Punimet për transformimin e Shirokës po vijojnë me intesitet, pas shumë dekadash mungesë investimesh.

 

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka thënë se projekti transformues i qendrës së Shirokës, do të pasohet nga projekti i madh i një ndërhyrjeje tërësore, me rindërtimin e rrugës e të infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve, si edhe ndërtimin e “Lungolagos”, shëtitores përgjatë vijës liqenore nga Shiroka deri në Zogaj. “Ky projekt transformues i qendrës së Shirokës, do të pasohet nga projekti i madh i një ndërhyrjeje tërësore, me rindërtimin e rrugës e të infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve, si edhe ndërtimin e “Lungolagos”,

 

shëtitores përgjatë vijës liqenore nga Shiroka deri ne Zogaj, një potencial deri më sot krejt i fjetur dhe i jashtëzakonshëm i zhvillimit turistik të Shkodrës”, -tha Rama. Në Shirokë të Shkodrës punimet kanë nisur në korrik të 2018. 3 miliardë lekë janë akorduar nga Qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për t’i dhënë një tjetër imazh kësaj pike turistike mjaft të frekuentuar nga shkodranët, por edhe turistët vendas e të huaj. Ndërhyrja prek një sipërfaqe prej 20 mijë metër/katror shesh. Pas punimeve në kanalizimet nëntokësore, sheshi do të vishet me gurë e dru, do të vendoset ndriçimi, gjelbërimi dhe sinjalistika përkatëse.

 

Qendra do të ketë një imazh ndryshe ku nuk do të mungojnë edhe elementët artistikë që lidhen me peshkimin, traditën e zonës, apo sheshet e qëndrimit. I pagëzuar ndryshe si projekti “Lungo-lago”, ai synon që ashtu siç ndodhi me transformimin e Vlorës, të bëhet edhe me Shirokën. Impakt tejet pozitiv parashikohet të japë edhe rikthimi i lundrimit në liqen si dhe hapja e pikës kufitare të Zogaj-Skje, që afron më shumë Shqipërinë me Malin e Zi.

 

Programi i “Rilindjes Urbane” ka bërë që shumë qytete të dalin nga “korniza” e tyre e vjetër dhe të transformohen rrënjësisht, duke u kthyer në atraksione turistike si dhe duke krijuar një impakt pozitiv në ekonominë e vendit. Shiroka është emri i një fshati, sot lagje e qytetit të Shkodrës, në bregun jugperëndimor të Liqenit të Shkodrës.