Vijon bashkëpunimi i Interpol Tirana me homologët për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre.

Ekstradohet nga Italia, një prej të shpallurve në kërkim gjatë mega operacionit të koduar “One If – By Land”, në kuadër të goditjes së kontrabandimit të personave me qëllim emigrimin drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Nga specialistët e Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga Milano/Itali i shtetasit shqiptar E. S., 27 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të vendimit penal të vitit 2018, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Gjatë periudhës 2016-2017, shtetasi i lartpërmendur në bashkëpunim me persona te tjerë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ka kryer kontrabandim të shtetasve shqiptare drejt SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë, me karta identiteti të falsifikuara, kundrejt pagesës deri në 25000 dollarë.