PËRJETËSISHT Vaçe ! Shtatore ikonës së këngës shqiptare

Qytetit të saj, së shpejti do t’i shtohet shtatorja e artistes së madhe të muzikës së lehtë dhe asaj të përpunuar shqiptare:

këngëtares që i dha shpirtin e madh e fisnik, përmes zërit unik, kësaj muzike, Vaçe Zela. Vepra e punuar nga skulptori Muntaz Dhrami, do të zërë vend në “Sheshin e qytetarëve”, e konceptuar si një vlerë e shtuar për vendlindjen e këngëtares. Vaçja do të jetë sërish pranë admiruesvë, me kitarën e saj në duar – projekti është miratuar një vit më parë, nga Bashkia e Lushnje.

Vaçe Zela lindi në vitin 1939, në buzë të kënetës së Tërbufit, në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe, për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në liceun artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë, në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, asokohe vetëm 17 vjeçe.

Ky ishte ballafaqimi i saj i parë, me skenën ndërkombëtare. Kështu, dale-ngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë, ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961, zunë fill edhe pjesëmarrjet në Estradën e Ushtarit.

Vaçe Zela, që në vitin 1962, ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte, atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgimi, vijojnë të mbeten gurë shndritës në gjerdanin e traditës shqiptare të këngës.

Nga këtu, nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio, në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio- Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare, me 10 çmime të para.

Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj e dëgjojmë tek filmi “Në shtëpinë tonë”. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Gjithashtu, ajo mbante edhe titullin “Artiste e Popullit”.

Në karrierën e saj, ajo numëron rreth 55 këngë, nga vitet ’60 e deri në festivalin e fundit në RTSH. Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962, në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj. Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj.

Ajo u largua nga skena në vitin 1990. Vaçe Zela u lind në Lushnje, më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë të skenës shqiptare. /Konica.al

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...