‘Fejesa në kohën tonë ka pas qenë bërë me shkesi, pra prej njohjeve mes fiseve, familjeve e kështu me radhë. Gjithnjë kanë preferuar të zgjidhin një vajzë apo një djalë nga familje të mira, të ndershme…’, tregon Skënderi, duke vijuar se, “sipas shtresave, gjithsecili nga prindërit është munduar të zgjedhë një bashkëshort për fëmijën e tij nga kasta që i përkiste. Kjo ka qenë e përgjithshmja për t’u lidhur një çift në martesë. Janë fenomene shumë të rralla ato martesa që janë bërë me njohje vetë të çiftit, por edhe në ato raste shkuesit kanë qenë ndërhyrës për njohjen. Ka pasur edhe ekspertë që merreshin me fejesat.

 

Këta shkues kishin njohuri për të gjitha familjet e qytetit dhe mundoheshin të kryenin lidhje sa më të qëndrueshme dhe të përshtatshme. Këta njerëz shkonin herë te njëra familje e herë te tjera, duke biseduar për bashkimin e të rinjve, derisa bihej dakord. Dajat dhe xhaxhallarët, me rekomandimet e tyre, gjithmonë kishin ndikim në dasmat e nipërve”.

Fejesa s’ka pas rite të dukshme. Më tepër këto rite bëheshin mes familjes dhe të njohurve. Fillimisht bëhej “këputja e fjalës”, që nënkupton momentin kur një xhajë apo dajë i dhëndrit shkon te familja e nuses së ardhshme dhe i kërkon dorën vajzës. Ky person ishte me autoritet të padiskutueshëm. Ky person shkonte i vetëm në derën e vajzës dhe aty i jepej fjala nga babai i saj, vëllezërit e xhajat apo dajat.

Kjo ishte edhe faza e parë e fejesës. Më tej vinte pirja e kafeve. Më parë kjo bëhej me pak njerëz. Krushqit e dhëndrit, rreth 7-8 veta, shkonin e pinin kafe. Kjo vizitë kthehej në të njëjtin numër krushqish nga ana e familjes së vajzës. Pasi mbaronte edhe pirja e ndërsjellë e kafeve, e gjitha kjo quhej një farë dëshmie dhe aprovimi për fejesën dhe martesën e ardhshme. Ceremonia ishte e thjeshtë, me disa llokume, pirje kafesh dhe disa dhurata të thjeshta reciproke. Më vonë dërgoheshin edhe shenjat, një rreth, unazë floriri. Rrethi çohej nga të rinjtë në të dyja familjet, por pa u parë njëri me tjetrin çifti i ardhshëm. Edhe këtu kemi dhurata të thjeshta që u jepeshin atyre që çonin shenjën. Kjo fejesë është shoqëruar edhe me praninë e një kleriku katolik ose një hoxhe, në varësi të fesë, i cili bënte lutje dhe bekimin për të vajtur bashkimi i të rinjve në rrugë të mbarë. Burri shpesh nuk e kishte parë ndonjëherë para dasmës nusen e tij. Në vitet ’20-’30 ka pasur edhe ndonjë përjashtim, kur burri e nusja njiheshin që para se të martoheshin.

 

Paja e nuses

Pas fejesës nis faza e bashkimit të çiftit në martesë. Këtu ka pasur zakone të tjera që janë zbatuar në varësi të sferës që njerëzit i takonin. Këto adete ndryshonin mes të varfërve e të pasurve apo mes fshatit e qytetit. Po kështu, të ndryshme nga këta dy të parët i kanë pasur zakonet familjet e mesme. Ata që ishin të pasur janë marrë me përgatitjen e “dhëntisë” së dhëndrit dhe me përgatitjen e pajës së nuses. Skënderi tregon se “me një gjergjef të vogël dore, vajzat që nga koha e fejesës, por edhe vite para saj, janë marrë me përgatitjen e pajës së tyre, duke qëndisur sa më shumë.

Atëherë çdo gjë qëndisej nga dora e nuses. Me vite të tëra vajzat punonin për pajat, madje ka pasur edhe raste plot që janë kthyer edhe në këngë popullore kur këto nuse janë qëruar nga puna e gjatë dhe lodhshme me pajat e tyre. Përgatisnin dhomën e gjumit, qëndisnin të gjitha rrobat e veta, të brendshme e të jashtme etj”. Babai i vajzës interesohej gjithashtu që t’i blinte bijës gjëra të kushtueshme. “Këtu në Shkodër ka qenë karakteristike për familjet e mëdha blerja e gjërave shumë të kushtueshme nga babai për nusen e re, – thotë Skënderi, -rrobës kombëtare i shtohej një lloj veshjeje që vihej në kokë që quhej hilalëk. Ajo ishte shumë e kushtueshme dhe kishte

100 napoleona ari të varura rrotull. Pastaj, përmbi rrobat kombëtare, sipas pasurisë së njerëzve, janë varur ato që quhen dupe, vargje me monedha ari, të cilat shkonin deri në 3 breza. Këto quheshin dupe, pasi ishin zakonisht monedha ari, dukate të Venedikut”. Interesimi kalonte më pas te këpucët e nuses që të ishin të stolisura e të qëndisura. Në pazar të Shkodrës, mjeshtra e rrobaqepës kishin punishtet e tyre dhe merreshin me porosi enkas për këto raste.

Gratë “spiune” brenda dy fiseve

Gjatë kësaj kohe, pra të përgatitjes së fejesës dhe pajës përfundimtare, ka pasur kontakte dhe këto kontakte bëheshin zakonisht me njerëz, sidomos gra që i kanë njohur të dyja palët, të cilat janë përdorur me shku e me ardh për të parë se ç’ka po bën dhëndri, e ç’ka po bën nusja në anën tjetër deri sa të mbaronin krejt përgatitjet.

“Dhëntia”, përfshinte pjesën tjetër të pajës, pasi pas rrobave kombëtare, kanë qenë ato të stilit modern evropian. Ka pasur, veç rrobave të dasmës dhe fustane të përditshme apo këpucë e breza, byzylykë, sahate ari, aromatizues. Pinjolli i familjes 4-shekullore shkodrane, Lohja, tregon në lidhje me këtë se “babai i nuses rëndohet shumë, pasi babai i nuses çon shumë më tepër në shtëpinë e burrit sesa sjell burri”. Ky është dhe ndryshimi mes fshatit dhe qytetit. “Nusja përgatit, veç të tjerash, edhe të gjitha enët e kuzhinës, prej bakri, duke nisur që nga lugët, thikat, tenxheret, xhezvet, tepsitë, dyshekë, jorganë, mbulesa atlasi, perde dritaresh, mineret prej cope të kuqe që kushtonin shumë, shiltet që janë vu nëpër minere, të cilat mbusheshin me lesh etj”. Por sipas Skënderit, ky zakon ndryshon sërish nga një zonë e Shkodrës në tjetrën;

“Në zonat verilindore çdo gjë e paguan dhëndri, edhe pajën e nuses e paguan ai. Nëpërmjet inventarit që i jepte babai i vajzës, dhëndri dërgonte paratë ose i blinte dhe ia niste nuses me njerëz të tjerë. Këto janë zakone fshatare të malësorëve që ndryshonin shumë nga ato qytetaret”, – tregon qytetari i vjetër shkodran.

 

Dasma qytetare

Zakonisht, muaji i preferuar për dasmën është shtatori, pra, stina e vjeshtës. Përveç kohës së mirë, ka të bëjë edhe simbolikisht rritja e prodhimtarisë gjatë vjeshtës. Pra, kjo bëhet që edhe çifti të ketë pjellori të mirë.

Vetëm në ndonjë rast të jashtëzakonshëm mund të bëhet një dasmë jashtë shtator-tetorit, kur lihej data e dasmës. Në dhoma e çardhaqe dhe oborr shtrohen sofrat. Gratë e vajzat, shoqëruar me dajre, këndojnë e kërcejnë, ndërsa burrat, nga ana tjetër, i dëgjojnë. Gratë e burrat qëndronin të ndarë nëpër dhoma. Të gjithë të ftuarit ishin prej një gjaku, pra vetëm të fisit dhe shumë rrallë mund të kishte ndonjë shok a mik siç ndodh dendur në ditët e sotme.

 

320 këngë dhe një javë dasmë

Shtëpitë i prisnin miqtë në çardhaqet e tyre. Dasma festohej me këngë e me valle dhe me mish e me pije. Në anën myslimane, ndryshe nga katolikët, nuk kishte verë dhe raki, por vetëm valle dhe lëngje frutash, sherbet shege dhe ëmbëlsira. Sipas gojëdhënave, ahengu shkodran ka pasur 320 këngë. Pra, rrallë se të binte radha të dëgjoje të njëjtën këngë të përsëritur dy herë në një javë festë. Veglat muzikore kanë qenë violina, sazja, një vegël me tetë tela, si çifteli e madhe dhe gërneta. Këngëtarë kanë qenë një ose dy e shumta, tre burra, kurse më vonë janë futur edhe femrat. Nga ana myslimane kanë marrë edhe valltare femra për të kërcyer në aheng, të cilat vinin nga një lagje romësh në Shkodër dhe e kishin për zanat atë punë. Edhe ana katolike nuk ka pasur shumë ndryshime në dasmë, me përjashtim të ritualeve fetare.

Nusja në shtëpinë e dhëndrit

Nëse sot, kur vjen nusja në shtëpi, njerëzit i bien borive të makinave, në atë kohë përmbi kuaj krismat nuk kishin të sosur. Nusja ulej në fillim në gjerdek, një qoshe e ndarë e dhomës ku qëndronte pa fjalë, ndërkohë që të gjithë vinin e shikonin, duke admiruar bukurinë e saj, që nga të afërm, komshinj e kështu me radhë. Në krah të nuses qëndron një i afërm i saj dhe një i afërm i dhëndrit. Pasi ulet nusja në karrige i çojnë një fëmijë, të cilit ajo i jep një dhuratë, zakonisht një monedhë ari. Këtë fëmijë nusja e merr, duke e përkëdhelur, e ul në prehër dhe e puth në të dyja faqet.

Fëmija duhet të jetë patjetër një djalë. Ndërkaq, Ilvie Lohja tregon “…qysh të martën te burri lidhet dhuntia. Të mërkurën dërgojnë dhuratat te nusja dhe në darkë pihet kafja. Të premten përgatitet nusja dhe të shtunën bëhet dasma në shtëpinë e saj, ndërsa te burri të dielën nis festa. Sa hyn te burri, asaj i vihet një bukë në sqetull, kokën ia shtypin pak nën derë, ashtu siç ma kanë bërë edhe mua, në mënyrë që nusja e re të jetë e urtë e t’i bindet burrit. Dhëndri e gjuan me karamele, lekë, sheqer dhe oriz. Nusja pastaj përulet në gjunjë para portës dhe një çun i vogël i sjell ujë që të lajë duart. Ajo e shpërblen me një monedhë ari. Më tej i vënë në prehër një djalë që ajo të trashëgohet me fëmijë mashkull. Nusja rri në dhomë e s’bën zë. Të paktën më përpara nuset s’kanë folur, kurse tani ec e mbaji (qesh)”.

 

Nata e parë e dasmës

Në Shkodër, natën e parë burri nuk fle me nusen. Nusja fle në një odë tjetër të posaçme, e cila i përgatitet nga shtëpia e burrit për këtë rast. Ndërkaq, dhëndri gjendet mes shakave të shokëve e kushërinjve që e fusin shpesh në lojë. Para se të hyjë, natën e dytë, dhëndri te nusja, hedh një shami para portës dhe të gjithë vërsulen që ta marrin. Ndodh që për të parën herë dhëndri e sheh nusen aty pasi i heq duvakun.

Të nesërmen, pra ditën e tretë, njerëzit e shtëpisë dhe nusja çohen herët në mëngjes. Nusja i ka hequr rrobat kombëtare të dasmës dhe ka vënë rroba të tjera, zakonisht të gjata. Atëherë nusja ulet poshtë, i puth dorën vjehrrit dhe nis u jep dhurata fëmijëve. Njerëzit gëzoheshin dhe festonin edhe më tepër kur nusja dilte e bukur, e mirë. Xha Skënderi kujton: “I mbaj mend ato kohë (vitet ’30, kur kam qenë fëmijë) I kujtoj të gjitha, sepse i kam përjetuar në shtëpinë tonë shumë prej tyre. Kam qenë në martesat e haxhave të mi. Normalisht, këto zakone kanë shkuar duke u liberalizuar deri sot kur dasmat pak ndryshojnë nga njëra-tjetra me përjashtim të këngëve folklorike që këndohen sipas krahinës”.

 

Prishja e martesës

Mund të prishej dasma, megjithëse kjo shumë rrallë ka ndodhur, atëherë kur nusja dilte me defekte e mangësi të mëdha apo të papritura. P.sh. nëse dilte e çalë apo me deformime të ndryshme dhe familja e dhëndrit nuk ishte njoftuar që më parë për këto të meta, atëherë puna arrinte deri aty sa prishej dasma për moskallëzim dhe prerje në besë. Por ndonëse nusja mund të ndahej, për ta bërë këtë gjë nuk ishte e lehtë sepse do të krijohej përplasje mes dy fiseve. Edhe kur në fillim të 1900-ës me ligj është lejuar ndarja, ka qenë tepër e vështirë. Ndërsa ana katolike, nëse dikush ndahej, nuk kishte të drejtë të rimartohej. Kisha nuk e jepte kurorën dy herë dhe njeri nuk të jepte nuse pa shkuar në kishë ku vihej kurora. Këtyre njerëzve që mund të ndaheshin, nëse donin nuse, nuk iu mbetej gjë tjetër veç emigrimit sa më larg asaj zone.

Virgjëria

 

Ta merr mendja që virgjëria kërkohej gjithmonë nga qytetarët për nuset e djemve të tyre apo edhe nga vetë dhëndri shkodran për nusen e tij. Madje dhe sot e kësaj dite është një kriter që më së shumti dominon në kërkesat e djemve për nuset e tyre.

 

Lindja

Nëse lindej djalë, burrat e shtëpisë dilnin në oborr apo çardhak dhe kanë qëlluar me pushkë e kanë bërtitur për lindjen e djalit. Po të lindte vajzë, kuptohet që nuk kishte aq shumë zhurmë. Një shtëpi që ka pas më shumë meshkuj, ka qenë më e fortë, më e integruar dhe është respektuar më tepër.

 

Dasma fshatare shkodrane

Sigurisht që edhe dasma e fshatit do të ishte me mblesëri. Fillimisht, krushqit e dhëndrit shkojnë vizitë te shtëpia e vajzës e më pas vizita rikthehet nga krushqit e nuses. Krushqit e dhëndrit duhet që të shkojnë në numër tek, ndërsa të nuses çift, (një më tepër sesa të dhëndrit). Pas disa kohësh, sipas zakonit, njerëzit e dhëndrit çojnë një shenjë në shtëpinë e nuses së ardhshme. Një unazë, zakonisht, dërgohet në këto raste. Më pas bëhet voda, që është caktimi i datës së martesës nga të dyja palët. “Ne, katolikët, shkojmë në kishë dhe e kryejmë kurorëzimin që dy javë para se të bëhet martesa. Shtëpia e vajzës e bën një ditë para dasmën, zakonisht të shtunën”, thotë Ndrek Gjoni, një nga banorët më të hershëm të fshatit Bërdicë e Madhe në Shkodër.

Dasma në shtëpinë e nuses

Krushqit e djalit, që shkojnë si miq të rinj, duhet të venë në banket një orë me vonesë dhe të çohen e të ikin një orë para. Kur krushqit largohen, nuk bën mirë që babai i dhëndrit të japë lekë, por vetëm sa takon njerëzit, ndërkaq shoqëruesit e tij japin të gjithë lekë. Në ditët tona krushqit e këtij fshati e kanë tarifën 1 000 lekë personat që shkojnë për të uruar dhe 2 000 lekë ato çifte që janë të ftuar për drekë.

Dasmat, në ndryshim nga më parë, bëhen në lokal e jo në shtëpi. Siç thamë edhe më lart e jo vetëm në fshatra, por edhe në qytetin e Shkodrës, krushqit venë një orë me vonesë e ikin një orë para dasmës, një zakon i hershëm ky, i cili gjen zbatim dendur edhe në dasmat e kësaj zone. Krushqve të dhëndrit normalisht u lihet një kënd i veçantë dhe priten me nderimet e rastit. Aty ngrihen e vallëzojnë sipas zakonit vetëm krushqit e shtëpisë, ndërsa ana e dhëndrit nuk lejohet të ngrihet në vallëzim. Të tjerët që janë rrotull duhet të darovitin me radhë çiftin që ngrihet të kërcejë.

Djali me vajzën kërcen vazhdimisht në dasmën e nuses. Sipas traditës, babai i nuses ngrihet i pari ndër ata që darovitin dhe ia ngjit pas ballit nuses një shuk me lekë. Më tej dasmorët e tjerë, sipas qejfit, por edhe xhepit, vazhdojnë të hedhin lekë për kërcimin e çiftit.

 

Nga nusja te dhëndri

Zakoni i vajtjes një orë me vonesë dhe daljes një orë para mbarimit të darkës festive për dasmorët vlen edhe për krushqit e nuses që shkojnë në banketin e dhëndrit të gjithë bashkë dhe largohen po së bashku.

 

Nata e parë, me nusen flenë të tjerët

Pasi bëhet dasma te nusja, natën tjetër ceremonia zhvillohet edhe në përmasa më të mëdha në shtëpinë e dhëndrit. Një e veçantë është fakti se pasi festa mbyllet për nusen atë natë, ajo nuk fle me dhëndrin, por me një djalë tjetër. Sipas zakonit, ky fëmijë i vogël që fle me nusen duhet të jetë mashkull e jo femër, rreth 8 vjeç. Kjo bëhet me qëllim që nusja të lindë djalë.

 

Tabuja e ndarjes dhe virgjëria

Ndarja nga bashkëshorti nuk lejohet në asnjë rast tjetër përveç kur ka shkelje të kurorës. Pavarësisht nëse merret vesh çifti, sëmuret a jo etj., ndarja nuk lejohet. Të paktën ata që janë katolikë, kisha nuk i kurorëzon për së dyti. Gjithashtu, domosdoshmëri tjetër për një femër që do të bëhet nuse është virgjëria. Pasi në rast se ajo e ka prishur atë jashtë kurorës, sërish nuk pranohet prej dhëndrit vetëm në rast se vajza i ka treguar atij më parë për këtë gjë dhe të dy e kanë pranuar pavarësisht bashkimin. Gjithsesi, sigurisht që kjo është relative dhe nuk vlen për të gjithë fshatarët shkodranë, pasi ka të bëjë me besimin, formimin e personit, kulturën, mentalitetin…

 

Burimi : Shekulli