Deputetja Rudina Hajdari është përballur me një situatë të pazakontë sot gjatë një aktiviteti në Shkodër. Gjatë fjalës së saj një i ri e ndërpreu deputeten duke folur nga mezi i të pranishmëve.

”A e njeh Azem Hajdarin? Ai ka luftuar për demokracinë, ti je duke kthyer komunizmin. Ti je shtojcë e Edi Ramës, je një turp” ishin disa nga fjalët e të riut që e lanë pothuajse pa fjalë deputeten.

Ajo reagoi më pas në një dalje për mediat duke e konsideruar këtë episod si një incident i cili nuk e shqetëson shumë.

“Sot jam te shkolla “Shejnaze Juka” për të festuar ditën e hapjes së kësaj shkolle, 26 shtatorin, po ashtu u takuam edhe me mësuesit dhe nxënësit.

Incidente ka gjithë andej, por kjo nuk na shqetëson fare ne i përballim shumë mirë, u kënaqëm shumë me nxënësit. Por infrastruktura e shkollës është shumë e dobët, cilësia e arsimit ka rënë shumë dhe mendoj se problematika kryesore është kjo. Duhet të bëhet më shumë për cilësinë e mësimit dhe infrastrukturën për të ndihmuar studentët tanë që të përgatiten për një të ardhme më të mirë. Nuk duhet t’i mbyllim

dhe braktisim shkollat. Shkollat në 9-vjeçare janë 13 mijë nxënës më pak pasi emigrimi është rritur shumë dhe kjo është për të ardhur keq. Me largimin e shqiptarëve duke e braktisur edhe arsimin e shikojmë më të dobët. Ne duhet të bëjmë akoma më shumë për arsimin, duhet të rrisim buxhetin.

Qeveria nuk e ka plotësuar premtimin se buxheti duhet të jetë 5% tani është 3.1%. Qeveria nuk ka vëmendje ndaj arsimit. Do të shkoj të shikoj shkollën “Azem Hajdari”, pasi ka rrezik të mbyllet. Të hënën do të jemi në parlament për të folur për këto probleme” tha Rudina Hajdari. /Opinion.al