Komentet mbi komentet e mbivendosuna kohët e fundit në lidhje me situatën aktuale politike në Shqipni janë ba nji sport i ri dëshpërimi kolektiv sa me rivalizue konfuzionin që mbretnonte në Kullen e famshme të Babilonise. Me djeg, me vra e me pre, gjithmonë në emën të “demokracisë” e lirisë të tyne, janë foljet që përdorën dendun prej mercenarëve me mendësinë e Isi-t dhe frymëzuesve të tyne medemek me petk politik këto ditë në Shqipni.

Në shkallët e stadiumit virtual të kundrimit të kësaj kasaphane kulturore e potencialissht edhe të përgjakshme, asht rreshtue zhurshëm e dhunshëm e njajta tifozeri mercenarësh me prapavijën e saj “intelektuale” të modelit haxhiqamilist që analizojnë e inkurajojnë me paradigmat e tyne “filozofike” lojtarët e armatosun me molotov, mjete të tjera rrethanore luftarake në fushë.

Përtej metaforës sportive, duhet thanë se kjo minorancë agresive, po intrumentalizon në mënyrë perverse disa arsye, sigurisht legjitime, për interesa të ngushta personale të mbeturinave të riciklueme politike ma të kqija të historisë të Shqipnise, fajtore të mprapambetjes tonë aktuale.

Në shestimet e mia analizuese të eventeve shqiptare, jam përpjekë me shkue në rrajë të shkaqeve që kanë përftue nji situatë të dhanë, tue evitue atë tundimin sipërfaqësor me u përhumb në detaje periferike të nji kroniket të randomtë apo me u bazue te burimet e helmueme të histografisë zyrtare, mbasi jam gjithmonë i bindun se shpërthimet e fundit me doza të forta vandalizmi, të ripërsërituna bash në orët vendimtare të kryqëzimeve fatlume historike, janë përpunue në nji inkubator të gjatë historik, i cili kurrsesi nuk mund të ezaurohet as në periudhën 40 e sa vjecare të sundimit të diktatorit Hoxha.

Insistimi me zbërthy e analizue inkubatorin “otoman” deri sa me shkaktue bezdi e reagime inatcore te nji pjese e madhe e “mendimtarëve” të fb, studiusëve konformist apo edhe ndonji personi vullnetmirë, por i molepsun randë prej bombardimit otoman, nuk asht kenë nji preferencë subjektive, por aderim i vetëdijshëm ndaj nji realiteti kryefortë, objektiv e konkretisht të prekshëm.

Përcaktori “otoman” me të cilën cilësoj këtë mendësi regresive shqiptare, peng i të cilës vazhdojme me kenë, nuk asht kurrësesi shfrymje ofenduese ndaj qytetarëve të republikës së Shqipnisë që i përkasin religjonit islam, sikur kanë qef disa me e etiketue për me depistue implikimet shpjeguese të fjalës. Qytetarët shqiptarë që i përkasin religjonit janë pjesë e randësishme konstitutive e shtetit tonë bashkë me qytetarët e tjerë me përkatësi fetare të kshtenë në variantin ortodoks e katolikë, sikur pati kenë sanksionue në aktin e pavarsisë të viit 1912, me dorzaninë vendimtare të Perandorisë Austro-hungareze dhe asaj gati të gjys-dekun osmane.

Për hirë të vërtetës, shtoj se fokusi i shkrimeve të mia asht kenë ma fort nji kritikë e përpiktë vllaznore ndaj disa “mëkatëve” të vogla por me pasoja të randa, të angazhimit të prijsëve e intelektualëve të komunitetit katolik edhe gjatë historisë të krijimit të shtetit shqiptar e deri sot, me gjetë sinteza sinkretike të panevojshme e të damshme nan cadrën e shqiptarisë me përfaqësues të ish pushtetit otoman.

Në këtë perspektivë, i kam mshue nevojës urgjente me u clirue prej vasalitetit psikologjik e shantazhit medemek atdhetar që asht krijue ndaj katolikëve për shkak të persekucionit shembullor që asht ushtrue ndaj tyne prej politikës otomane e sherbetisun me etiketa të reja mbas shpalljes së pavarsisë.

Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia bashkë me shumë të tjerë që kanë ardhe mbas ramjes së sistemit monist, të cilët për shkak të nevojës të nji dekantimi të domosdoshëm të reflektimit në rrafshin e distancës historike kohore, nuk po i përmendi me emna e mbiemna, pavarsisht temperamentit personal e kohës në të cilën kanë veprue, i ka bashkue nji urrejtje në kufijtë e patologjisë me persektue e perjashtue katolikët prej agorasë publike e shoqnore.

Galaksia otomane e përfaqësueme mjeshtërisht prej personave të naltpërmendun dhe trashëgimtarët e tjerë të sotëm që djegin shkolla, kërcënojne me strategji tensioni, vjedhin e dhunojnë e kamuflohen nan petkun e lirisë dhe demokracisë, nuk ndryshojnë kurrë strategjitë e tyne për me arritë e ruejt me cdo kusht sundimin, qëllim në vetvete

Nji bartës i mendësisë otomane që flet për demokraci e liri asht tue celebrue me vetëkënaqësi hipokrizinë e gjallë, dialogu me këtë mendësi asht nji armëpushim i përkohshëm me u dhanë kohë me u forcue në kushtet e tyne të dobësisë, pranimi i tekave të tyne lexohet si dobësi dhe i kushton randë vendit, sikur pazaret e ktyne 30 viteve kanë dëshmue. E vetmja mënyrë e raportimit ndaj tynë asht neutralizimi e carmatimi i ksaj murtaje të rrezikshme nji heë e mirë.

Mbas shpalljes së pavarsisë, Europa pruni Princ Vidin me na dhanë dinjitetin e qytetarinë europiane në bazë të paktit të qeverisjes të vendit simas formulës të pjesëmarrjes të barabartë të myslimanëve dhe të kshtenëve. Kryengritja e Haxhiqamilit e prishi atë pakt dhe strategjia e urrejtjes historike ndaj katolikëve përgjatë rrugëtimit të shtetit të ri u zhvillue në disa trajta të tjera prej modelit të prijësve haxhiqamilist: mbas dështimit të eleminimit e shporrjes masive gjatë perandorisë osmane, u kalue me margjinalizim të skajshëm, burgosje, izolim dhe me ardhjen e demokracisë dhe diskretitimin historik të otomanizmit, u tentue tredhja dhe madje edhe zëvendësimi i tyne nëpërmjet justifikimit të marrjes të sakramentit të pagëzimit, jo rrallë herë në mënyre intrumentale e politike prej disa eksponentave të parisë sunduese.

Prandaj, qysh në krye të herës, në shkrimet e mia kam denuncue këto mekanizma të sofistikuem tue ofrue si metodë të hetimit dhe pëpunimit të ndodhive të realitetit nji qasje gati burimore në ekzegjezën dhe interpretimin e humusit tonë kulturor e politik.

Pikërsiht në këtë humus, duhen gjetë paradigmat e përshtatshme për me lexue realitetin, ndryshe prej disa qasjeve mediokre totalitare e dominuese të dalun bojet dhe të trashëgueme prej studiuesve apo analistave të molepsun prej nji narrative arbitrare e funksionale për me ruejt statuos-kuonë e sundimit të vjetër në kushtet e reja.

Sigurisht, këto teza të guximshme, të paraqituna me përvujtni dhe të ilustrueme me fakte konkrete e mbi të gjitha të bame me njitin e mire për me rifitue vetëdijësimin me kenë në naltësinë e historinë të lavdishme të Bashkësisë Katolike, në fillim janë injorue e nuk kanë mungue edhe akuza per fondamentalizëm katolikë prej disa katolikëve të angazhuem në raport vasaliteti psikologjik me pushtetet e momentit.

Ktyne akuzave të pabaza, u jam përgjigjë flakë për flakë, ndoshta me jo fort elegancë, tue i konsiderue shprehje e nji mendësie katolike të tredhun, katalizuese pasive e nji tendence për depersonalizim e rikonvertim inercial e simbolik në otomanizëm regresiv. Me kalimin e kohës, pikërisht ato që me akuzonin si fondamentalist, tue e ditë se nuk jam i tillë, filluen të bubrronin e kopjonin këtë qajsen teme paradigmatike, sigurisht tue spanue celsin e interpretimit me shqiptarizmën e dalun bojet.

Tashma edhe korrespondent të mediave të huaja po përdorin këtë repërtor klasifikues, tue e konsiderue Shqipninë nji provincë otomane, mbasi sjella e shprehite e parisë politike e konfiromojnë. Situatat e tensionume politike e shoqnore, të induktueme artificialisht e në mënyrë ciklike për interesa meskine zaptimit me cdo mjetë të pushtetit, janë kreykëput kunora e turpit e grahma e fundit e mendësisë otomane.

Skenat sfiduese e kërcenuese të dhunës, traditë e tyne e konsolidueme, sidomos në kto 30 vite, rrezikojnë me krijue premisat e nji destabilizimi të frikshëm të vendit, por tashma konteksti ka ndryshue e slloganet e rrejshme lecitëse të idealeve për liri e demokraci jane ezaurue e populli i thjeshtë nuk e ndjekë ma këtë minorancë kamikaze, përkundrazi ndihet i trathtuem e nuk arsyeton ma për sllogane shabllone.

Absurditeti i pretendimeve dhe alibitë mbështetëse të pakicës agresive dhe loja funksionale e shumicës qeverisësë, të kapun prej vargojve të krimit endemik e të korrupsionit, disa të trashëguem e të tjerë perfeksionuem me kontributin e saj vendimtar, dëshmojnë qartë se në Shqipni përfundimisht asht shporrë arsyeja minimale njerëzore dhe instinkti i kushtëzuem prej rrethanave paranoike ka ngulë rrajë thelle.

Qytetarët e thjeshtë që duen paqe e siguri po largohen prej vendit, nji pjesë me shumë mundime po bajne rezistencë molekulare, ndërsa infrastruktura e zhurmshme mbështetse e mercenarëve të paguem dhe atyne gratis, janë rreshtue në llogoret e tyne tue shpraz artelerinë e shpifjeve e polemikave shtjerpe.

Në këtë rrokopujë të papërgjegjshme, sidomos në rrjetet sociale nuk mungon kontributi i disa pseodo-intelektualëve te “paanshem” që i ekspozohen turpit të komentimit me nocione politike e juridike, të akteteve të papërgjegjshme të parisë politike që qëllimisht po kërkon me fut vllavrasjen mes shqiptarëve, sikur e ka ba edhe në vitin e mprapsht 97’. Nji pjesë e mirë e ktyne medemek intelektualëve kane studiu në vendet perëndimore por konstitucioni i tynë shpirtnor otoman u ka ba “reaksion”, tue e radikalizue edhe ma shumë otomanizmin e tyne strukturor, ashtu sikur u ndodhi gjonturqve, të cilët studiuen në perëndim dhe u ktheyn në Turqi për me ba gjenocidin armen. Fatkeqësisht, me këtë virusin fatal të militantit kamikaz, janë molepsë edhe persona normal e potencialisht pozitiv, cka dëshmon se helmi pasiv i retorikës konfliktuale, zjarrëvanëse dhe të zhdoganimit të së keqes e ka ba punën e vet.

Parulla “Rama IK” që nankupton “na lsho vendin në mënyrë të parevokueshme”, po përligjë edhe mundësinë e nji përplasje fatale civile dhe madje apelet insistuese, të qarta, të adresueme me emën e mbiemën të emisarëve të bashkësisë ndërkombtare, garante e ruejtjes të ekuilibrave politike në këto vite të brishta demokracie, po sfidohen haptazi, prej pakicës agresive që reciton disa kauza nominale, për të cilat nuk ka asnji kredibilitet minimal pranë qytetarëve të saj.

Sikur e kam thanë në shumë shkrime të tjera, cdo njeri i arsyeshëm, pavarsisht preferencës të tij elektorale, duhet të ndihet i zhgënjyem që Edi Rama në këto vite jo vetëm nuk ka qeverisë simas premtimeve elektorale e të përgjegjssisë të numrit të madh të votave që ka marrë por ka shfrytëzue vakumin e alternativës për me vazhdue i patrazuem në avazin e zhvatjes sistematike të vendit, tue shpërbly me tendera e favore pikërisht shërbëtorët e randomtë të plackitjes të vendit.

Reformat e pakta dhe pa nerv, ma fort estetike, prioritetet miope në ekonomi, kooptimi në qeveri i disa personave të korruptuem, të papranueshëm për nji standart njerzor minimal, injoranta të pashembullt, pa personalitet e disa të lidhun me skalionin e parë të ish nomenklaturës kriminale komuinste, megjithë disa korrektime të detyrueshme, sigurisht me peshë, sikur ishte rasti i Gjeneral Lleshit, tregojnë se edhe Rama asht pjesë e nji klase politike që duhet shporrë nji orë e ma parë si model qeverisje. Problemi i largimit të tij në nji kontekst demokratik edhe pse jo i përsosun, bahet vetëm me votë e alternativë të kristaltë morale e sigurisht tue shkue në zgjedhje dhe jo tue i refuzue ata me pretendime që nuk qëndrojnë as në tokë e në qiell.

Përgjimet konfuze të serviruna të përkthyeme në nji gazetë gjermane prej nji gazetari, me mendësinë e agjentit të ish Stazit famëkeq të gjermanisë lindore, si provë për implikimin e Ramës në vjedhjen e votës, i shërben thjesht strategjisë të tensionit, tue u nisë prej perzgjedhjes të momentit. Sponsorizimi i këtij gazetari prej antishtetit mbrenda shtetit bash prej atyne që e kanë përdhunue me kreni institucionin e votës së lirë duken qesharake, përsa kohë ajo parti nuk ban nji mea culpa publike, per atë njollë të turpshme që i dha historisë të zgjedhjeve në Shqipni me 26 maj 1996, rrezikon të kthehet në nji boomerang vetëvrasës për vetë opozitën.

Gjithmonë, më ka habitë fakti se si asnji parti e spektrit politik, përfshi edhe ata që u rrahën dhe u gjakosin prej dhunës të zgjedhjeve të vjedhuna të 26 majit nuk e kanë ba kurrë objekt reflektimi kët moment të kobshëm të historisë të pluralizmit politik shqiptar, tue ndëshku në mënyrë shembullore e me përcmimin e përjetshëm të historisë autorët e saj. Pëkundrazi, e shdoganuen me shpejtësi, tue e shndrrue në nji mundësi me përfitue për me kap pushtet. Standarti i vetëm i zgjedhjeve të lira, i përket zgjedhjeve të organizueme prej udhëheqsit të fundit komunist Ramiz Alia. Ai që ia kishte kalue edhe Enverit në krime, për aq kohë sa qëndroi në pushtet, tue shëtit kufomat e vrame në kufi për me terrorizue popullin, cuditërisht e kishte ma të fort sensin e shtetit e të zgjedhjeve të lira..

Po ndalem gjatë të problemi i zgjedhjeve të lira e pasojave të randa që shkakton në nivel edhe kulturor dhunimi i tyne sepse ato që në vitn 1996 i dhunuen zgjedhjet bashkë me nji tjetër asht në krye të shtetit e përsërit dhunimin e tyne me fenomenin e dushkut në vitin 2001, sot po duen me asgjësue institucionin e zgjedhjeve, tue bojkotue pjesmarrjen.

Në vitin 1996, jam kenë ndër të parët që e pata kuptue qartë efektet e a tij akti pervers e kriminal për të ardhmen e institucionit të zgjedhjeve të ndershme, të lira e demokratike. Më kujtohen si sot, bisedat e gjata e plot pathos që banim në konviktin e Zdrales në Shkodër me miqtë e mijë studentë mbi këtë temë. Edhe pse isha nji student i ri 18 vjecar i juridikut, falë nji alfabetizimi ndoshta të parakohshëm për moshën me kulturën e lirisë e të ndershmënisë, sigurisht i farkëtuem prej urtësisë të pleqëve me përvojë antikomuniste e antiotomane, profesorëv të vërtet të mijë, me të cilin isha rritë në fshatin e lindjes, kisha kuptue se vjedhja e votës, rrahja e kundërshtarit, gjuha e dhunës, retorikat plot helm, janë karta e identitetit e nji mendësie otomane e rreziku fatal që i kanosej Shqipnisë, sikur koha mandej e konfirmoi bollshëm.

Miqtë e mijë studentë, ashtu si vetë, me të cilin debatojsha mbi kto tema, vinin të gjithë prej shtresave të margjinalizueme të ish sistemit dhe jetonin me iluzionin e induktuem të medemek luftës ndaj komunizmit të bame prej ktyne komunistëve të “kurventuem” dhe kur unë u thojsha se zgjedhjet e 26majit janë njollë e zezë dhe kanë me kenë mina me sahat për vendin, më shihnin gati me cudi, ashtu sikur bajnë shumë syresh që duen me cdo kusht me të rreshtue si simpatizant i Edi Ramës e nuk i durojnë disa të vërteta elementare.

Madje, të kërkojnë llogari virtuale për lirinë e mendimit e mungesën e rreshtimit simas vijave të frontit të tyne imagjinar e logjikave mjerane komplotiste…

Përmendja e 26 majit si zhdoganimi “kulturor” i vjedhjes së votës, nuk asht obsesion personal, sepse asht shndrue ne kriter per me matë sukseset e matejshme ne administrimin e zgjedhjeve, tashma në Shqipni pragu i pranimit të zgjedhjeve, mbas nji betejë të gjatë të rregullimit të listave të zgjedhjeve, largimit të kriminelave prej qendrave të votimit, asht ulë në nivelin e numërimit aritmetik të asaj cka ndodhet në kuti dhe duhet nji rritje kulturore e qytetarëve për me votue në bazë të bindjes personale e jo të shantazheve afektive, miqësore, familjare e deri te ato kërcënimit të “butë” me largim prej pune.

Në vendet e konsolidueme demokratike pranohet paqësisht se problemi asht gjithmonë qeveria dhe kjo aksiomë asht edhe ma e vleshme në vendet me demokraci të lodhun si puna e Shqipnisë. Megjithatë, te na paradoksi radikalizohet aq shumë sa mendoj se problemi i vërtet rezulton të jetë ish qeveria që ka zaptue simas slloganit të njohun shqiptar “tokë e xanun” vendin e opozitës së vërtetë me ato personazhe të papranueshme të ndëshkueme me votë.

Në këtë kuptim, sllogani “Rama Ik” do të jetësohet kur të ikë kjo opozitë uzurpuese, e mbushun me individë që krijojne alergji e irritim në cdo qytetar të shëndetshëm të Shqipnisë, përfshi edhe ato që janë të irrituem me Edi Ramën e qeverinë e tij. Shkurt, Rama mbahet në kamb prej kësaj opozite që ka përmbrendësue logjikën e partisë shtet e nuk don kurrë me u largue prej pushtetit, cka dëshmohet prej zellit vandalist me shkatërrue gjithcka për pushtet. E vetëdishme që nuk i ka votat me ardhë në pushtet dhe e braktisun prej mundësisë të nji pazari nan patronazhin e faktorit ndërkombtar, kërkon djegjen e vendit.

Kjo opozitë, edhe pse ka qeverisë gati 15 vjet, qysh se ka lindë me vendim të plenumit të komitetit qendror të PPSH, i cili lejoi pluripartitizimin ne fund të vitit 1990, i diktuem prej rrezikut të daljes jashtë kontrollit të situatës, kishte mbrenda vedit helmin vdekjeprues të iluzionit të krijimit të opozitës shqiptare.

Në këtë konglomerat amorf të quejtun opozita e parë, vërshuen në drejtimin e saj modele të tipit ujnash e shinash, ish spijun, të burgosun ordiner me instinktin e spikatun të vandalizmit, skalionet e nandheshme të nomenklaturës, bijë kriminelash të pushtetit komunist e ato pak vetë që ishin kenë të persekutuem e besonin vërtet në forcën morale të opozitës të sapokrijueme, mbetën dekor deri sa u larguen shpejt prej saj, disa me dhune e disa me tërhekje të butë. Edhe populli i vuejtun nan diktaturë e mbështeti vetëm nji herë në vitin 1992, tue e pru në pushtet e mandej ia hoqi mbeshtetjen tue e lanë në kuota të pamunduna me pasë pushtet. Fakti që opozita e sotme ka qeverisë për 13 vite, i faturohet meritës eskluzive e të jashtzakonshme të liderit të saj doktorr Berisha që njihte mire konjukturat e pushtetit, për shkak të njohjes të vjetër me ta dhe rrjetit të nandhëshëm të tij. Me akrobacinat e veta tërheqëse, nuhatjen e nji antropologu politik dhe ndihmën e masonerisë fshatare, garda e tij e përjetshmë mbështetëse, diti me mbijetue e me u riciklue edhe mbas goditjes fatale që mori në vitin 1997. Me pensionimin problematik të tij, opozita asht në nji proces të zorshëm ripërcaktimi dhe peng i mbylljes të ciklit të lidershipit të tij.

Në këto kushte, shtrohet nevoja urgjente per nji reformim tansor të opozitës së re, larg modelit të doktorrit, sepse opozita e tij ishte nji opozite brenda llojit e lidhun si mishi me thonin me kulturën otomane ma safi të komunizmit shqiptar, përtej atij dekori të zverdhun që vinte prej nji shtrese antikomuniste dhe katolike, që kishin pasë iluzionin se në atë parti po lecitej kauza e tyne.

Deklarata e fundit dhe e vonueme por tmerrësisht e domosdoshme e znj. Jozefina Topalli, tregoi se gjaku nuk bahet ujë dhe me gjithë gabimet e militancës të diktueme prej iluzionit të pushtetit e të besimit naiv te kjo parti me adn otomane ajo dëshmoi se ska asnji gja të përbashkët me mbejtjet otomane të pseodo-opozitës shqiptare që mendon me vazhdue në rrugën pa krye të liderit suprem, tashma ne pension.

Në këto kushte, në vend se me u marrë me Ramën e partinë e tij, të cilën realisht ai e ka reformue dhe asht lideri deri sot ma shumë i votuem i vendit qysh sa u kandidue si kryebashkiak i Tiranës, ka ardhë koha të ndërtojmë opozitën valoriale të vërtet, me njerëz të arsyëes e të mbrujtun me dashni për vendin e të mirën e përbashkët, tue vu në shërbim të saj talentet e nji staturë morale të paatakueshme. Kësaj opozite nuk ka Ramë që i reziston e as banda të vërteta apo imagjinare. Në këtë opozitë që shpejt bahet magjorancë qeverisëse, humusi perëndimor duhet të jetë dominues e asnji pakt me mendësine otomane edhe në kjoftë se asht në kuota të papërfillshme.

Nëse vazhdon logjika e zaptimit të opozitës mendësisë otomane e talebane, mos të habitemi se njerëzit, sidomos ato me profil publik e kulturor, janë të detyruem të zgjedhin Ramën, jo fort si e keqja ma e vogël por si mundësia e vetme me kontribue në realizimin e vetvetes ne fushën politike e sociale dhe të dëshirës me kontribue për vendin.

Deri sot, shumë vetë janë shantazhue psikologjikisht prej tundjes të slloganeve antikomuniste, aq ma tepër nëse janë kenë të përndjekun prej regjimit të kaluem dhe kanë mendue me naivitet se pozicioni i tyne ideal asht te opozita e parë medemke antikomuniste por tashma që kjo opozitë tregoi bollshëm natyrën e saj të vërtet me tharm otoman e komunist, ka ardhe koha me e braktisë ore e ma parë.

E shkuemja nuk trajtohet me sllogane shantazhuese e as me kritere ahistorike por si nji fakt historik ne raport me të cilin secili me përgjegjësine e vet ndërton identitetin e tij. Ky asht njeriu i lirë që ndan parimet me perimet, tue perifrazue nji thanie të urtë të martirit dom Simon Jubani.

E dij mirë, se centrifugat e lodhshme të historisë tonë e kanë topitë dhe nxjerrë gati jashtë funksionit sistemin imunitar bazik të njirit shqiptar i cili shpesh ska mbrri me ruejt as higjenen e tij mendore. Ky rezultat i frikshëm asht pasojë e nji procesi të gjatë historik, i përshkallzuem dhunshëm, sikur e përmenda, në kto 30 vitet e fundit medemek pluripartitizëm dhe i toleruem apo i shoqnuem në shumë raste me admirim në mënyrë të pafalshme edhe prej atyne pak institucioneve e personave që mund të ishin potencialisht ndërgjegja shpirtnore e intelektuale e vendit.

Zvetënimi e kaosi duken sheshit në analizat e spërlame, të pa undyr e delirante të “mendimtarëve” ambulant e kanibal të realitetit shqiptar, në Shqipni e diasporë, të cilat teknologjia e informacionit na servir cdo dekikë me përhapje kapilare. Tashma kanë ra kufijtë mes thashethemit, faktit, indicies e vendin e saj e ka xanë mistika e perversitetit e vërtet asht nji mision i pamundun me tentue me gjetë nji emnues të përbashkët arsyeje edhe në biseda të lira miqësore sepse të gjithë janë tue u marrë me efektet e dekretit apo zhdekretit të Presidentit, dallimin mes zgjedhjeve apo votimeve, hierakinë kushtetuese të dekretit, pasojat e komunizmit apo antikomunizmit të ish komunistave e ma në fund me përgjimet e nji gazete gjermane që thotë ma pak se sa banditët e vjetër të hajnisë të votës e thotën dhe e bajnë haptazi.

Në, fakt nji popull i zhvirgjëruem në cipën shpirtnore gjatë historisë së tij të dhimshme otomane 550 vjecare, me derivatet e veta të melmyeme për qëllime kamuflimi, herë komuniste e postkomuniste, dhe që injoron sistematikisht këtë fatkeqësi që i ka ndodhë, asht i destinuem me ripërsërit e jetue nji përspëktivë endacake autoprostituimit nëse nuk vendosë me kurajo me bonifikue burimet e së keqës. Nji rast i mirë i bonifikimit të keqës asht shpërfillja e atyne që nuk duen zgjedhje, tue e kthye atë datë në nji referendum properëndimor.

Harta e fizionomisë të së keqës asht krejt e qartë dhe ska nevojë për xumime optike e po ashtu e qartë asht edhe pesha specifike e aktorëve politike e shoqnorë të kontribuesve e hartuesve të saj, ingredientët e të cilit janë mjerim njerzor e pasuni të shumta, të tundshme apo të patundshme, rezultat i plackitjes të kobshme të territorit e qytetarëve shqiptar.

Sensi i historisë që përsëritet duhet të na baje fort me reflektue sepse tregon se bartësit abritrar të sundimit endemik e sistemik në realitetin shqiptar, pra otomanet, ecin përpara vetëm falë stimulimit inercial të shkatërrimit vandal të asaj që lanë mrapa pa ndërtue asgja në të tashmen dhe të ardhmen. Ata nuk pyesin për lutje e per dialog por u duhet vu kufini te thana..

Politika amerikane dhe europiane për fatin tonë e kanë kuptue, ndoshta me pak vonesë, se duhet ndërhymje direkte konkrete e me reformën, sigurisht problematike në drejtësi, po mundohen me krijue embrionin e nji strukture per me ndale hovin e frikshëm të plackitjes të vendit per me katalizue mandej nji trend virtuoz ndryshimi edhe në institucionet e tjera.

Pikërisht frika prej vendosmënisë amerikane e europiane për me implementue e finalizue reformën në drejtësi i ka tmerrue bartësit e zullumeve 30 vjecare shqiptare dhe janë gati me i vu flakën vendit për me pshtue vedin. Nji fjalë e urtë thotë se “uku don terr” për me veprue e strategjia e territ duket se asht akti i tyne i fundit që po u servirin shqiptarëve por fatmirësisht tashma repertori i tyne i randomt apokaliptik, dmth, i fundit të botës, nuk ban ma efekt te pjesa ma e madhe e shqiptarëve që duen paqe e të ardhme për vedi e fminë e tyne. Shqiptarët tashma e kanë kuptue mirë se nuk jena te fundi i botës por te fundi i botës së tyne otomane.

Nga Nesti ZEFI