Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh drejtuesve politikë të Partisë Socialiste ku thekson se profili i administratorëve duhet të jetë profil shërbëtori i komunitetit dhe se nuk duhet të ketë batakçinj e feudalë partish nëpër bashki.

 

Duke paralajmëruar drejtuesit politikë, Rama shprehet se nuk ka për të pranuar kandidatura që dredhin zinxhir vetëm sepse marrin vota. Gazetarja e Report TV Klesiana Omeri ka siguruar kërkesën ku ndër të tjera, kryeministri shprehet se duhet bërë gjithçka që PS të fitojë për Shqipërinë në zgjedhjet e 2021.

 

Kryeministri ka kërkuar që drejtorët aktualë në bashkitë e djathta mos të cenohen deri në mbledhjen në fund të gushtit, por të përpilohet raport për ta, duke filluar nga formimi profesional, niveli i militantizmit, lidhjet nepotike dhe niveli i punës së tyre konkrete në bashki. Ai ka kërkuar që në çdo bashki duhet të ketë medoemos një nënkryetare grua, një kusht ky për të gjitha bashkitë, qofshin të majta apo të djathta.

 

Ky mesazh vjen përpara mbledhjes së Këshillit Drejtues të Partisë Socialiste në fund të muajit gusht.

“Në mbledhjen e KD në fund të gushtit, duhet të sillni propozimet për stafin politik, dmth nënkryetarët dhe administratorët (minimumi dy propozime). Një nënkryetar duhet të jetë medoemos grua dhe kjo vlen edhe për bashkitë e majta – kush s’e ka do ta gjejë e ta vendose!

 

Profili i administratoreve duhet të jetë profil sherbetori i komunitetit, jo profile të fortësh, injorantësh, batakçinjsh, feudalesh partiake! Zgjedhja e tyre duhet të mirëpritet jo thjesht nga partia e zonës, po nga komuniteti i zonës dhe më mirë të mërzitet partia se sa komuniteti! Mbajeni parasysh që nuk kam për të pranuar kandidatura nga ato tipiket që dredhin zinxhir se medemek marrin vota! Mos kemi llafe për këtë ju lutem.

 

Po ashtu një raport për drejtorët aktuale në bashkitë e djathta, formimi profesional, niveli i militantizmit, lidhjet nepotike dhe niveli i punës së tyre konkrete në bashki. Po ashtu, një listë propozimesh (minimumi dy për një vend) për zëvendësues eventuale, mundësisht të konsultuar paraprakisht me deputetët, asnjë levizje deri ate dite!

 

Njëkohësisht, secili të përgatisë edhe një raportim të përmbledhur të situatës, nevojave, problemeve kryesore. Këto për momentin. Datën dhe një axhendë të plotë të takimit do ta merrni nga Sekretari për koordinimin e Këshillave Drejtues të Rajoneve, Ilir Beqja. Kalofshi sa me mire! Edhe një merak paraprak që mos i ngrini mendjen kujt:

 

Asnjë nga ata që kanë qenë kryetare komunash përpara 2015 në bashkitë e djathta, mos ma sillni propozim për administrator! Janë të nderuar e të respektuar për kontributet e tyre, po mos harroni mesazhin e 30 qershorit, populli, pavarësisht kush ka votuar e kush jo, nuk e ka mbështetur rrugën që zgjodhëm për të majtën, po për të drejtën!

 

Kjo do të thotë ndër të tjera se jo vetëm s’duhet të japim shenja që lexohen si mbyllje brenda gardhit tonë, po duhet të bëjmë çmos që shenjat që japim me vendimet tona, të kuptohen si vullnet hapjeje e gjithëpërfshirjeje – me njerëz të ditur, të edukuar, të respektuar, të cilët mund të mos kenë sjellë vota, sepse nuk kanë qenë të angazhuar direkt për shkak të mbylljes së partisë ndër të tjera, por që mund të na sjellin shumë më tepër vota në 2021-shin, se sa të tjerë që duken sikur janë të vetmit po nuk janë!

 

Dhe mos e harroni: PS fitoi per ju në 30 qershor. ju duhet te bëni gjithçka që PS të fitojë për Shqipërinë në qershor 2021! kjo është në themel të krijimit të këshillave drejtues të rajoneve!“, shkruan kryeministri Rama.

 

m.v./Shqiptarja.com