Një prej mënyrave për të mësuar gjithçka, jo vetëm në Instagram, është të shohësh çfarë punon në të vërtetë për ata që kanë sukses në jetën e tyre, me çdo gjë që bëjnë. Në kohën tonë, një llogari në Instagram është një biznes më vete, që ndiqet masivisht, tërheq njerëz të panumërt anekënd botës dhe me “jetën” e Instagramit i bën njerëzit të bëhen “klientët” e tu të vërtetë – sidomos në kohë të egra biznesi si tonat :).

 

Edhe personazhet e njohur shqiptarë nuk mbeten pas kësaj filozofie, por mes tyre ka të ndjekur, ka të ndjekur masivisht, por ka edhe shumë të ndjekur, të cilët “pëlqimet” i kanë me mijëra në vetëm pak minuta pas postimit të një imazhi. Nëse ai thotë edhe ca detaje më shumë, edhe “pëlqimet” janë më shumë. Nëse ai ka edhe gjendje brenda, emocione, atëherë “pëlqimet” bëhen të pakontrolluara, por edhe komentet po ashtu.

 

Gjatë viteve të fundit, edhe VIP-at shqiptarë e kanë kuptuar filozofinë e një profili të suksesshëm në Instagram (ok, të kuptohemi, pa klikuar në Google për të parë si arrihet kjo). Nuk është e vështirë për të kuptuar sa i suksesshëm është një personazh në Instagram, mjafton të shohësh çfarë bën, si punon që është i suksesshëm.

 

Sekreti për të mbajtur gjallë audiencën, siç shpjegojnë ekspertët, është ta mbash atë “të lidhur” pas teje, që do të thotë se ata do të vazhdojnë të të ndjekin nëse u flet, por nuk ua thua të gjitha (e kuptuat tani pse sillet Arbana kështu?)

 

Në fakt, pa e zgjatur, nëse hyn në Instagramin e Arbana Osmanit, do të mësosh 5 strategji autentike, reale, që ia kanë krijuar tashmë reputacionin moderatores së njohur dhe kaq mjafton për të kuptuar filozofinë e të qenit i suksesshëm në këtë punë – që përkthehet në më shumë ndjekës e më shumë të ardhura në fund të ditës.

 

Fillojmë?

 

1. Poston vazhdimisht

Nëse do të flisnim për rreth një viti më parë, kjo mund të kishte nevojë për diskutim, por sot për sot jo. Arbana e ka kuptuar filozofinë se për të mbajtur gjallë audiencën, duhet të jesh koherente me të, sepse kështu krijon marrëdhënie më të fortë dhe vazhdon të rritësh numrin e ndjekësve çdo ditë. DUHET të postosh vazhdimisht dhe Arbana e bën këtë. Numri i postimeve ditore mund të ndryshojë, por për shumicën, NJË postim në ditë është normë.

Për Arbanën gjatë këtij sezoni veror ne kemi mësuar ku ndohet, çfarë po bën, me kë është etj. Shumë ndjekës të Instagramit preferojnë shumëllojshmëri fotosh, por Arbana nuk e tepron. Është e vërtetë që udhëtimi në “feed” është interesant, por jo kur shikon dhjetëra foto nga i njëjti profil. Madje, pas postimit të fotos së dytë brenda një dite, e para ndalon pëlqimet ose edhe komentet.

 

 

2. Përdor fotografi me cilësi të lartë

Ah, këto fotot e Arbana Osmanit! Ju e dini, është dorë artisti ajo pas saj. Siç dihet, Instagrami është gjithçka që flet me foto. Në dallim nga platformat e tjera sociale, si Twitter ose Facebook, përmbajtja amtare e Instagramit është fotografia dhe kjo është pikërisht ajo që përdoruesit duan më shumë nga ai. Dhe pasi ke thënë këtë, është absolutisht e rëndësishme që llogaria të jetë e mbushur me imazhe me cilësi të lartë. Arbana duket shumë e kujdesshme në këtë drejtim. Nëse ajo del me flokë të shprishur, nuk ka asnjë problem, por fotoja ka përmbajtje, është e pastër dhe, mbi të gjitha, cilësi shumë të mirë.

Sigurisht, ne nuk kemi të gjithë fotografë pas vetes dhe nuk është është kjo arsyeja e vetme për të pasur një llogari të suksesshme, veçse duhet fiksuar një herë e mirë – imazhe origjinale.

 

3. Shkruan statuse e çaste të personalizuara

Ky është një koncept, për të cilin, në fakt, të gjithë janë të vetëdijshëm. E vërteta është që të gjitha llogaritë e suksesshme në Instagram e luajnë vazhdimisht “lojën” e mesazheve universale, e atyre që japin mesazhe për jetën, për stilin e të jetuarit, por kjo mund të mos jetë gjithmonë mënyra e duhur. Më shumë se kaq, Arbana e bën profilin e saj më të thjeshtë, rrëfen vazhdimisht gjëra të cilat asaj i ndodhin gjatë ditës. Sigurisht, gjatë sezonit të DUA, ajo i dha fokusin kryesor edhe në Instagram programit të njohur, por pa harruar të zbulojë edhe çaste të tjera më personale, të cilat e mbajnë gjithmonë gjallë audiencën.

Ofrimi i vlerave në formën e një këshille, me të vërtetë, mund të ndihmojë për të rritur besimin apo mund të japë kurajë, por bëhet i lodhshëm për pjesën e atyre ndjekësve që duan të ndjekin Arbanën sepse pëlqejnë Arbanën, duan të dinë se çfarë bën ajo dhe jo aq për vlerat që mund të promovojë ajo.

 

 

Nëse i hidhni një sy faqeve që ndiqni në Instagram, shanset nuk janë vetëm që ndiqni ata që ju pëlqejnë fizikisht, por edhe sepse ndjeni një lloj lidhjeje me ta. Kjo lidhje, pavarësisht nëse e vini re shpesh apo jo, krijohet vetëm atëherë kur kupton se “ajo mendon si ty”, vepron si ty (i ka edhe flokët e çrregullt si ty). Detajet e jetës personale janë një “magnet” i sigurt për ndjekësit në Instagram (histori prapa fotografive, emocione që ke ndjerë dikur, ndonjë sfidë aktuale apo e shkuar). Audienca ka nevojë për të parë anën reale, autentike, sepse kjo e bën atë të krijojë një lidhje të mirëfilltë me personazhin.

 

4. Ka gjithmonë një strategji

Shumica prej nesh postojnë foto në mënyrë të rastësishme, zgjedhin rastësisht një hashtag për çdo imazh, por pa e ditur në të vërtetë se ku shkon me llogarinë e tij. Edhe Arbana e bën këtë, me siguri. Por ndryshe nga ne të tjerët, ajo e di, e parashikon çfarë do të ndodhë pas fotos që ka postuar, sepse ka një strategji. Është prania e saj që siguron më shumë lidhje me rrjetin dhe me suksesin që pret. Duke përdorur kohën më të mirë të ditës, foton kur dielli është në kupë të qiellit, kohën kur të gjithë miqtë janë në internet, një hashtag që rrit më shumë ndjekësit e inkurajon audiencën, si edhe shumë faktorë të tjerë të këtij lloji, bën që të kesh pas vetes më shumë miq virtualë dhe më shumë ‘thirrje për veprime’.

 

5. Nuk harron të buzëqeshë

Sepse e di që kjo është arma e saj më e fortë. Numërohen me gishtat e njërës dorë fotot ku Arbana s’është me dhëmbët jashtë. Sido që të jetë dita, sido që të jenë ndjekësit, sido që t’i kenë hallet, nëse hyjnë në Instagram e shohin njerëz të buzëqeshur, zor t’i mbajnë buzët të shtrënguara. Arbana e di këtë. Dhe e bën gjithmonë. Na bën mirë edhe ne të gjithëve….

Pesë “çelësat” mund të mos jenë vetëm kaq. Për Arbanën a personazhe të tjerë që na bëjnë për vete me profilet e tyre. Por llogaria e saj është e bukur dhe këtë të gjithë e pranojmë apo jo?

Hajde tani, të shikojmë çfarë mund të bëjmë me llogaritë tona monotone?