Dokumenti që po publikojmë në këtë kapitull të librit i përket datës 9 shtator të vitit 1973 dhe është një raport-informacion që mban nënshkrimin e Andon Rrudha, dërguar Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që asokohe por dhe më pas mbulonte Artin, Kulturën dhe propagandën e partisë.

 

Nga sa shihet në fund të këtij raport-informacioni, ai është shtypyr në pesë kopje, gjë e cila më shumë gjasa (nisur kjo nga praktika e punës mbi të cilën rëndom funksiononte aparati i Komitetiit Qëndror të PPSH-së), i është dërguar edhe funksionarëve të tjerë më të lartë, si; Manush Myftiut, Mehmet Shehut dhe deri Enver Hoxhës?! (Por kjo mbetet për t’u parë, pasi këto letra të supozuara, nuk ndodhen të paktën në këtë dosje prej nga ka dalë ky dokument).Ky supozim vjen edhe për faktin që data e këtij dokumenti përkon me kulmin e fushatës së spastrimeve që kishte ndërrmarrë dhe inicuar personalisht Enver Hoxha, ndaj njerëzve të Artit e Kulturës, duke filluar nga Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Dashnor Mamaqi, Mantho Bala etj.

 

Gjë e cila e pati zanafillën direkt pas Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, ku pjesa më e madhe e dokumenteve të asaj periudhë kohe, janë parë dhe kanë firmën e Enverit dhe Ramizit, apo dhe shënime përkatëse të tyre. Ashtu siç do të shohim më poshtë dokumentin përkatës, Andon Rrudha (instrukor i Komitetit të Partisë së Rajonit që mbulonte Kombinatin Tekstilit “Stalin”), ka informuar në rrugë partie eprorët e tij më të lartë, lidhur me një dramë që regjizori i famshëm i atyre viteve, Kujtim Spahivogli, (i diplomuar në Moskë në vitin 1956), po përgatiste të vinte në skenën e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”.

 

Dhe tema të cilën ai kishte përzgjedhur, por si për koeçidencë i ishte kërkuar edhe nga Osman Laze, drejtori i Klubit të Kulturës së Kombinatit të Tekstileve “Stalin” në Tiranë, merrte spunto nga jeta e vajzave dhe grave të atij kombinati të madh, ku ishin sistemuar me punë me qindra e qindra të tilla, që nga fillimi i viteve ’50-të kur ai filloi prodhimin. Dhe siç dihet dhe është e njohur tashmë nga ata që kanë pasur rastin të punonin në atë kombinat dhe gjithashtu brezi që ka jetuar në atë kohë, një pjesë e atyre punonjësve gra dhe vajza të reja, kanë qenë të përfolura për jetën e tyre, që siç thuhej: “binte ndesh me normat e moralit komunist”.

 

Kjo gjë duket që nuk i ka shpëtuar regjizorit të famshëm Kujtim Spahivogli, që atë realitet të dhimbshëm, ta gdhëntëte në art, duke e pasqyruar në atë dramë, që çuditërisht ai e kishte pagëzuar edhe te titulli i saj “Kurvat e Kombinatit”?! Por që natyrisht ajo dramë nuk është aprovuar nga autoritetet partiake përkatëse dhe nuk është vënë kurrsesi në skenë. Ajo që të habit më shumë, apo më saktë pjesa më interesante, nuk është titulli i dramës, (që gjithsesi ka qenë një guxim i tepruar i Spahivoglit, për të mos thënë lajthitje e tij), se sa qëndrimi që ai mban në atë vepër?! Ku në fund të saj, jepet monologu i personazhit kryesor, Lumtos, që i tregon plakës së shtëpisë ku ishte strehuar, për historinë e një vajze, e cila kishte pasur një fund të keq, pasi kishte shkuar të punonte në kombinat, pa lejen e prindërve.

 

Dhe kjo gjë duket që nuk i ka shpëtuar as përpiluesit të raport-informacionit, i cili me të drejtë shprehet se: “Autori bën një lloj proteste, po kundër kujt”?! Duke lënë të kutohet qartë se ajo protëstë është kundër partisë, e cila iu bënte thirrje grave dhe vajzave që të vinin dhe të punonin në atë kombinat. Nuk dihet me saktësi se sa ka ndikuar ky raport-informacion në goditjen e mëvonëshme që iu bë Spahivoglit, (nga ajo periudhë ai u dërgua si punëtor me lopatë në Ndërrmarrjen e Ndërtimeve të Fierit, ku jetoi në kushte të vështira jetese deri sa ndërroi jetë në vitin 1987), pasi mbi dokumentin që disponojmë nuk ka shënime nga “shokët e udhëheqjes”, siç ndodhte rëndom në të tilla raste?! Por fakti që është marrë në analizë prej tyre, nuk lë shkas për hamëndësime. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të publikuara në këtë libër, edhe ky botohet i plotë ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse.

 

MBI NJE DRAME TE KUJTIM SPAHIVOGLIT PARAQITUR NE KLUBIN E KULTURES TE KOMBINATIT TEKSTILEVE “STALIN”

 

Bashkë me shokun Idriz morrëm takim me shoqen Eftimi Lito dhe drejtorin e Klubit të Kulturës shokun Osman Laze për çështjen e një drame që Kujtim Spahivogli i ka paraqitur këtij institucioni. Shoku Osman Laze, si drejtor i Klubit të Kulturës, i ka klërkuar Kujtimit një dramë ku të paraqitej figura e gruas tekstiliste të Kombinatit. Kujtimi i është përgjigjur kërkesës dhe i ka thënë se për një vepër të tillë, unë po punoj dhe e kam titulluar “Kurvat e Kombinatit”.

 

Shoku Osman i ka thënë se me këtë titull nuk ta pranoj në asnjë mënyrë. Mbas një koje Kujtimi e ka dorzuar dramën me titull “Hapat e para, dhimbjet e fundit”. Pjesa është diskutuar nga shokët e Këshillit Artistik të Klubit dhe nuk është aprovuar. E cilëson si një vepër që nuk i përgjigjet realitetit dhe poshtëron figurën e gruas.

 

Ne e lexuam këtë dramë dhe me të vërtetë përmbajtja të revolton. Sido që titulli është ndryshuar, përmbajtja mbetet po ajo. Po japim shkurtimisht disa gjëra:

 

Pesë personazhe (shoqe), paraqiten në dramë si femra të degjeneruara, të dezilizionuara në jetë, pijenece, të pacipta, të braktisura nga një e më shumë dashnorë. Jeta në konvikt e këtyre shoqeve paraqitet e ulët dhe poshtëruese. Nga goja e këtyre vajzave të reja që kanë lënë familjet e tyre dhe kanë ardhur në Kombinat, del një fjalor i çthurur që të dhimbsen për jetën ku janë katandisur. Ato kanë rënë pas alkolit, pas librave të verdha, pas dashurisë së çthurrur, janë bërë viktima të matrapazëve dhe për gjëndjen e tyre shpirtërore nuk kujdeset njeri. Vetkuptohet se këtu kemi të bëjme me një vetështrembërim flagrant të realitetit tonë socialist. Lumta, një nga personazhet kryesore që ka dështuar në dashuri, përfundon me Demon, me të cilin kanë dhe një fëmi. Duke mos i rezituar opinionit përbuzës në Kombinat,

 

Demo e bind Lumton të largohet nga Kombinati, ata enden pa streh nëpër Tiranë, pa punë, në një gjëndje të vështirë ekonomike. Një plakë i strehon për mëshirë. Por edhe këtu çiftin e ndjekin fatekeqësitë e thashethemet. Gjithnjë nën motivin si “vajzë e Kombinatit”, matrapazët i vërsulen. Demo, i shoqi, përfundon vetë si matrapaz. Lumto çoroditet. Në tërë këto peripecira ajo mbtetet fill e vetme. Nuk di ku të ankohet, ku ta qajë hallin. Opinioni i shëndoshë, forca e partisë nuk duket gjëkundi. I vetmi personazh disi i ftohtë del Iliri, biri i plakës, ku këta janë strehuar por ky nuk është deçiziv. Kështu Lumto ndjek një rrugë fataliste, krejt individuale, karakteristike kjo për vëndet kapitaliste e revizioniste. Nga fundi, autori na jep monologun e Lumtos drejtuar plakës ku i thotë: për historinë e një vajze, e cila duke mos dëgjuar prindërit, ju përgjigj thirrjes së Partisë dhe erdhi në Kombinat, por këtu atë e ndoqën fatkeqësitë. Mesa duket, autori këtu bën një lloj proteste, por kundër kujt?!

 

Nga fundi autori e këthen Lumton në konvikt, midis vajzave dhe shoqeve të saja ku pak më parë në aktin e pestë gjendja na jepet e pandryshuar.

 

Duhet thënë se, sido që kjo dramë nuk u vu në skenë, shokët e Kombinatit duhet të kishin mbajtur qëndrim duke bërë një diskutim masiv.

 

Andon Rrudha

7/9/973 (firma)

Koncep. A Rrudha

Dakt. Z. Tola