Prej tre brezash, me humorin e saj, Estrada Profesioniste e Shkodrës ja ka dalë të skalisë buzëqeshje edhe në fëtyrat më të trishtuara nga realitetet historike, politike e shoqërore mes të cilave ka kaluar Shqipëria. Humoristët më të shquar shqiptarë janë prodhim pikërisht i kësaj estrade e cila sonte vë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës preimerën e radhës.

 

Mes këtyre artistëve, vend të veçantë dhe rol të pazëvëndësueshëm ka e madhja Zyliha Miloti e cila falë thuajse gjysëm shekulli prani në skenë është kthyer në simbol të humorit.

 

E lindur në vitin 1946, gjatë karrierës së saj ka luajtur një numër të pafundëm rolesh në skeçe, parodi, komedi, monologje, dialogje e drama. Falë zërit të bukur e të plotë, prania aktoriale e Zylit në skenë është e padiskutueshme. Në funksion të personazhit, ajo përdor dialektin gegë dhe të folmet e zonës përreth në mënyrë krejt natyrale.

 

Humori i saj ka sens realist dhe me anë të sjelljes, i jep karakterit nuanca shumë pranë jetën njerëzore. Thuajse gjithnjë ka rol kryesor, edhe kur bashkë me artistë të tjetër realizon skeçe të paharrueshme si “Fotografia”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Truelli i Zanë” e të tjerë.

Loja skenike e Zylihasë shquhet për finesë, elegancë, skrupulozitet e vërtetësi, deri në hollësitë psikofizike, me një përshtatmëri të rrallë dhe me shkapërcime të natyrshme nga tragjikja tek komikja dhe anasjelltas.

 

Si koncept, qysh me Aristotelin shihet se komikja është tallja me të shëmtuarën, përqeshja e saj. Aq bukur luan Zyli me të shmëtuarën, sa e bën edhe atë vetë të duket diçka e bukur e cila publikut i shkakton të qeshura që reshtin me vështirësi.

Përposë teatrit, Zyli ka luajtur edhe në disa filma si “Shoku ynë Tili” apo “Dy herë Mat”.

Është vlerësuar me disa çmime, mes të cilëve përmendim “Grueja e vitit 2001” nga Instituti i biografive në Kembrixh të Anglisë, “Urdhri Naim Frashëri i Artë”, “Mjeshtre e madhe e skenës”, “Ambasadore e Paqes” e të tjerë.

 

Zyli e do shumë Shkodrën dhe Shkodra e do shumë Zylin, pasi si rrallë njerëz, ajo është e bindur se pavarësisht një ndalimi të përkohshëm, Shkodra do të vijojë të jetë qendra e kulturës, arsimit e sportit, trinomi mbi të cilin ngriten themelet e qytetit.

/Andreas Dushi