Dy ditë më parë është vlerësuar me një titull të lartë, atë si “trajner i shekullit” në sportin e atletikës. E kemi fjalën për Gëzim Memën që përpos kësaj detyre, në vite ka qenë edhe drejtor i SK Vllaznia e po ashtu edhe inspektor i sportit pranë Bashkisë Shkodër.

Megjithatë shumëkush e mban mend për punën si trajner sepse aty ka lënë gjurmë. Duke qenë në rolin e kryetrajnerit, Mema ka marrë përsipër një detyrë të vështirë para 38 vitesh, riorganizimin e atletikës shkodrane dhe e bëri në mënyrën e duhur.

Aq sa edhe gjithë sukseset e këtyre viteve janë pikërisht frut i asaj pune të nisur atëherë dhe që vazhdon ende nga breza të tjerë trajnerësh.

Në një prononcim pas marrjes së vlerësimit “Mirënjohje” nga Bashkia dhe SK Vllaznia, ish- trajneri i mirënjohur Gëzim Mema do të shprehej: “Unë falenderoj Klubin Vllaznia dhe Bashkinë Shkodër për këtë vlerësim që më bënë, e gjithashtu të gjithë sportistët që kam kaluar nëpër duar unë, por edhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë stadium.

Unë kam marrë edhe tituj të tjerë, por ky vlerësimi i fundit më duket si dhurata më e mirë që më jep sporti gjatë gjithë karrierës time. Ndonëse unë tani jam në pension, do të vazhdoj të kontribuoj për atletikën e Shkodrës për nxjerrjen e elementit të ri”.

Ndërkohë duke folur për emocionet që ka përjetuar sa herë që ka arritur sukseset me ekipin e Vllaznisë, Mema jep edhe disa detaje shumë interesante që kanë të bëjnë me punën e bërë dhe po ashtu flet edhe për gjendjen e sotme të atletikës në Shkodër e Shqipëri.

“E kam marrë drejtimin e ekipit të atletikës të Vllaznisë në vitin 1981, në një periudhë shumë të vështirë kur pjesë e tij ishin vetëm 4 sportistë dhe i renditur në vendin e fundit si ekip. Gjëja kryesore që bëra, ishte mbledhja e të gjithë dashamirësve, e të gjithë trajnerëve që e donin atletikën dhe kam arritur të bëj deri 25 ekipe atletike në klubin Vllaznia.

Numri ka shkuar deri në 150 vajza dhe 250 djem ndërkohë që ata stërviteshin nga 25 trajnera. Prandaj dhe Vllaznia e Shkodrës i ka këto suksese gjithë këto vite. Ajo punë e nisur atëherë vazhdon edhe sot dhe me shumë mundësi, do të ecë kështu edhe në 20 vitet e ardhshme.

Shikoni ku ka shkuar atletika shqiptare, nuk ka njerëz për të bërë aktivitet, ka gara ku marrin pjesë vetëm një apo dy sportistë. Dominojnë atletët shkodranë në numër dhe në cilësi. Po të mos vijnë atletët e Kosovës në garat tona kombëtare, nuk bahet aktivitet sepse vetëm me shkodranë nuk bahet aktivitet.

Baza e punës tek Vllaznia gjithmonë ka qenë sigurimi i elementit të ri dhe prandaj jam shumë i gëzuar që nën drejtimin e trajnerit profesionist Albert Marashi, po rigjenerohet kjo traditë dhe jam shumë i gëzuar kur vij në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” grumbuj- grumbuj sportistësh, mes tyre edhe shumë vajza, të cilët në të ardhmen edhe ato do të jenë vazhduese e kësaj tradite të shkëlqyer që ka patur Vllaznia e Shkodrës në këtë sport”- thotë në përfundim të prononcimit të tij një nga “trajnerët e shekullit” të atletikës shkodrane- Gëzim Mema.


© shkodrasport.com