si shumë kush. Nuk jemi të pasur por ama edhe të varfër nuk jemi. Nuk e mohoj që edhe nga arti kemi fituar diçka, por kurrsesi sa për të siguruar jetesën.

Por arti ka një të mirë ta madhe, edhe nëse nuk të ushqen trupin, të ushqen shpirtin, zemrën… Fola në planin personal, ndërsa në planin e përgjithshëm shteti duhet të ndërmarr disa reforma që artistët e vërtetë të kenë mundësi të paguhen më mirë, sipas punës së bërë dhe nivelit artistik.

-Ju kam ndjekur në profilin tuaj në Facebook dhe shoh shpesh se publikoni fotot tuaja të debutimeve të para në skenë, a jeni nostalgjik, apo keni mall për ato vite, çfarë kujtoni dhe çfarë do të ishte me interes të ndanit me lexuesin në lidhje më këtë?

Është e vërtetë, patjetër që kam mall dhe nostalgji. Nuk e di se për cilat foto e ke fjalën, ndoshta ke parë disa foto të shkollës së mesme nga komedia “Prefekti”. Në vitin 1974 u bë festivali teatror i shkollave të mesme të qytetit Shkodër. Shkolla jonë Teknologjike u paraqit me komedinë Prefekti të Besim Lebonjës, regjisor kishim të paharruarin Veli Rada. Unë luaja në rolin kryesor atë të prefektit të Tiranës QazimMulleti. Sukses i pa parë, flamuri i festivalit, ndërsa unë u cilësova aktori më i mirë i festivalit. Të nesërmen e marrjes së çmimit drejtoresha, për të më nderuar, më nxori para shkollës nën breshni duartrokitjesh. Dhe tani që e kujtoj më mbushën sytë më lot…

-Nëse flitet për projekte të pritshme krijuese, cilat janë, gjithnjë nëse nuk dëshironi të jeni surprizë për admiruesit tuaj.

Ç’ është ajo fjalë ti e din se unë jam llafazan i madh, që nuk mi mban goja arrat. Unë jam nga ata që nuk kanë surpriza e nuk di të mbaj sekrete. Po të flas me zemër në dorë. Kur të kem mundësit financiare kam në plan të botoj tre libra, të cilët janë: Një përmbledhje me komeditë e mija, një përmbledhje me poezi e tekste këngësh, si dhe një libër me fabula, kam rreth 75 kam qejf me i bë 100…Dhe mos harroni, besoj në maj, në teatrin “Migjeni” komedia ime “Frikacaku bëhet trim”…

-Diçka personale në formë mesazhi për bashkatdhetarëtkudo që ndodhën të cilët ju ndjekin edhe nëpërmjet mundësisë që të jep sot teknologjia…

E di se keni mall për atdheun tuaj…E di se shqetësoheni për hallet tona…E di shumë mirë se politikanët tanë të çmendur ua kanë shpifur, e megjithatë duam tu shohim të qeshur, të gëzuar ,e të lumtur he ua marrsha të keqën..

Jeteëshkrim i Qazim Çelës

Ka lindur më 21.12.1954 në Shtoj të Ri të Shkodrës. Me krijimtari artistike është marrë që në vitet shkollore e më pas me grupet amatore artistike, si krijues e si interpret, dhe, më pas deri me trupat profesioniste të estradës profesioniste të ushtarit (1977-79) e të teatrit “Migjeni” që nga viti 2005 e në vazhdim. Në vitin 1995 boton librin e tij të parë: “Ju lutem një buzëqeshje”, përmbledhje me poezi dhe fabula humoristike. Në vitin 2000 boton librin e dytë: “Gaz e maraz”, përmbledhje me tregime e skica humoristike dhe po në këtë vit pranohet edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Pas dy vitesh boton librin e tij të tretë: “Dëgjo vesh pastaj qesh”, satirë dhe humor.

Ndërkohë i bëhet pasion dhe krijimi i teksteve të këngëve, nga të cilët mjaft kompozitorë shqiptarë gjejnë frymëzim dhe krijojnë këngë që pëlqehen nga interpretohen këngëtarë më të mirë të kohës.

Me trupa të ndryshme artistike merr pjesë në turne në disa vende perëndimore, në repertorin e të cilave shqiptarët e atjeshëm shijojnë e duartrokasin edhe mjaft krijime të tij.

Në vitin 2005, trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” në bashkëpunim me grupin e humorit “Thumbi”, venë në skenë komedinë “Fejesa e binjakëve” shkruar nga Qazim Çela. Suksesi shoqëron edhe komeditë e tjera të tij, vënë në skenë sërish nga trupa e teatrit “Migjeni”, “O vajzën, o komunën”, “Kollovari” (2008) “Vëllai nga Babai” (2010).

Për kontributin e dhënë si autor tekstesh, poezishë, komedishë e interpret, Nënprefektura Malësi e Madhe i jep “Çertifikatë Mirënjohjeje” (2012), Komuna Shkrel e Malësisë së Madhe, që përfshinë edhe fshatin Reç, prej nga është edhe orgjina e tij , i jep Qazim Çelës titullin “Qytetar Nderi” e po me këtë titull e nderon edhe Komuna Rrethina e Shkodrës, ku ai banon.

Veprimtaria e tij krijuese e artistike është shumëplanëshe dhe e vëllimshme. Ka shkruar e gati për të vënë në skenë edhe dy komedi të tjera: “Nuse për vip” dhe “Duel grashë”; gjithashtu së shpejti lexuesit do të marrin dhe librin me fabula “Ankohet planeti” si dhe një vëllim me tregime e skica humoristike.

Eshtë bashkëthemelues i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...