Vala e të nxehtit afrikan po dominon në territorin shqiptar edhe gjatë ditëve të para të muajit gusht. Fundjava që lamë pas dhe dita e sotme shënuan kulmin e temperaturave më të larta të verës, plot 41.6 gradë celcius. Ndonëse pritet një normalizim i motit gjatë ditëve në vijim.

 

“Tre valë të nxehti kemi pasur gjatë kësaj vere dhe kjo është e fundit. Parashikohet të marr fund ditën e mërkurë ku pritet të ketë vranësira dhe shira në territorin shqiptar sidomos gjatë pjesës së dytë të së mërkurës duke sjellë edhe rënie të temperaturave me të paktën 4 gradë celcius. Duke bërë që 15 ditëshin e dytë të gushtit vlerat termike të luhaten në 33 gradë afër vlerave normale klimaterike të muajit që ne ndodhemi”, thotë metereologe Adiola Bani, për ‘Tch’.

 

Për shkak të temperaturave të larta rrugët e Tiranës i gjen të boshatisura. Të shumtë janë njerëzit që kanë zgjedhur të shkojnë drejt plazheve për t’i shpëtuar disi të nxehtit apo të qëndrojnë brenda shtëpive për t’u ruajtur nga rrezet e forta të diellit, sidomos në orar të drekës.

 

Megjithatë, disa të tjerë duhet të shkojnë në punë edhe në këto ditë të nxehta vere.

Teksa qershori dhe korriku u vlerësuan si muajt më të nxehtë në Europë gjatë viteve të fundit, nuk vlen e njëjta gjë për Shqipërisë, pasi ka parë ditë vere me temperatura më të larta në të kaluarën.

 

“Nuk është vera më e nxehtë për territorin shqiptar, pasi 2015 ka shënuar edhe 43 gradë celcius, por për Europën po është vera më e nxehtë”, thotë Bani./tch/