Vermoshi, atje ku ka më shumë turistë sesa vendalinj

Ke arritur në krye të Rrapshës, aty ku fillojnë Leqet e Hotit.

Hot, rruga Drejt Vermoshit – Foto Terenc Pepa

Sytë flatrojnë të parët drejt peizazhit dehës, si fëmijët e përmalluar drejt njeriut të afërt, takimin me të cilin kanë vite që e presin. Ndërsa mendja sikur ngathtësohet ca, stepet pak, teksa përpiqet të kthehet vite pas, shumë vite, mbase edhe tridhjetë, kur rrugëtimi për në zemrën e Kelmendit nuk ishte i kollajtë.

 

Sikur të mos mjaftonin vështirësitë e rrugës së keqe, edhe më të mundimshëm e bënin këtë destinacion ca pengesa që sot janë të paimagjinueshme, madje ngjajnë qesharake. Kloni, piramidat, rrethimi me tela me gjemba i kufirit, por edhe vetë ushtarët, ishin si mish i huaj për peizazhin e këtyre anëve. Kelmendi nuk mund të shkelej nga të huajt, por edhe vendasit duhej të pajiseshin me një leje të posaçme, që merrej më me vështirësi sesa viza amerikane sot.

 

Edhe pse nuk ke dëshirë t’i përziesh kohët, aq më pak këtu, është një grup prej më shumë se 30 turistësh që të kthen “dhunshëm” te kujtimet e së shkuarës. Me të tilla grupe do të ndeshesh gjatë gjithë rrugës, deri në Vermoshin e skajshëm. E gjithë zona ka këto kohë mysafirë nga shumë shtete, më të shumtë në numër edhe se vendasit. Këmbësorë, që preferojnë turizmin e aventurës, të pasionuar të sportit të çiklizmit, apo edhe familjarë e grupe të rinjsh.

 

NATYRA

Teksa zbret nëpër rrugën që zgjatet teposhtë, si një bollë pakrye, gjigante dhe e frikshme, i rrethuar nga male gjithë mister, të padepërtueshme, të duket se hyre në legjendë. Këto janë Leqet e Hotit! Këtu natyra është e mbushur me gracka bukurie dhe i pari që bie në lakun e tyre është hutimi yt. Mos u tremb! Në vesh të pëshpërit Cemi. Pastaj të del përkrah, me zhdërvjelltësinë dhe hiret e një djaloshi. Herë shfaqet e herë fshihet prapa kanionesh mahnitëse. Të shoqëron, të flet dhe je me fat se gjatë rrugëtimit tënd do të kesh për ciceron një lumë.

 

Po kjo gjithsesi nuk ta largon shtjellën e misterit. Madje as për vetë Cemin e njohur për troftën e tij të famshëm që ecën në të kundërt të rrjedhës. Nuk e paske ditur se, deri këtu, ke përfituar nga “oferta” e natyrës. Lumi që të shoqëroi nuk paska qenë gjë tjetër veçse një bashkim i dy sivëllezërve, Cemit të Selcës dhe Cemit të Vuklit. Te ky i fundit është edhe një urë mbase 5 shekullore, rindërtimi modern i së cilës u bë më vonë nga njëri prej Bushatllinjve të Shkodrës, që edhe e pagëzoi atë me emrin e së shoqes, Tamara.

 

Mund të jetë kjo një legjendë. E ç’rëndësi ka? Një më pak a një më shumë, në këto troje të mbushura me legjenda, nuk është se ndryshon gjë. Ajo që ka mbetur është Tamara. Këtë emër prej më se një shekulli e mban një fshat, i cili që nga 1935-a është edhe qendra administrative e Kelmendit. Transformimi i tij rrënjësor është tashmë, përtej legjendës, një realitet i bukur e i prekshëm. Fshati mes malesh të larta, ku çuditërisht edhe në dimra të egër bora qenka një vizitore e rrallë, ka filluar t’i ngjajë një qyteze moderne që popullohet përditë e më shumë nga turistët. Dhe kjo reflektohet edhe në vështrimin optimist të Adriatik Çekajt, administratorit të kësaj zone.

TURISTËT

Diku Cemi të del nga sytë përsëri dhe fjalosja me të ka mbaruar. Zgjat dorën dhe e përshëndet, natyrshëm, si një njeri. Por pak kilometra më tej, sheh dy duar të tjera që ngrihen. Nuk të përshëndesin, të kërkojnë autostop. Janë dy vajza. Nga çiftelia, që njëra prej tyre e mban në krah, mund t’i marrësh fare mirë për malësore vendase. Por jo. Janë nga Republika Çeke. Studente të sapodiplomuara për muzikë

 

Dy studente të muzikës në Çeki, të interesuara për çiftelinë

 

Ndodhen mes këtyre maleve në vijim të një turi të gjatë e të lodhshëm nëpër Ballkan, për të studiuar muzikën tradicionale të këtyre vendeve. Respekti për to përzihet me njëlloj pezmi, kur mendon se shumë nga të rinjtë tanë studentë temat e tyre i marrin të gatshme apo për to “hulumtojnë” kafeneve të Tiranës. Vajzat kanë dëgjuar edhe për “Logun e Bjeshkëve”. Dhe të pyesin natyrshëm. Ti u përgjigjesh me aq sa di për këtë festë të përvitshme, që kurorëzon “Miss Bjeshkën”, më të bukurën e vajzave të Kelmendit, një manifestim me histori të hershme.

 

U thua edhe se këto ditë janë përgatitjet e fundit për konkursin e këtij viti dhe çeket shprehin keqardhje që nuk do të munden të marrin pjesë. Keqardhje ndjen edhe ti, por bën më tej sepse je i vendosur të ndjekësh një konkurs tjetër bukurie, me të tjera hire, që të hutojnë jo më pak. Këtu shqisat janë në punë NON STOP, por veçanërisht sytë kanë një etje të patreguar për të përpirë gjithçka dhe për të mos u shpëtuar asgjë. Vihesh në dilemë dhe e ke të vështirë të marrësh një vendim për të bujtur në Gropat e Selcës, në Qafën e Bordolecit, në Lë- pushë, në… Edhe pse e di se po të përzgjedhësh njërën, tregohesh i padrejtë me tjetrën, ti i bindesh gati verbërisht, zgjedhjes së paracaktuar: Drejt Vermoshit! Vendësit e quajnë fshatin e tyre koka e Shqipërisë.

 

Ai është skaji fundor i Malësisë së Kelmendit. Shpesh legjendat e kanë veshur këtë vend me një vello misteri. Ki pak më tepër durim, si me vellon e nuses, dhe bukuria del sheshit. Hijeshi të tjera ta mësyjnë vështrimin dhe asnjë figurë poetike, sado e guximshme, e thënë për natyrën e Kelmendit, nuk është e tepërt. Peizazhi këtu është si punët e gjenive të artit, ka elemente përjetësie, ndërsa me mysafirin është tepër miqë- sor, aq sa shpejt do të ndiesh si lëviz brenda teje diçka nga krenaria e tij. Falë rrugës së re, largësia me Vermoshin është shkurtuar ndjeshëm. Të duket e vjetruar edhe shprehja “është vetëm një vrap pele”, pasi nuk do të ishte çudi që të shohësh dikë të udhëtojë këtej edhe me “Ferrari”.

 

BANORËT

Vasel Mitaj është 71 vjeç. Nga pamja nuk ta jep përshtypjen e një kreshniku. Për nga “bëmat” aq më pak. Tradita dhe zakonet për të nuk janë një koncept i ngrirë. Edhe pse për dekor ka kozhunin te bujtina e tij, ai nuk e ka problem të “zhburrnohet” për t’i ardhur në ndihmë Dranes, së shoqes, duke bërë punë amvisash. Je i “shtrënguar” ta pish kafen e këtyre dy të moshuarve sepse një çezmë në derë të oborrit bëhet “gracka” e vizitorit.

 

“Mirë se vini në qershi, me kulturë e me qetësi…”, shkruhet në të. Në oborrin e gjelbëruar të bujtinës së tij hyjnë e dalin shumë njerëz. Mes degëve të mëdha të një qershie që ende gjelbëron – vetëm kokrra nuk ka këto ditë – “maskohet” diçka si pikë vrojtimi. E ndërtuar me dru dhe e zbukuruar këndshëm aty është një vend ku mund të pihet kafeja e pse jo edhe të drekohet. Vasel Mitaj i ka shumë qejf bejtet dhe pritja nga ana e tij nuk mund të kuptohet pa to. Ka shumë filozofi popullore brenda tyre, por natyrisht edhe pak “kripë”, që e mbush bisedën me doza humori. Për mysafirët e tij Vaseli rezervon edhe një dhuratë jo të zakontë, librin e tij “Rrugët e jetës”. Duket se është rrugëtimi i malësorit shqiptar i fotografuar po nga një malësor.

 

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...