Domatet e thara në vaj ulliri janë një pjatë fantastike që shtojnë shijen, ndezin me aromën mistike dhe pasurojnë me plot vlera çdo gatim që ato shoqërojnë. Domate të thara, vaj ulliri, hudhra e borzilok, rozmarinë e arra, mjaftojnë këta përbërës për të kuptuar shijen magjepsëse të kësaj recete, ndër më uniket e zahireve shqiptare.

 

Kjo është një nga mënyrat më të lehta dhe efikase për të bashkuar vlerat e fuqishme shëndetsore të secilit prej përbërësve duke i ruajtur ato për t’i konsumuar gjatë gjithë vitit. Me shijen e plotë dhe paksa të athët, domatet e thara në vaj ulliri janë shoqëruese shumë të shijshme të pjatave të ndryshme të çdo stine, por veçanërisht gjatë dimrit.

 

AgroWeb.org sjell një recetë të shëndetshme në përgatitjen e domateve në formën e turshive. Një recetë unike, shumë e shijshme e cila dallon nga mënyra tradicionale e turshive apo ruajtjes së perimeve gjatë dimrit.

 

Procesi i Përgatitjes
Përgatitjen e kësaj recete e nisim me tharjen e domateve në furrë. Kujdesuni që të zgjishni domate të bëra mirë, po jo shumë të buta. Madhësia e tyre duhet të jetë pak e shumë e të njëjtës masë dhe formë, mundësisht mesatare. Ndërsa nisni pastrimin e domateve, përgatisni ngrohjen e furrës në 100 gradë celcius.

 

Pasi i keni larë domatet, i thani ato me pecetë. Në enën për pjekjen e domateve shtroni një letër pjekjeje. Prisni domatet në katër pjesë dhe i rendisni në enë. Bashkë me domatet vendosni dhe nga një thelpi hudhër mes copave të domateve. Hidhni kripë, piper dhe spërkatini domatet me vaj ulliri. Futini në furrë për t’i tharë përreth 3-4 orë. Pastaj fikni furrën dhe i lini domatet që të ftohen. Në kavanoza të sterilizuar vendosni rozmarinën, domatet e ftohura dhe thelpinjtë e qëruar të hudhrës.

 

Shtoni nga nja fletë borziloku të freskët, dhe në fund hidhni vaj ulliri derisa t’i mbulojë domatet. Pasi keni mbyllur fortë kavanozët kthejini përmbys dhe lërini ashtu për 24 orë. Më pas kavanozët ruajini në frigorifer ose në një vend të errët, të freskët.

 

Përbërësit
2.5 kg domate, 500 gr vaj ulliri, hudhër, borzilok, rozmarinë, pak kripë, pak piper. Sipas dëshirës në secilin prej kavanozave mund të shtoni nga një lugë të vogël me arra të thërrmuara./AgroWeb.org