Ju lutem, hiqeni nga ekrani këtë klloun!

Nga Ermal Mulosmani.

U bë ca kohë që zv/Kryeministër i Shqipërisë është emëruar Erion Braçe, një emër i spikatur i Partisë Socialiste në vite, i papërfolur për afera korruptive apo skandale, por gjithmonë qesharak në daljet televizive.

Sapo i vjen një kamera përballë, Erioni skërmitet, është i mllefosur, dikush ia ka helmuar ditën…

Në periudhën që ishte në Opozitë edhe e kuptoja. Mendoja se i vinte nga abuzimet e pushtetit të atëhershëm dhe nga përkushtimi që kishte për zgjedhësit. Gjithsesi, gjuha e trupit të tij, ngërdheshjet e kërcënimet, lëvizjet e shpeshta të syve majtas djathtas, gishti tregues që lëvizte po aq sa sytë, sharjet dhe vulgariteti i denjë për një çerr lagjeje, e kishin kthyer në një qenie tmerrësisht antipatike dhe qesharake.

Kontrasti që krijohej mes trupit të tij të imcak dhe shkumëzimeve titanike, përpëlitjet e tij “si zorra në prush” dhe ecjet si ai pordhaci që mendon se ua dha turinjve kundërshtarit dhe i takon të “ngrefet”, bënin që pakkush ta merrte seriozisht.

Djali im argëtohej pafund me të. Gjente video të tij në youtube, ua hiqte zërin dhe shkrihet së qeshuri. Një lloj relaksi pas shkolle.

Programet e humorit e kishin personazh të preferuar, ishte kthyer në një klloun që argëtonte shqiptarët.

Edhe Kryeministri me siguri argëtohej kur e shihte si merrte flakë. Por sensi i humorit të Kryeministrit nuk është si i ne të tjerëve. Ai, “kllounin” e bën zëvendës Kryeministër!

Një ndër qëllimet e emërimit të Braçes, jam i sigurtë për këtë, është edhe kontrasti që krijohej mes shefit dhe zëvendësit. Sa më i shkurtër dhe i imët zëvendësi aq më gjigand e mbinjerëzor duket Shefi!

Qasja e Erionit-zv/Kryeministër nuk ka ndryshuar. Ai vazhdon të skërmitet megjithëse socialistët kanë hyrë në vitin e shtatë të pushtetit. Ai u vërsulet shtetasve që i qeveris në FB, Instagram, në televizor. Mendon që mund ta ndajë jetën personale me atë të publike. Në jetën private mund të jetë çerr, çerr-ultras, mundet t’u thotë shtetasve që qeveris “ju jeni e zeza”, “ta mbani ne goje emrin tim sa te doni; tju rrije mire e ta keni gojen plot!”. Sepse mendon që Erioni pasditeve është çerr-ultras ndërsa në mëngjes është zëvendës

Kryeministër!

Askush nuk i thotë “Boll more koqe se le nam, je i njëjti njeri”.

E kështu ai merr përpjetë. Kryeministri gajaset kur e sheh, e ndërsen duke i dhënë në dispozicion televizionin e tij privat… Duket sikur i thotë : “Vazhdo bjeru se mirë e ke”!

Dje e pashë në televizor. Doli prapë i mllefosur dhe shau mbarë e prapë një prokuror të Durrësit që kishte burgosur një zyrtar. Skërmitej çdo sekondë. Vibrimet e frekuencës së zërit të tij mund të krahasoheshin me hetuesit e kohës së komunizmit kur përballë kishin kriminelët më ordinerë.

Ishte në televizor, në frekuencë publike! Po çfarë kishte ndodhur?

Ky karagjoz kishte shkuar vetë në Gjykatën kur gjykohej zyrtari i shtetit. Donte të ishte vetë i pranishëm sepse nuk mund t’ia besonte ndonjë nëpunësi të vet këtë detyrë. Zv/Kryeministri ulet në sallë, diku në fund, mbante shënime dhe jepte intervista pas gjyqit!

Ku e akuzonte Prokurorin e çështjes si kriminel dhe gjykatën që e kishte pranuar akuzën pa prova. Këtë nuk e bënte avokati i zyrtarit por zv. Kryeministri! Mendova me vete, në një çështje tjetër do vijë vetë Shefi i Madh e do ulet në fund të sallës së gjyqit.

Ça ka këtu, gjyqi është publik – mund të thotë edhe Kryeministri?!

Këta janë çmendur! Ky nuk qenka presion nga ekzekutivi?! Nuk ka folur Zv/Kryeministri por çerri ultras?! Kujt po i bërtiste? Kujt Erion?! Kujt zoti zëvendës Kryeministër?! Kush të ka borxh që na del në televizor e na bërtet? Po i bërtisje Prokurorit? Po me ç’të drejtë? A ka institucione që i rregullojnë këto punë apo duhen kërcënimet “live” në televizion?

Është Prokurori i lidhur me bandat? Po Gjykatësi pse nuk e liroi në sallë atëherë zyrtarin?! Nëse edhe ai është i korruptuar, a e di ti zoti Zëvendës Kryeministër që këta prokurorë e gjykatës, kanë dhënë me qindra e mijëra vendime si ky që asistove ti. Po ata të tjerët, kush do t’i mbrojë, ti do shkosh në çdo gjyq?!

A nuk ka institucione ku mund të parashtrosh këtë çështje? Ju e keni marrë përsipër Reformën në Drejtësi, i keni formuar Komisionet e Vetingut. Nxirreni pra, hiqjani gangrenën popullit. Keni parë ndonjëherë një zyrtar kaq të lartë t’i hakërrehet popullit në televizion?

Ky ishte një karagjozllëk i tmerrshëm i një zyrtari shumë të lartë e po kaq qesharak.

E kuptoj shumë mirë dëshirën e televizioneve për ta pasë Erionin në kronikat e lajmeve. Edhe djali im e pëlqen se e ndjek në versionin “mute”. Por, ju lutem, mos abuzoni me audiencën, hiqeni nga ekrani këtë klloun.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...