Shqiptarët kanë një shprehje “Vetëm mos u bëfsh për spital” por më shumë se sa sëmundjes, ua kanë frikën ambienteve të spitalit, kushteve, mungesës së paisjeve dhe barnave, shërbimit, sjelljes, komunikimit dhe sigurisht mjekëve dhe infermierëve.

 

Këtë i mërmërita edhe unë vetes natën që përfundova në urgjencën e QSUT-së, e trembur dhe me paragjykimin e rrënjosur tek ne për shërbimin e shëndetësisë ne vend.

 

Por ndryshe mga shumë të tjerë, unë pata fatin të përfundoja në duart e infermierit Elson Jaçaj. Më shumë se profesionalizmi i tij në ndërhyrjen së cilës iu nënshtrova, më bëri përshtypje komunikimi. Me të parë sa e frikësuar isha, ai jo vetëm pati durimin të më shpjegonte gjithçka në detaje dhe të më qetësonte por arriti të më bënte të dilja nga salla e operacionit shumë e ç’tensionuar me anë të komunikimit shumë njerëzor, babaxhan dhe plot respekt. Pas ndërhyrjes ai ishte gjithmonë aty për të ndjekur rekuperimin, madje edhe kur nuk ishte turni i tij, prishte rehatinë e shtëpisë për të ardhur në spital. Për të puna nuk ishte e kufizuar tek turni dhe rroga e shtetit por tek mirëqënia e pacientit. Nuk ishte nga ata që i ishin futur mjekësisë për tu pasuruar por për pasionin, empatinë, për të kontribuar në cilësinë e jetës së të sëmurit. (A nuk duhet të jetë kjo arsyeja e të gjithëve për tu bërë mjek?)

 

Elson Jaçaj
Kur përfundon në duart e mjekëve dhe infermierëve, sidomos në raste urgjence, pacienti do donte ta shihte mjekun si Zot tek i cili beson për të hequr dhimbjet, për të gjetur shërimin. Në Shqipëri shpeshherë mjeku nuk të lejon ta shohësh me atë respekt sepse edhe kur mund të jenë të zotë në punë, ndonjëherë u mungon durimi, komunikimi ose akoma më keq humanizmi ose shtyhen nga grykësia për të fituar para.

 

3 vite pas ndërhyrjes sime në QSUT, mu desh të përfundoja sërish aty. Pa dashur aspak të përbalt figurën e mjekëve të tjerë që punojnë fort dhe me sakrifica por herën e dytë nuk pata fatin të gjeja të njëjtin trajtim. Për shkak të sëmundjes, vizitat e mia në spital u bënë më të shpeshta por mjekët me të cilët ndihesha e sigurt ishin më të rrallë. Para ndërhyrjes sime të dytë, këmbëngula për infermier Elsonin por mësova se nuk punonte më aty pasi kishte organizuar një protestë për kushtet dhe pagat e infermierëve. Tani ai punon ne Emergency Response Albania dhe si pedagog në një universitet privat, shpresoj duke transmetuar parimet e tij tek brezi i ri i të diplomuarve.

 

Eksperienca ime e parë me infermier Elsonin më riktheu besimin tek mjekësia shqiptare por kjo e dyta më bëri ta humb sërish.

 

Do doja të thoja që humbja ishte e tyre që nuk kanë më në staf një person aq të aftë dhe human por në të vërtet humbja është e jona, e pacientëve! Për çdo mjek dhe infermier të mirë që largohet nga puna, për çdo mjek dhe infermier të mirë që zgjedh të emigrojë, ne humbim shpresën për shërim, cilësinë e shëndetit, sigurinë e fëmijëve, prindërve dhe të dashurve tanë…