Që dasmat nuk shkojnë lirë kjo është një hall që e kemi të gjithë, për më tepër, edhe prindërit duket se po kontribuojnë gjithmonë e më pak në shpenzimet. Kështu, një nuse vendosi të gjente një zgjidhje alternative për të rikuperuar gjithë katastrofën financiare që është dasma: duke i gjobitur të ftuarit për “dhurata të pamjaftueshme”!

Historia u shpërnda në Twitter nga Seyi Akiwowo, e cila tregoi se nusja, e cila është kolege e saj, u kishte kërkuar para në këmbim të dhuratave për dasmën që u bë në Rumani, pasi do të ishte e vështirë t’i transportonte dhuratat mrapsht në shtëpi. Çështja është se, pasi pagoi fluturimin dhe hotelin, Akiwowo mbeti me shumë pak para. La aq sa kishte dhe mori një çantë dhuratash, e cila siç mori vesh më vonë përdorej për të gjurmuar dhuruesit e parave.

Dhe teksa mendonin çfarë dhurate do t’i bënin çiftit kur ata të ktheheshin, në Facebook i vjen një mesazh plot mllef nga kolegia e punës. “E shijuat dasmën tonë dhe kohën që kaluat në Cluj? M’u duk se e shijuat goxha, por kjo nuk u reflektua aspak në kontributin tuaj për shpenzimet e dasmës sonë” Më pas, nusja vijon duke llogaritur se 20-euroshi që i kish lënë Akiwowo nuk mjafton as për të mbuluar menunë dhe pijen. Ajo i llogariti edhe gjithë shpenzimet e tjera, duke rezultuar në një total prej 100 eurosh për person.

“Gjithsesi edhe 75 euro do të bënin punë”, shkruajti nusja. Në fund, nusja i kërkon t’ia plotësojë diferencën me një transfertë bankare. “Mund të them se nuk jam më shoqe me fajdexheshën”, shkruan Akiwowo.