Bekim Balaj dhe Odise Roshi, janë dy nga lojtarët më të mirë, që Shqipëria ka në repartin e avancuar të saj. Të dy, përveç Kombëtares, kanë ndarë disa klube bashkë gjatë karrierës së tyre, dhe kjo e ka forcuar akoma më shumë miqësinë e tyre edhe në jetën e përditshme, jashtë fushe.

Në një intervistë për “Supersport”, shkodrani dhe fieraku, rrëfejnë karrierën e tyre të gjatë, natën e paharrueshme në Portugali, si dhe disa sekrete për jetën e njëri-tjetrit.

PORTUGALI

Balaj: Goli, fitorja, isha titullar. Çdo gjë ishte fantastike. Edhe kur rrimë me njerëz, gjithmonë e kujtoj, Roshi krosoi, unë shënova.

Është interesante, sepse kam ikur nga Slavia te Rijeka, dhe kanë qenë duke parë ndeshjen e Shqipërisë, drejtori i Slavias, me pushime në Itali, me një drejtor tjetër që kishte lidhje me Rijekën. I tha se unë isha lojtari i tij. Që nga ai gol, nisi transferimi im te Rijeka.

Roshi: Për mua ka qenë një nga ndeshjet më me emocion. Fitorja më e bukur, luajtëm me kualitete, nuk bëmë shumë raste, por i shfrytëzuam. Një nga ato ishte edhe kur unë krosova, dhe Bekimi shënoi golin e jetës. Ka qenë momenti më i bukur për mua.

RIJEKA

Roshi: Unë luaja në Gjermani në atë kohë. Kur fola me menaxherin, dhe më tha se kishte biseduar edhe në një ekip ku është dhe Bekimi, u gëzova, dhe nuk i thashë jo. Shkova direkt. Rijeka ishte ekip me kualitete. Kalova një vit shumë të bukur aty.

Balaj: Edhe para se të bëheshim bashkë me njëri-tjetrin, njiheshim. Kishim qenë te Shpresat, te ekipi i parë. Kishim miqësi që në atë kohë. Pastaj te Rijeka ishim bashkë, dhe ishim përditë bashkë. Ishim vetëm, pa familjet, dhe për çdo gjë ishim bashkë. Kaluam një periudhë të bukur.

FILLESAT

Roshi: Ndeshjen e parë e kemi bërë me paratërinjtë, unë te Fieri, rreth 15 vjeç. Pastaj kaluam te ekipet e para, unë me Apoloninë. Dhe jemi takuar në nxehje, luanim në Fier. Që aty ka filluar miqësia ime me Bekimin.

Balaj: Luanim një ndeshje, të dy në nxehje, dhe folëm pak aty të dy. Mbaj mend një ndeshje që luanim në Fier, unë luaja me U-19 e Vllaznisë, por atë ndeshje shkova të luaja me U-17. Binte në sy Odi, me një shpejtësi. Ka një fierak të shpejtë, thoshin për të.

AKHMAT GROZNI

Balaj: Ai vend, në mentalitet na përshtatet goxha. Janë shumë myslimanë, por edhe lidhjen me të afërmit e kanë shumë të ngjashëm me traditën tonë.

E gjetëm veten mirë aty. Patëm mbështetje nga të gjithë, nuk na ka munguar asgjë. Por, të dy patëm dëmtime që na lanë jashtë fushe. Unë ndenja më shumë se 1 vit. Kurse unë tani dua një eksperiencë të re. 3 vite ishin të bukura aty, dhe mendoj se mjaftojnë.

Roshi: Unë pak më parë kam firmosur një kontratë 3-vjeçare.

JETA PERSONALE

Balaj: Është një tip, që fiksohet në disa gjëra, që një tjetër nëse nuk e kupton, çuditet. Roshi është çun flori, ta themi me kuptimin e plotë të fjalës.

Unë e kam si vëlla. Vëlla nuk kam, por e quaj si të tillë. Në Kroaci, kemi kaluar bukur. Ka pasur raste që kam bërë edhe kuzhinierin. Kurse në Çeçeni, më shumë konsumojmë në restorantin e ekipit.

Roshi: Bekimin e shohin si futbollist, por në jetën e përditshme është shumë i zgjuar. Merr shumë vesh nga politika. I kam thënë kur të lesh futbollin, kandido për deputet se do e fitosh.