Ademi e vendosur: ”Nuk dorëzohem”

Kryetarja ende në detyrë e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka rrëfyer në një intervistë se cili do të jetë hapi i radhës për të mos lejuar uzurpimin e bashkisë së Shkodrës nga kryebashkiaku i zgjedhur prej votimit të 30 qershorit. Për gazetën ”Shekulli”, Ademi tregoi rrugët që do të ndjekin për të çuar më tej kauzën për mbrojtjen e ligjshmërisë në vend.

 

Znj.Ademi, çfarë parashikoni se do të ndodhë me Bashkinë e Shkodrës? A do të jeni e gatshme që të lini postin për kandidatin e majtë?

Bashkia e Shkodrës është e qytetarëve të saj, u ka shërbyer, u shërben dhe do t’u shërbejë atyre, ashtu siç këto katër vite. Unë jam çdo ditë në punë, në ndjekje nga afër investimeve që bashkia po realizon vetëm me fondet e veta se për qeverinë, Shkodra ka gjashtë vite që nuk ekziston. Takoj njerëzit, flas me ta, diskutojmë për shqetësimet e tyre së bashku, por edhe kënaqemi me realizimin e investimeve që shkojnë direkt në përmirësimin e jetës së banorëve në territor. Kemi bërë mjaft, por shumë më tepër duhet të bëjmë sepse banorët e bashkisë Shkodër meritojnë më tepër, sepse falë tyre, kontributit të tyre me taksat vendore, ia kanë dalë të ndryshojnë mjaft realitetin e komuniteteve ku jetojnë. Pozicioni që unë mbaj prej katër vitesh, është rezultat i votës së shkodranëve në 2015-ën. Unë do të vazhdoj të respektoj vullnetin e tyre deri në momentin që shkodranët, me votën e tyre të lirë, të fshehtë, gjithëpërfshirëse dhe të gjithë pranuar, do të vendosin. Dhuna dhe uzurpimi i vullnetit në Shkodër janë të papranueshme. E reagimi në këtë qytet është në forma të ndryshme. Enver Hoxha është përpjekur pa fund ta shtypë këtë qytet, e nuk ia ka dalë. Shkodranët kanë vuajtur shumë. Ata e dinë çfarë do të thotë monizëm dhe kriminalitet në pushtet.

Si i komentoni zhvillimet e fundit në bazë të së cilës në disa bashki të vendit janë përdorur forcat e policisë për të liruar zyrat?

E kam përmendur shpesh këto kohë, por po e ripërsëris: Të gjitha institucionet shtetërore, por edhe ato “të pavarura”, janë në shërbim të vetëm një personi: Kryeministrit uzurpator Edi Rama dhe sëmundjes tashmë të njohur të tij për pushtet, për të gllabëruar çdo gjë në këtë vend. Nga një kryeministër uzurpator, mund të presësh vetëm pushtim, në kuptimin e plotë të fjalës. Këto ditë, pushtimin e qeverisjes vendore, autonomia e të cilit është e garantuar dhe e paprekshme sipas kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare të firmosura nga Shqipëria. Janë të gjitha akte kriminale që kanë si burim “frymëzimi” shefin e “Cosa Nostra”-s qeveritare. Por të mos harrojnë, qoftë punonjësit e policisë që mbështesin paligjshmërinë apo edhe të tjerë “ushtarë” besnikë të regjimit, shumë shpejt do të duhet të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre. Veç kësaj, ata do të braktisen edhe nga shefi i tyre uzurpator Edi Rama, ashtu siç ka ndodhur edhe në të shkuarën në raste të ngjashme.

Cili do të jetë aksioni juaj i radhës për të mbrojtur legjitimitetin e mandatit tuaj dhe a do të kërkoni një koordinim më opozitën për të filluar një aksion opozitar?

Unë vazhdoj të besoj se ligji dhe zbatimi i ligjit mund t’i japë zgjidhje situatës anormale të krijuar në Shqipëri. Kam ndjekur vetëm rrugën institucionale, në të njëjtën linjë me atë çfarë kanë shprehur edhe kancelaritë ndërkombëtare. Si kryetare e Shoqatës së Bashkive kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese ankimin për “30 qershorin”. Tani kemi gati dhe do të depozitojmë një tjetër ankim në Gjykatën Kushtetuese për paligjshmërinë e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor në shpërndarjen e mandateve të këshillave bashkiakë. Shkelja e Kolegjit është flagrante dhe nuk ka nevojë për shumë njohuri juridike për ta kuptuar. Mjafton të lexosh Kodin Zgjedhor dhe ta respektosh atë. Kolegji ka marrë kompetenca që nuk i takojnë dhe këto kompetenca janë funksion vetëm i KQZ-së. Vendimet e marra nga Kolegji për shpërndarjen e mandateve të këshillave bashkiakë në 61 bashki, janë të gjithë në shkelje të Kodit Zgjedhor, e si të tilla, ata janë të pavlefshëm. Mjafton t’i referoheni vetëm dy neneve, atij 21 dhe 158 të Kodit Zgjedhor dhe do ta kuptoni shkeljen flagrante të ligjit nga kjo gjykatë për zgjedhjet. Opozita e ka nisur prej kohësh aksionin e saj, i cili vazhdon edhe gjatë këtyre ditëve të gushtit. Kryetari Basha vijon bashkëbisedimet dhe denoncimet e aferave korruptive të narkoqeverisë, merr mbështetjen e qytetarëve cep më cep të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, në zbatim të Dekretit të Presidentit, partitë opozitare dërguan kërkesat zyrtare për regjistrim për zgjedhjet e 13 tetorit. Katër komisionerët “komisarë politikë” në KQZ, nuk e morën mundimin as të mblidheshin, pavarësisht mbledhjes së thirrur nga kryetari. Edhe ata, si zgjatim i qeverisë, vazhdojnë të zhyten në shkelje të ligjit, paligjshmëri totale, e një ditë, do të duhet të përgjigjen për të gjitha këto para drejtësisë.

Ademi: 30 qershorin e përcakton vetëm Gjykata Kushtetuese

Cili ishte objekti i bisedës midis jush dhe Kreut të Prezencës së OSBE në Shqipëri, Bernd Boschard, para tre ditësh?

Në fakt, unë e kam bërë publike atë çfarë është diskutuar. Gjatë takimit që zgjati rreth 2 orë, janë diskutuar tema të aktualitetit politik në vend, problematikat e gjetjet e raportit paraprak te OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit, kërkesa e paraqitur ne Gjykatë Kushtetuese nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë si dhe për situatën që ka pasuar votimin e 30 qershorit. Me frikën dhe pritshmërinë e shprehur nga vetë ambasadori për “fshirjen” e administratës dhe të punonjësve të shërbimit, veprim që pritet të ndodhë nga kryetarët e partisë socialiste nëpër Bashki, duke i nxjerrë ata nga puna në kundërshtim me ligjin, Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ka përzgjedhur Bashkinë e Shkodrës ndër 61 bashkitë në vend për mbështetjen ligjore, me qëllim sigurimin e qëndrueshmërisë së administratës publike vendore. Sigurisht që Bashkia e Shkodrës mirëpret çdo projekt mbështetjeje, pavarësisht se në këtë rast, në realitet, nuk do të ndryshojë pritshmëria dhe frika e shprehur nga vetë ambasadori. Specialistët do të nxirren jashtë nga sistemi, pavarësisht se gëzojnë statusin e nëpunësit në shërbimin civil, e pavarësisht se kanë kontrata të rregullta pune. Ashtu sikurse diskutuam me ambasadorin, ky projekt edhe në këtë rast do të prodhojë vetëm fakte për paligjshmërinë, por nuk do të mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e kryetarëve socialistë, kjo është një çështje e shqiptarëve dhe duhet të jenë vetë ata që do ta zgjidhin padrejtësinë që u bëhet përmes gjykatës e duke u bazuar në ligjin shqiptar!

A ka një presion nga ana e faktorit ndërkombëtar që të pranohet rezultati i zgjedhjeve të 30 qershorit?

Unë kam pasur mjaft takime me përfaqësues të faktorit ndërkombëtar, siç i quani ju. Jo vetëm në këto takime, por vazhdimisht ndërkombëtarët e kanë thënë qartë e shkoqur: Legjitimitetin e “30 qershorit”, mund ta përcaktojë vetëm gjykata kushtetuese. Ajo që unë kam konstatuar në takimet me ambasadorë, është shqetësimi që ata kanë për situatën anormale në këtë vend. Sepse sot, të gjithë biem dakord se situata që po kalon vendi nuk është aspak normale. Presion për rikthimin në një situatë normale, të funksionimit të institucioneve, të qeverisjes vendore, faktori ndërkombëtar ka bërë, bën e do të bëjë deri në momentin kur të arrihen standardet. Ato standarde të munguara deri tani, që na kanë lënë jashtë dyerve të Bashkimit Evropian prej dekadash e që rrezikojmë që e njëjta situatë të përsëritet edhe me 18 tetor.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...