“Ne tani na pret një punë e madhe, për Bashkinë që duam, për Shkodrën që duam”. Kështu do të shprehej Valdrin Pjetri një javë më parë, duke pritur me padurim të ulet në karrigen e kryetarit të Bashkisë Shkodër.

Një bashki kjo e drejtuar historikisht nga e djathta. Sigurisht Pjetri nuk e pati të vështirë deri më tani, pasi ishte kandidat i vetëm më 30 qershor. Por kur pritej të mbërrinte në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, 37 vjeçari duhet të përballet me një sfidë të vertetë.

Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme që të verifikojë z. Pjetrin, pasi ka dyshime se ai mund të ketë qenë i ndaluar dhe i dëbuar nga Italia. Bëhet fjalë për vitin 2002, kur Valdrin Pjetri ka qenë vetëm 20 vjeç.

“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali dhe më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”-thuhet në letrën që Gazment Bardhi i ka dërguar Arta Markut.

Gazeta Mapo, gjeti Formularin e Dekriminalizimit që ka depozituar në KQZ, Valdrin Pjetri, në Maj të këtij viti. Në formular thuhet: “Pasqyrimi i të dhënave të paverteta, të paplota

dhe të pasakta në këtë formular dhe refuzimi i depozitimit të gjurmëve daktiloskopike sjell skualifikim e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/ zgjedhja/ emërimi apo ushtrimi i metejshëm i funksionit publik”.

Në formular, Pjetri ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar apo i ndaluar në asnjë shtet të huaj. Po kështu ka deklaruar se nuk e kanë dëbuar…

Ndërsa pyetjes a keni jetuar jashtë vendit, ai i është përgjigjur “po kam jetuar një vit në Firence për studime”. Vitet që ka deklaruar ai, përkojnë me vitet që thotë PD. Pjetri thotë se ka qenë për studime në Itali në 2001-2002. Por ajo që bie në sy është se në CV që shoqëron Formularin e Dekriminalizimit, Pjetri nuk e ka përfshirë shkollimin në Itali.

Tashmë është detyrë e Drejtorisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme të verifikojë nëse ka gënjyer Valdrin Pjetri në formularin e Dekriminalizimit. Kujtojmë se në bazë të ligjit, ai përjashtohet menjëherë nëse vertetohet se ka mashtruar në këtë formular.

***
Pika 7. A është marrë ndonjëherë për ju masa e dëbimit nga një shtet i huaj?
Jo

8. A keni jetuar jashtë vendit?

Po

Në Firence, studime urniversitare 2001-2002

New York, Florida, SHBA Turizem Maj 2012

Shkollimi:

Kam përfunduar studimet e larta në fakultetin Ekonomik, dega Financë UT

Master për lidership po tek Ekonomiku.