Po ikin nanat, t’lumnuemet ata, nalt, kah erdhën, bekue shpirti i shenjt

Po ikin nanat, të gjitha

Nga Albert Vataj

Palojnë duart si shenjtoret n’ikon, të dlirta i gatiten shndrrimit,
përvujshëm na shohin, përvajshëm epen, dergjen,
gozhdue n’kryqin e Golgotës së Krishtit,
për fajet tona e faljet e tyne, hyjnohen, luten
e njashtu t’përuluna fashiten, t’hyjshme n’altar ngjiten.

N’hijeshin piklluse prej mermeri, kridhen n’mort nanat,
dorzan prehjes e krisjeve gjimuese t’qiellit, lshohen tretun krejt,
pluskojnë n’syt që prushen perëndimesh, ikjesh, lotësh,
n’heshtjen e fjalëve qi kafshon grahma, dridhen,
vibrojnë si melodi jehonash, ku vdekja zaligun kujis.

Se m’brrime shkulmin e fundit të shpirtit t’tyne,
s’deshtëm se dreshtëm,
ndalëm kohën, dhimbja na përmbyti dhe lotët,
s’patëm duar me pritun arratin e brigjeve, n’syt e tyne,
s’mujtëm me duru dhimbje, ndamjen,
ma shum’ se ata kurrkush s’na deshti, andshmë, etshëm.

U shuhen sytë e dritat, fryma u ndalon,
u fiken buzëqeshjet,
u shterrin shkëlqimet, jo hiret.
Ngrysun natave e hijeve, ikja vjen e i merr,
njiherash me arin e prekjeve e argjendin e thinjave
ata nepen t’urta e zapakuna, si t’tana dhimbjeve, prore.

Buza u thahet n’ballin tonë, ky thyhen dallgët,
zemra u dridhet n’vesën e agimeve t’trishta.
Fjalët e tyne t’pathna, pikluen amësht plagve t’hutimit ton,
psherëtimat e drojshme, dihamët,
i akorduan n’ernat, qi na rrahën gjoksin, e turrin ndalin.

Në ne, yje ndez gjaku i tyne, tamëlti i zemrës.
N’sy, u përpushet loti, n’shpirt, kujat murohen.
Kjajnë zashëm e dhëmbin heshtun, prajshëm,
si pylli kur i nep stuhisë pemë për djepe,
e rrufeja, dhunshëm i’a shkyen krahët pemëve, për kryqe e qivure.

Po shuhen nji e nga nji nanat, shkëndit e gazmendeve,
tançka pati pikue për ne nga qielli i tyne, po shterret,
paket me krojet qi buza u çahet edit,
synin e ujtun, pikllimi u’a picrron,
britma e dhimbja jonë, n’caqe e tyne qiellin dergj.

I nalti izëm, la bekue t’epërmet vullnete, shpirtdhimshmet nana.
Duarmylmyemet e shpirtamlat, po fiken t’tana,
po sosen, fryme e ajri, mishi e zjarmi, po ikin e lenë,

t’shterrun vajesh e përmbytun varrësh,
ndër ne t’ue mbetun, pikllim e mall i kallun.

N’ikjen e tyne prej eteri, nanat,
marrin ç’patën ndezun me gjak, e t’papramen dashni;
zemrën, buzët, gjinin, prehnin, fjalën,
lan veç rrënojat qi mëkovi ligsh ndamja, dhimbja.

T’lumet ata,
na, t’bekum prej t’shenjtit shpirtit t’tyne,
ikin ngarku me rënkimin e gjamshëm të dheut,
e copat e thërmueme t’shpirtit.
Ikin tue mbetun n’çaste kujtimesh, e prekjesh
ledhatimesh t’ndezun, amëlcimi e trazimesh.

Kafshuan lotin e buzët, n’syt tan prej kthjellimi,
u puthëm faqet e duart, me droje e afsh,
zemrat u’a plasëm plot herë, s’u ankuan,
n’faljen e tyne, lame hijet e mrrylta t’pendesës.
Kjam si fmija, e u strukena drojet, n’prehnin, gjoksin e tyne,
edhe s’fundi, si s’pari her, dritëm, e u bam me krah.
S’patën tamël për etjen tonë, andrrat, dëshirimet,
na mëkuan… zemrën e tyne.

Ikni t’lumnuemet nana, nalt, kah erdhët,
bekue shpirti i shenjt, kjoft n’ju,
shndrrue n’dritë e bardhësi, fikja juej e trisht.
Ikni, ikni tue lan n’gjoksin ton’, zemrat tueja,
n’syt e qiellit, duart e prekjet, prehjet.
Shkoni nana, kah drita pan e lan,
ikni nji e nga nji, me radhë, n’dhimbje e n’mall,
heshtun e prajshëm si një vyshkje.
Ikni me lamtumirën ton t’dlir, pa hir e dëshir.

S’ka vdekje qi merr t’gjallët e nanave,
ata, tan jetën e tyne, vdesin e ringjallen,
hypin në kryqe, e prej qiellit zbresin,
nanën i blatohen shenjtnive, n’altar, naltojn t’hyjshme.

Ikja i thërret ata, me zanin e ngjirun të tërrit,
pahen t’bardha si valë tue ik, brigjeve,
kah drita vërshon, e paqja e Hyjit i pret.
Fryma u këputet, njat’her kur na rriten krahët,
syni u shterret, kur dehna fluturimesh,e kërdisim luftnave,
zemra u çahet n’krahnor e buza n’puthje u pëlcet,
lumejt e duarve u dridhen, kur shtërzejnë detet.

Anduni hireve të t’amlave nana, t’lulue n’thinja,
bardhue n’petalet e shikimeve e prekjeve,
zashueme, si epja, heshtja dhe pritja.
Numronin hapat tonë, e gjëmimin e pulsit të tyne,
bajn vesh, kun nata hesht, tinzisht si vorri,
e terri thonj mpreh vetëtimave,
erë bahen, e shtyjnë retë dhe velat,
hanës gji, prej gjoksit t’tyne i kungojnë,
me dritë dhe copa shpirti, na vijnë përmbas,
kah udha na çon, e rendja shtegtue, larg na tret.

Nanat ikin, tue na lan jetim,
mbesim strukun n’kujtime, e n’dhimbje
si dikur, frigue n’prehnin e tyne,
mbledhun kruspull drojet, e hokash,
dëshirimeve, dimnash t’cergët e natash t’ligshta.

Nji e nga nji po ikin t’tana nana,
s’kem ma, ku t’mbështesim kryet as pendimet,
e zemrën ku ta lam paqtue, e syt e qiejve t’krisun,
dhimbje s’ka me pas për dhimbjet tona, qi njaq fort dhimbin.

Te pragu, s’ka ma kush na pret, e na përcjell,
s’ka sy qi na vijnë përmbas, e fjalë qi na napin turr,
s’ka ma as altar për gjunjëzimet tona, as falje,
veç mungim ka, lot e përmallje.

Ikin nana t’tana, e n’qiell dritin, shkrepin,
shkëndijn n’sy qi pahena, feksin etjesh, zjarren.
Çdo yll asht nji nan’, n’qiellin dorzan hutimeve,
prushin n’llamburitje, natat tona t’dhimbjeve,
vezullojnë n’eter nanat, t’lumet ata,
n’shkëndija e tyne derdhena, epena, prehena.

Nanat, qi mbeten ende frymue, ndër ne,
shendin dëshirimeve e andrrave, ku hutueshëm hepojm.
Larg syve ton e tinëz zemrës të tyne, gatiten për ikjen,
mbledhin thërrimet e fajeve e copat e shpirtit,
natat err e terr, dhembjet e gjoksit e trazimet e shëndetit,
i mshehin, n’syt që u shuhen, e duart qi n’frym u nderen,

nepen mbarue udhe, e prarue qielli.

Po ikin nanat, s’bashku me ta na ndahet zemra e tyne në ne,
i përcjellim n’rrugën qi lajm me lot e shtrojmë me dihamë,
n’lamtumirë pahena e ndahena më ta, s’fundi herë,
tue u’a puthun duart e prekun ballin, n’nji grusht dhé therrmohena.
T’tana po ikin nji e nga nji, e shuhen si frymët,
n’pritjen e përjetsisë,

atje kur blatimi yn n’statuja drite i shndrron.

Ikën nanat, tue na lan shpague, pa m’kat e faj,
n’kambanat e lutjeve tona, bekimin e tyne,
tue lan fli, n’njat shpirt shëlbye, qi diti veç me fal,
tue lan shenjtnue, ç’ka patën t’shtrenjt,
hyjnue, ç’ka shuguruen nanën, qi naltuem n’pengjet tona.

Po ikin nanat, të gjitha, nji e nga nji,
tue gjet ma shumë qiell, për dritën me shndrit.
tue lan pafund diell n’shpirtin tonë
gaca gazmimi e prush, n’prehnin e andrrimeve.

Ikja merr tançka lan bulue e harlisun në ne,
t’lidhun n’shpërgenj amsie, dertesh e brengash.
Borxhe na u kthyen mundet e tyne, shpag devotshmënie.
Në ç’do dhimbje e diham, ikja e tyne na hap plag,
ç’do idhnim e zemërplasje, zashëm bzan, n’cegëm na trand.

Qielli noton n’yje, e n’syt lotue, sonte si përnatë,
na pikojnë drit n’bebza, e andrra n’shpit na çilin,
nanat qi ma nuk jan n’ajrin e flatrimive tona.
Dita n’ag na sheh me dritë prej dielli,
hovi, me ves, n’ball na puth, n’shpirt na eshk.

Po ikin nanat, nji e nga nji, pakohen detet e tkurret qielli.
Ikja e tyne asht sosja e gjanave t’shtrenjta qi patëm,

shterrimi i prushit n’duart e tyne i than degët, i pak kangët
thyen gurin e themelit të t’shenjtes, që bame faltore,
por, mësum me u lut e me besu me tan zemër,
ndoshta ngase, asht zemra e tyne, qi n’gjokset tona lyp përulje.
Naltue kjoshi n’shejtnin tuje nanat tona, t’amla e t’andërrtat,
e gjithmonshmja u baft krah drite n’amshimin tuej,
shpirti qi na e lat peng, shpërblye kjoft,
ikja qi merr ju, ikanake kjoft me kohën që bjen prehje.

Nana, ikni tue na lan dorzan nji jete t’amësht n’and.
Ikni tue mbetun… njajo dhimbje qi s’pati tjetër emën, veç Nan’.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...