Fejesa dhe martesa te shqiptarët gjer më vitin 1929, kur hyri në fuqi kodi civil i shtetit shqiptar të Zogut, si dhe marrëdhëniet familjare nuk trajtoheshin me ndonjë kod civil të veçantë, por sipas përkatësive fetare të palëve, traditave të vendit, etj..

Klerikët katolikë kanë përdorur format më të ndryshme, sidomos Kanunin, kundër personave të përkatësisë fetare katolike që i martonin vajzat e tyre me muslimanë. Me urdhrin e kishës, kush martonte ndonjë vajzë për musliman, lëçitej nga shoqëria dhe nuk i lejohej kujt që as për gëzim e as për dëshpërim të hyjë në shtëpinë e tij.

Po ashtu, këtyre iu privohej çdo e drejtë në ceremonitë fetare. Dënimi më ekstrem sipas kanunit të tyre, ishte që të largohet nga shtëpia, t’i digjet ajo, t’i priten pemët dhe t’i konfiskohet pasuria.

Këto norma manipuloheshin sipas dëshirës së udhëheqësve fetarë, që ishin edhe përpilues të mirëfilltë të këtyre dispozitave, dhe gjatë korrespondencave që mbanin klerikët me ipeshkvin përkatës raportohej gjendja dhe merreshin vendime-udhëzime në zbatim të direktivave.

Megjithatë, format e martesës në trevat shqiptare ndryshonin sipas krahinave, traditave dhe besimeve. Rol të rëndësishëm në historinë e popullatës shqiptare përveç parimeve kishtare luante edhe Kanuni i Lek Dukagjinit që shpeshherë konfrontohej me ligjet kishtare, edhe pse në esencë edhe ky Kanun buron nga kisha.

Ç’është kanuni i Lek Dukagjinit

Shprehja kanun është fjalë greke e cila në këtë rast metaforikisht shënon stilin e ligjeve gojëdhënës të pa kodifikuara sipas të cilave ecte dikur hullia e jetës dhe e veprimit të popullit shqiptar.

Pse quhet Kanuni i Lek Dukagjinit ? Qysh në fillim të potencojmë se për t’i dhënë përgjigje të saktë kësaj pyetje është vështirë, ngase mungojnë argumentet, por historianët dhe juristët i gjejmë të ndarë në dy mendime, e që janë:

Mendimi i parë: Një grup dijetarësh në krye me Dr. Milan Sufflay thonë se, quhet Kanuni i Lek Dukagjinit ngase atë e ka mbledhë dhe e ka kodifikuar Lek Dukagjini i III (1459 – 1479).

Mendimi i dytë: Dukagjini në kohën e kaluar gjeografikisht përfshinte Shalë e Shosh, Pukë e Ikballe, Mirditën, Zhupën, Malësinë e Lezhës, dhe nga ky motiv një grup dijetarësh e quajnë kanuni i Lek Dukagjinit sepse zbatohej në këto treva e jo pse atë e ka mbledhur Lekë Dukagjini i III. Pra, quhej Lek Dukagjini sepse zbatohej në Lekë e Dukagjin.

Sido që të jetë, për Kanunin në fjalë, nënkuptojmë se dikur ka pasur vlerë juridike, që do të thotë se ka qenë ligj i detyrueshëm, kurse tash thuajse ka mbetur vetëm si traditë.

Ligje të tilla edhe sot e kësaj dite reflektohen nëpër popullatën tonë pa e marrë parasysh pasojat e tyre.

Fejesa dhe martesa sipas ligjeve të Kanunit të Lek Dukagjinit

a). Përcaktimi dhe mënyra e martesës.

Përcaktimi për martesë sipas Kanunit të Lek Dukagjinit përshkruhet me këto fjalë:

Neni 28:

“Me u martue sipas kanunit do me thanë me u ba shpi, me ia shtue shpis nji rob ma tepër sa për krah të punëve e sa për t`i shtu fmit.”

Sipas këtij neni, përcaktimi për martesë, konkretisht për krijim familje, në radhë të parë, konsiderohet krijim i një tërësie të vogël ekonomike e cila ka edhe funksionin e saj biologjik.

Duke pasur parasysh shprehjet e përdorura nga vetë neni i lartpërmendur nënkuptojmë se femra konsiderohet një lloj robëreshe, e cila nuk ka të drejtë të vendosë për shumë çështje që kanë të bëjnë me jetën personale të saj.

Kurse sipas parimeve Islame përcaktimi për martesë do të thotë përcaktim për të plotësuar gjysmën e fesë së mbetur. Martesa në Islam konsiderohet akt i shenjtë dhe i moralshëm e human që njeriu me të të plotësojë nevojat biopsikologjike, fizike, shpirtërore dhe materiale.

Të përcaktohesh për martesë në Islam do të thotë të përcaktohesh për petkun e çiltërsisë i cili e mbron njeriun nga anomalitë e shumta të kësaj jete, dhe për të padyshim shpërblehet te Krijuesi i tij.

Sipas Kanunit të Lek Dukagjinit, në popull ekzistojnë katër mënyra të martesës e që janë:

1.- Martesa me kurorë,

2.- Martesa pa kurorë,

3.- Martesa me grabitje,

4.- Martesa në provë.

Në Kanun është e pranuar vetëm martesa e llojit të parë, kurse tri mënyrat e fundit të martesës janë jashtë Kanunit. Tërë këtë e përfshin neni 29 i Kanunit të Lek Dukagjinit.

b). Prerogativa – e drejta e djalit dhe e vajzës për martesë.

Rregullat mbi martesën dhe jetën bashkëshortore në Kanun janë patriarkale. Prandaj djali dhe vajza deri sa t’i kenë gjallë prindërit nuk kanë të drejtë kurrsesi të vendosin apo të flasin për fatin e martesës së tyre.

Djali derisa t’i ketë prindërit gjallë nuk ka të drejtë të përzihet fare as në përcaktimin e shkuesit, as në petka, as në shenjë. Tërë këtë të drejtë e posedon prindi i tij, e nëse nuk i ka të gjallë prindërit, atëherë i jepet e drejta në këto çështje. Ja se si e përshkruan Kanuni në nenin 30 tërë këtë që e thamë më sipër.

Neni 30.

“Djali ka tager (të drejtë) me mendue për martesë të vet po s’pat prindër.

Djali sa t’i ketë prindërit s’ka tager:

a) me mendue për martesë të vet,

b) me shenjue shkuesin,

c) m’u përzie në fejesë të vet,

d) as në shenj, as në petka, as në këpucë, as në të prem fejet”.

Fati i vajzës sipas Kanunit është edhe më i vështirë, ngase asaj i merret çdo e drejtë për martesën e saj, pa marrë parasysh se a i ka apo nuk i ka prindërit të gjallë. Fati i saj nuk bie në dorën e saj por në dorën e vëllezërve dhe kushërinjve të saj, etj. Ja se si e përshkruan neni 31 në Kanun këtë çështje:

Neni 31.

“Vajza s’ka tager (të drejtë):

a) me e zgjedhë fatin e vet, por ajo do të shkojë për atë që e fejojnë me dëshirë apo pa dëshirë.

b) m’u përzie në shkuesinë e në fejesë,

c) as në këpucë e as në petka.”

Sipas parimeve Islame e drejta e fejesës dhe martesës kryesisht u takon dy partnerëve të ardhshëm, që do të thotë djalit dhe vajzës. E drejta e tyre është që ta japin apo mos ta japin pëlqimin për martesë, dhe në këtë rast në Islam nuk vjen në shprehje kurrfarë imponimi apo dhune. Është obligim i prindërve apo i kujdestarit që patjetër të marrin pëlqimin e djalit dhe vajzës.

Sipas Kanunit, të drejtë për vendosjen e fatit të tyre kanë vetëm burri dhe gruaja e vejë. Burri i vejë ka të drejtë të vendosë për fatin e vet sipas ligjit, edhe pse kjo sipas traditës nuk është mirë. Kurse gruaja, po ashtu, ka të drejtë të vendosë për këtë martesë, të flasë për martesën e saj, ta shohë bashkëshortin dhe të caktojë “vadën” dhe shkuesin.

Sa i përket gruas dhe burrit të vejë, sipas ligjeve Islame ata posedojnë të drejtën maksimale për martesën e tyre.

Në Kanun për martesën e fëmijëve kujdeset babai, prandaj ai kur t’i bëhet djali apo vajza për martesë, gjen një njeri i cili do të ndërmjetësojë mes tij dhe të atit të vajzës (respektivisht djalit). Ky person quhet shkues.

Shkuesi për këtë punë, sipas Kanunit, shpërblehet me 50 grosh sa për të blerë një palë këpucë. Shkuesi ka të drejtë të përzihet në çdo punë ndërmjet prindit të djalit dhe atij të vajzës.

Nëse pajtohen prindërit e vajzës atëherë do të kryhet ceremonia rreth fejesës, pa marrë parasysh pëlqimin e vajzës dhe djalit.

Fejesa

Fejesa sipas Kanunit të Lekës, bëhet me ndërmjetësimin e shkuesit. Për të qenë fejesa e vlefshme sipas Kanunit, duhen plotësuar këto rregulla:

a) të mos jetë gjak e gjini,

b) të mos jenë të një fisi,

c) të mos jetë e një fisi të djalit që do ta zë, – fejojë,

d) të mos jetë grua e lëshuar,

e) të mos ketë kumari: në të peshuar në derë të kishës, në kunorë, në të marrun të flokëve dhe të mos jetë vëllaznue me gjak të pimë.

Sipas Kanunit të Lekës, fejesa dhe martesa me ndalimet e lartpërmendura mund të zgjatë edhe katërqind breza. Nëse dikush gabon kundër këtyre ndalimeve, fisi i vet ka të drejtë ta ndëshkojë me dënime rigoroze, madje edhe ta përzë prej shtëpisë dhe t’ia djegë shtëpinë.

Ajo që mund të vërehet nga ky nen është fejesa ekzogame dhe ajo sipas kumbarisë. Që të dy këto alinea, jo vetëm që janë të pabaza, por janë edhe shumë të dëmshme në shoqërinë tonë.

Bile shumë njerëz, duke mos patur njohuri për prejardhjen e këtyre ligjeve, kanë akuzuar dhe kanë menduar se këto janë rregulla fetare Islame. E vërteta është se Islami jo vetëm që nuk i pranon si rregulla të vetat, por edhe i lufton këto definime. Kumbaria është një zakon shumë i vjetër i cili paraqet një lloj institucioni dhe është ruajtur në këtë Kanun tradicional, e s’ka asgjë të përbashkët me Islamin.

Kumaria e flokëve është kur fëmija, qoftë djalë apo vajzë, mbush një vit, atëherë thirret dikush që të bëjë qethjen e parë të fëmijës, apo vetëm pak t’ja presë flokët. Për të qethur djalin ftohet burrë, kurse për vajzën një femër. Personi i tillë quhet nun. Nuni duhet patjetër të jetë nga një tjetër fis. Tërë kjo ceremoni kryhet sipas një rregulli të caktuar dhe bëhet gazmend.

Me atë rast sjellët një enë me ujë në të cilën nuni do të hedhë një pare të argjendtë. Qethja kryhet me gërshërë. Pasi të ketë kryer këtë punë nuni prek tri herë ballin e djalit me gërshërë duke thënë: “Me shëndet e jetë të gjatë”. Pas kësaj jepen dhuratat.

Në qoftë se fëmija vdes para qethjes së parë, ai nuk varroset, por ftohet nuni dhe e qeth atë të vdekur e pastaj varroset. Në këtë mënyrë, mes nunit dhe familjes së fëmijës së vdekur krijohet një lloj miqësie dhe nuk lejohet martesa mes tyre. Pa nunin nuk mund të bëhet as varrimi, ndërsa për gëzimet as që diskutohet.

Një dukuri e tillë edhe pse jo pikërisht kështu siç u cek, ende gjendet nëpër shumë vende tona të banuara me muslimanë, e edhe më e keqja është se ata mendojnë se ajo është traditë Islame. Një gjë të tillë Islami e hedh poshtë dhe e ndalon rreptësishtë.

Pastaj, dukuria tjetër sipas Kanunit të Lekës është edhe vëllazërimi përmes pirjes së gjakut, me ç‘rast në mes tyre nuk lejohet martesa. Po ashtu, është edhe kumbaria e Shën Gjonit, kumbaria e pagëzimit dhe e kurorëzimit. S’do mend se të gjitha këto dukuri bijnë ndesh me Islamin.

Nëse vajza e gjen burrin pa shkues, ajo nuk ka të drejtë të vishet me petkat e nusërisë për shkak se ajo martesë konsiderohet jashtë kanunore. Pasi që të bëhet pajtimi i të dy palëve për fejesë, atëherë dhëndri jep një unazë të argjendtë apo ari dhe dhjetë grosh sipas Kanunit.

Këto nuk kthehen kurrë për të gjallë. Kësaj unaze sipas kanunit i thuhet shenjë. Derisa të jetë vajza e fejuar ndër unazë, i ati i saj është kompetent për ruajtjen e moralit të saj, sepse po ndjeu dhëndri diçka keq për të fejuarën, atëherë, sipas Kanunit të Lekës, ka të drejtë të kërkojë një gjak nga i ati i saj.

Djali posedon të drejtën e lëshimit të vajzës kur të dëshirojë, kurse vajza nuk posedon këtë të drejtë. Mirëpo në këtë rast djali nuk ka të drejtë të kërkojë unazën e as të hollat që ia ka dërguar vajzës. Për tërë këtë ai duhet të informojë shkuesin që të shkojë te familja e vajzës e t’ju tregojë se është e lëshuar dhe e lirë të martohet diku tjetër.