Një aksident me tre të plagosur ka ndodhur në aksin Shkodër-Muriqan. Një makinë u përplas me një motor në fshatin Oblikë të njësisë Ana e Malit në aksin nacional Shkodër-Muriqan. Një mjet me targë të Ulqinit të Malit të Zi UL AV 382 u përplas me motorin. Nga ky aksident i ndodhur kanë mbetur të plagosur tre shtetas, drejtuesi i motorit dhe dy të tjerë.

Menjëherë në vendngjarje pas informacionit për aksidentin e ndodhur mbërriti një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës për t’i dhënë ndihmën e parë të aksidentuarve. Tre të plagosurit u dërguan me shpejtësi në urgjencën e spitalit të Shkodrës për të vijuar me ekzaminime të mëtejshme.

Sipas burimeve spitalore tre shtetasit e plagosur si shkak i këtij aksidenti kanë marrë dëmtime në trup, njëri prej të cilëve më të rënda por raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes ku ndodhi aksidenti kanë mbërritur edhe forcat e policisë të drejtorisë vendore të policisë Shkodër.

Grupi i ekspertizës bëri hetimet paraprake dhe mendohet se shkak i këtij aksidenti është pakujdesia dhe mosrespektimi i rrëgullave të qarkullimit rrugor. Një ndihmesë në këtë aksident ka qenë edhe errësira në aksin Shkodër-Muriqan. Policia nga ana e saj po punon për të zbardhur shkaqet e plota të këtij aksidenti të ndodhur.

Aksidentet në Shkodër vazhdojnë që të mbeten një problematik dhe pjesa më e madhe vijnë nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe pakujdesia e shoferëve. Policia rrugore ka shtuar masat e saj administrative dhe pavarësisht numrit të rritur të gjobave në mënyrë të ndjeshme sërish ndërgjegjësimi tek drejtuesit e mjeteve është i ulë duke sjellë edhe këto aksidente.