Një gërshetim mes elementeve të sotme me ato shekulloret e gjyshërve tanë. Në kullë ngjitesh mes shkallëve, që u kërcet druri. Një kërsimë që të kthen në kohë, që të bën shqiptar të vjetër dhe të vë në dhomën e gjumit.Brenda me një interior që të lejon të shohësh në fushat dhe kodrat e bukura të Fishtës, dhe jo vetëm.

Trarët krah për krah me gurë të tregojnë fortësinë e pathyeshme dhe po mbi ata trarë që në dysheme radhiten si fishekë do të mund edhe të flesh. Edhe sikur t’i pyesim ndoshta miopët e arkitekturës apo edhe fëmijët që potencialisht do të rrshqitnin në shpatin poshtë ‘Kullës së Arnume’ se kush është elementi unik i arkitekturës sonë, do të thonin ‘kulla’

Padyshim Briken Miloti, një nga arkitektët e këtij projekti thotë se ‘Pavarësisht diferencave krahinore apo asimilimeve të marra nga kulturat e tjera, arkitektura e kombit tonë përfaqësohet masivisht nga kulla tipike shqiptare’

Gjithçka do të punohej mbi një analizë të thuktë të kullave, duke dalluar se kullat përcillnin gjithë drejtimin veri-jug, duke bërë një përjashtim në ultësirën perëndimore ku materiali dominues ishte qerpiçi dhe tulla.

‘Ndërsa në zonat kodrinore që ndajnë ultësirën perëndimore me hapësiren gjeografike veri-jug gjejmë një ndërlidhje dhe shkrirje të këtyre dy teknikave ndërtuese,

kjo si rrejdhojë e terrenit dhe klimës që e karakterizon pa nënvlerësuar faktorët e tjerë dhe sigurisht,

Fishta përbën ndër shembujt më karakteristik të zonave kodrinore shqiptare’, shprehet arkitekti Miloti për kullat që mund t’i quajmë rurale, teksa thotë që kullat qytetare janë ato që rrijnë ende në këmbë pranë sokaqeve të Gjirokastrës.

Bërrylat nga kulturat mbizotëruese të cilat kanë përcaktuar drejtimin që ka marrë zhvillimi rapid i botës së qytetëruar, natyrshëm kanë prekur edhe në barkun e kombit tonë, shqiptarëve.

Sipas Briken Milotit, degradimi masiv që shihet rreth e rrotull nesh vjen duke mos e përshtatur traditën tonë me influencat e globalizimit dhe influencat arkitektonike.

‘Padyshim do të ishte gabim fatal përpjekja për të ringjallur traditën në rastin tonë, arkitektonike,

pa pasur parasysh të gjithë faktorët e kohës sonë. Në fakt, kjo është sfida e kohës sonë dhe e brezave të ardhshë, rigjetja e traditave multidimensionale, duke jetuar në epokën e globalizimit’, tregon Miloti, duke u lidhur direkt me projektin e tyre, që nuk duhej propozuar rëndom sikur kulla identike e dikurshme, por të lindte një kullë e kohës sonë.

‘Zgjedhjet teknike të bëra në ‘Kullën e Arnume’ janë fryt i reflektimit mbi të gjithë këta faktorë, që në gërshetimin e tyre kanë dhënë rezultatin që shohim. Arsyeja për të përdorur material bashkëkohore ndërtuese si betoni, hekuri dhe xhami në pjesët ku kulla ishte shembur dhe njëkohësish, rekuperimi i mureve apo trareve të drurit që akoma ekzistonin është i reflektimit të sipërpërmendur’

Arkitektët e ‘Plisatelier’ kanë vlerësuar se është gabim që kulla të përkufizohet vetëm në aspektet formalo-funksionale të saj, por të ketë një evolucion sikur edhe arkitektura.

Ndoshta droja e gjyshërve që kanë jetuar në këto kulla se do të ndryshime e tilla do të shkonin rrugës së mohimit të traditës, shuhet tash. Shembulli i ‘Kullës së Arnume’ tregon se përdorimi i xhamit dhe hekurit të gërshetuar me ripërdorimin e gurit dhe drurit ka bërë që kulla të marrë frymë thellë përsëri.

‘Kulla e Arnume’ në të vërtetë është ajo çfarë ishim, kush jemi dhe se si duhet të bëhemi’, thotë Briken Miloti, këtë deklaratë që të futë paksa në mendime më thellë se zakonisht.

Në rrafshin e dhënies së një kumti neologjik të rrymës arkitektonike të ‘Kullës së Arnume”, Miloti thotë se do të mund të quhej “m’Neotradicionalizëm’ , ‘…jo si qëllim i rëndomtë për të ringjallur arkitekturën tradicionale të kullave, por si rizbulim i faktorëve që kanë çuar në krijimin dhe konsolidimin e saj”.

Shqiptarët kanë parë një punë fantastike të këtyre djemëve arkitektë dhe atyre që respektuan punën e tyre. Kjo do të jetë shtysë që kullat e tyre në fshatrat e thella të Malësisë, Mirëditës e Rugovës mos t’i shembin, por të krijojnë vepra arti.

Në fund arkitekti Briken Miloti foli edhe paksa për përshtatjen e ‘Kullës së Arnume’

‘Së fundmi ‘Kulla e Arnume’ nuk do të mund të konceptohej përveç se në Fishtë, në kohën të cilën jetojmë, pavarësisht mundësive të pafundme që ka pasur të lindte në çdo cep të trevave shqiptare, pasi iluminimi që ka arritur kjo zonë, në këtë kohë, ushqen Neotradicionalizmin Shqiptar’

ndertimi.info