Bashkia e Elbasanit ka urdhëruar punonjësit e administratës të dalin në punë ditën e shtunë dhe të diel. Ky urdhër ka dalë nga kryetari i bashkisë Qazim Sejdini me argumentimin që administrata të jetë në shërbim të qytetarëve për të siguruar procesin zgjedhor.

Në fakt administrata në varësi të bashkisë nuk ka kompetenca për garantuar sigurinë në procesin zgjedhor. Kjo është kompetencë e organeve që administrojnë zgjedhjet të cilat janë përcaktuar tashmë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Dita e diel është ditë pushimi dhe vendimi për të dalë në punë në këtë ditë u heq mundësinë këtyre qytetarëve për të pushuar, qoftë edhe larg Elbasanit.

Një veprim i tillë për të nxjerrë administratën në punë gjatë kësaj fundjave u mor edhe nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, por arsyetimi ishte krejtësisht i ndryshëm. Në urdhëresën e saj ajo kërkonte zbatimin e dekretit të presidentit Meta dhe kështu vendosi të nxjerrë administratën në punë nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

Arsyetimi në të dy urdhrat duket qesharak ama qëllimi mbetet i njëjtë, monitorimi i punonjësve të administratës së institucioneve të varura nga bashkia.