Vaçe Zela (7 prill 1939, Lushnjë – 6 shkurt 2014, Bazel) ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare [1]. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26

dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar

përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: „Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Foto arkive, te kengetares Vace Zela “Nderi i Kombit”, e cila u nda nga jeta ne moshen 75 vjecare, pas nje semundje te rende ne Basel te Zvicres.

Parashqevi Simaku u lind në Kavajë më 1 shtator 1966. Dhe më pas u shpërngul në Durrës.

Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitorë të talentuar.

Këndoi në shumë festivale edhe Koncerte të Pranverës. Më 1985 (Festivali i 24-të i Këngës në RTSH) zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë”, gjithashtu më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Repertori i saj përfshin një numër të madh interpretimesh. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marrë edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerrë një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në Shqipëri ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.

Për t’u përmendur janë dhe videoklipe këngësh:

Konga Qomiles
Fustanin që ta solla mbrëmë
Ky marak, maraku i shkretë
Gëzimi i shtëpisë së re (1983)
Me sytë e tu

Bashkëmoshatareve
E duam lumturinë (1988) fituese
Dëgjoma këngën (1991)
Se dashuria
2 Këngë Popullore të Shqipërisë së Mesme

Anita Bitri u lind në Sarandë, më 8 janar 1968 në një familje intelektuale. Të gjithë admironin tiparet e bukura dhe të ëmbla të kësaj fëmije engjëllor. Edhe pse ishte në kopësht, ajo këndonte dhe recitonte pa pushim. Që në atë moshë dinte shumë poezi të njohura dhe imitonte shumë këngë të festivaleve. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e saj në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës, ku paraqitet si valltare në rolin e “bletës punëtore”. Interpretimi i talentuar i Anitës tërhoqi vëmendjen e pjesëtarëve të jurisë, të cilët e vlerësuan si kërcimtaren dhe këngëtaren më të mirë të këtij Festivali.

Prej moshës 8–14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionierëve të rrethit të Vlorës, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi. Për t’u përmendur janë këngët e kënduara prej saj “Kukulla ime”,”Agimi dhe fshesa” etj…. Ishte një fëmijë ëndërrimtar dhe shumë e apasionuar pas muzikës dhe këngës. Këngëtarja

Vaçe Zela ishte idhulli i saj dhe ëndërronte të bëhej si ajo, një këngëtare e famshme. Talenti i saj i veçantë për muzikën tërhoqi vëmendjen e profesorit të violinës, zotit Robert Papavrami, i cili u mahnit nga veshi muzikor i kësaj fëmije në konkursin që u zhvillua për pranimin e elementëve të rinj për klasën e parë të shkollës së muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë. Për të parën herë profesori i madh u ndesh me një talent të tillë të dhuruar nga natyra.

Bitri, sipas profesorit, ishte një nga rastet e rralla që kishte 99% talent të dhuruar nga Zoti dhe i duhej vetëm 1% punë për t’u bërë gjeni në violinë. Intuita e profesorit nuk gaboi; Do të duhej vetëm një vit pune që Robert Papavrami dhe Bitri të dilnin para spektatorit vlonjat në një duet me violinë, duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz.

Vitet e shkollës fillore dhe tetëvjeçare u karakterizuan nga një pjekuri e lartë artistike në drejtim të violinës, por Bitri ishte edhe një nxënëse e mirë edhe në disiplinat e tjera. Kishte një pasion të veçantë për sportin, veçanërisht i pëlqenin ushtrimet gjimnastikore dhe lojrat me dorë (basketboll dhe volejboll) dhe në këtë fushë shfaqej si një sportiste e lindur.

Në vitet e shkollës së mesme Bitri filloi të studionte fshehurazi dhe të besonte në ekzistencën e Zotit dhe t’i bindej verbërisht Atij. Të gjithë habiteshin me bindjet e saj fetare, të ndaluara për atë kohë. Pa asnjë druajtje shprehej që dhuntitë e saj ishin dhuratë e Zotit dhe çdo gjë e shikonte në këndvështrimin e tij. Në shkollën e mesme të muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë ku ajo vazhdoi studimet, karakterizohej si një nxënëse shembullore, veçanërisht në violinë, që ishte edhe instrumenti për të cilën studionte. Pasioni i fëmijërisë, kënga, ia kishte lënë vendin violinës dhe solfezhit.

Në vitet 1980-1986 prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”, mirëpo duke u rritur pasioni për këngën po e thërriste, gjë të cilën Bitri filloi ta demostronte te shokët e klasës dhe profesorët e kantos. Të gjithë kuptuan se përveçse një violiniste e talentuar, ajo kishte edhe një zë të jashtëzakonshëm. “Një zë i ëmbël e njëkohësisht i rrallë”, e cilësuan profesorët e saj. Prezantimi i

Anitës si këngëtare ishte thjesht një rastësi e përgatitur nga Zoti. Gjatë një koncerti ku ajo merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtaret u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zëvendësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i mahnitshëm i saj. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme artistike, që ka vetëm një protagoniste: Të madhen dhe të paharruarën ANITA BITRI.

Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio

Tiranës për këtë këngë, vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito” kompozuar nga Aleksandër Vezuli me tekst të Alqi Boshnjakut në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio

Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në dashuri”, “Abrakadabra” etj. Në këto vite triumfi Bitri pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas ajo korr një sukses të jashtëzakonshëm në shkallë kombëtare me koncertet e saj recitale të titulluara “Anita”.

Në çdo vit që kalonte, Anita shihej si një rrezik i madh për marrjen e çmimeve, sepse nga kënga në këngë, nga viti në vit, konfirmohej si një këngëtare pa të cilën festivali nuk kishte kuptim.

E gjitha kjo nuk u arrit veçse nga talenti i saj i padiskutueshëm, mënyra se si e interpretonte këngën, luku plot shije dhe mbi të gjitha, për faktin se ajo pati guximin të fusë elementët e rinj bashkëkohorë dhe shumë modernë për kohën. Te këngëtarja Anita Bitri gjendet gjithçka që Zoti i ka dhuruar një artisti.

Krahas këngës Anita nuk la pas dore dhe studimet, ishte vullneti dhe dëshira e saj që bënë të mundur vazhdimin e studimeve të shkollës së lartë në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku në vitin 1989 diplomohet si mësuese kantoje. Profesionin e mësueses e ushtroi vetëm për pak muaj, pasi ajo që e thërriste ishte kënga. Zoti i kishte caktuar një mision, të lumturonte popullin e vet me zërin e saj magjik.

Koncertet recitale “Anita”, që u zhvilluan me një sukses të madh në çdo cep të Atdheut, bën që Anita të fitonte një popullaritet të jashtëzakonshëm në çdo qytet të Shqipërisë. Pas një shfaqjeje të suksesshme në Tropojë, iu bë ftesa për të shkuar në SHBA. Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar”.

Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë i pandalshëm dhe gjithmonë në rritje. Ajo ka qenë përherë e lidhur me problemet e Diasporës Shqiptare dhe ka ndihmuar shumë në rritjen e prestigjit të artit shqiptar.

Anita ishte jo vetëm një artiste e talentuar, por gjithashtu dhe një patriote e flaktë. Vlen për t’u përmendur pjesëmarrja e saj në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë. Në këtë kontekst është për t’u theksuar koncerti i bamirësisë që u zhvillua në 10 prill 2000 për mbledhjen e ndihmave për fëmijët e varfër të Shqipërisë. Për këtë koncert Anita meritoi lavdërimet dhe respektin e Presidentit të Shqipërisë, zotit Meidani, për kontributin e dhënë dhe gjatë interpretimit të disa këngëve u shoqërua nga vetë gruaja e Presidentit. Ajo ishte njëkohësisht dhe një anëtare aktive e Organizatës së Gruas Shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi”.

Anita e shikonte pjesëmarrjen në koncertet e ndryshme të komunitetit si dhe ato bamirëse si vazhdimësi të rrugës së saj artistike. Në këtë mënyrë, talentin dhe zërin e mrekullueshëm ia dedikoi tërësisht çështjes shqiptare. /Naishtedikur.info : A. Shehi