Saranda Hoda, e njohur për publikun si Sasa, ishte e ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon pasditen e sotme, nga ku foli për jetën e saj të re, pasi kaloi sëmundjen e rrallë dhe nisi të ndiqte ëndrrat e saj.

Sasa tregoi se jeta nuk ka qenë asnjëherë e lehtë për të, duke iu referuar jo vetëm sëmundjes që kaloi, por edhe historisë së trishtë familjare.

E lindur nga një lidhje jomartesore, 28-vjeçarja u braktis nga nëna biologjike dhe u rrit në familjen e të atit. Vite më vonë, gjatë adoleshencës, mësoi të vërtetën dhe nisi të kërkonte nënën që e kishte sjellë në jetë.

Për herë të parë, ajo tregoi se ka arritur të kontaktojë më të ëmën, por, si për ironi të fatit, takimi i tyre i parë do të mbetet edhe i vetmi.

Sasa pranoi se nuk arriti të ndjente ngrohtësi dhe dashuri nga e ëma biologjike, ndaj marrëdhënia e tyre është ndërprerë dhe për të gjithçka ka marrë fund.

“Në momentin që e takon, e ndjen ngrohtësinë e nënës, por kur tjetri nuk e ndjen ngrohtësinë e fëmijës, atëherë…”,- tha ajo për Top Channel, duke lënë të kuptohej që e ëma ishte treguar e ftohtë me të.

“Nuk jam interesuar shumë për të, ka mbaruar ajo histori. Ajo do të vazhdojë jetën e vet, unë jetën time dhe jam shumë shumë e lumtur që s’jam me të!”,- përfundoi Sasa.