Administratori i kompanisë së hidrokarbureve ‘Gega Oil’, Paulin Gega, është shpallur në kërkim pasi firma që ai administron është kapur me shkelje të mëdha evazioni fiskal.

 

Gjatë kontrollit 2 ditë më parë, në kuadër të operacionit kundër informalitetit, ‘Gega Oil’ është bllokuar për shkak se janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual. Pas bllokimit të tregtimit të karburantit, janë bërë hetimet ku ka rezultuar se Paulin Gega përmes “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal, por shuma ende nuk është bërë e ditur.

 

Megjithatë dihet nga burime të policisë se ai është shpallur në kërkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

 

Gjithashtu bëhet e ditur se Gega është larguar nga Shqipëria në datën 9 Gusht. Ai është proceduar gjithashtu katër vite më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave.