Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, në një komunikim me mediat, u shpreh se të dhënat e publikuara më herët nga zëdhënësja e KQZ për pjesëmarrjen në votime, nuk janë zyrtare.

“Përmes një deklarate janë raportuar shifra dhe një përqindje e caktuar deri në orën 11:00. Ndërkohë, dua të saktësoj, se kjo nuk është shifra zyrtare e konfirmuar nga KQZ-ja. Kjo shifër ka ardhur përmes komunikimeve të specialistëve të KQZ me KZAZ-të. KZAZ-të i kanë marrë këto të dhëna përmes komunikimit telefonik me sekretarët e qendrave të votimit. Duke dikur edhe përbërjen e administratës zgjedhore, unë besoj se këto shifra minimalisht nuk janë të besueshme pa u konfirmuar zyrtarisht nga KQZ. E them edhe njëherë se nuk janë zyrtare, janë paraprake dhe kanë ardhur përmes komunikimit elektronik”, tha Klement Zguri.

Zëdhënësja e KQZ njoftoi se deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime në rang vendin ishte 12 përqind.

Të dhënat mbi pjesmarrjen janë praktikisht sfida e këtyre zgjedhjeve për shumicën, kur rezultati mund të konsiderohet i ditur, duke qenë se kandidatët e saj nuk kanë rivalë në gati gjysmën e bashkive të vendit. Nga ana tjetër dhe opozita i ka kërkuar mbështetësve të saj që të “bojkotojnë një proces zgjedhor farsë”.

Duke ju përgjigjur thirrjes së mbrëmshme të kryetarit demokrat Lulzim Basha, sot, kryesisht në Tiranë, janë organizuar protesta paqësore pranë disa qendrave të votimit.

Mbështetës të opozitës janë grumbulluar, duke kundërshtuar me thirrjet “Rama Ik” procesin e duke ironizuar me këngë të kohës së diktaturës zgjedhje të cilat sipas tyre janë të ngjashme me atë periudhë. Opozita ka denoncuar sipas saj, trysni të vazhdueshme që është ushtruar ndaj administratës për të marrë pjesë në votime.

Janë mbi 3.5 milion shqiptarë të cilët figurojnë në listat e zgjedhësve. Në të gjithë vendin janë 5417 qendra votimi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi gjatë ditës se qendrat e votimit ishin hapur në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 Qendra Votimi në Postrribë të qarkut Shkodër. Nga këto, 6 qendra votimi nuk ka filluar ende votimi, ndërsa për 1 qendër votimi janë djegur materialet zgjedhore.