Ndonëse kanë kaluar 8 vjet nga kjo ngjarje tragjike, Klarenc Lelaj e ka të vështirë të përmbajë lotët. Atë 4 Janar, ai dhe bashkëshortja e tij humbën 2 fëmijët e vegjël, 3 dhe 4 vjeç

TIRANË- Unë jam Klarenc Lelaj, banoj në Vlorë. Në 4 Janar të 2011-s më ndodhi një ngjarje e rëndë, një fatkeqësi e rëndë… Më fal, më fal… do më falësh”. Ndonëse kanë kaluar 8 vjet nga kjo ngjarje tragjike, Klarenc Lelaj e ka të vështirë të përmbajë lotët. Atë 4 Janar, ai dhe bashkëshortja e tij humbën 2 fëmijët e vegjël, 3 dhe 4 vjeç. Për shkak të vështirësive ekonomike, ata punonin gjatë natës dhe fëmijët e mitur i linin vetëm në shtëpi.

Eni Çobani: Është totalisht e mirëkuptuar çdo lot i yti, kështu që kërkojmë ndjese ne, shqiptarët e tjerë, që akoma Shqipërisë nuk i kemi falur dot atë siguri jete që njerëzit të kenë mundësi të rrisin fëmijët e qetë. Sepse të dalësh natën, të dy bashkëshortët dhe të lesh dy fëmijë në shtëpi nuk është e lehtë, por nevoja ekonomike bën shumë familje të mbërrijnë në këto sakrifica.

Zoti Lelaj tregon më tej si ndodhi ngjarje e rëndë.

“Si pasojë e një tensioni të ardhur nga kabina brenda në shtëpi… pasi unë me bashkëshorten punonim në pastrim, e merrnim punën në orën 1 e gjysmë të natës dhe e linim në 3 të mëngjesin. Kishin një periudhë kohe që punonim, për të siguruar jetesën e fëmijëve”.

Eni Çobani: Kishit kaq siguri që t’i linit vetëm dy fëmijë të vegjël?

Klarenc Lelaj: Kishim siguri në kuptimin që unë i kisha lënë të gjitha të siguruara, të mbyllura. Madje edhe salvavitat atë ditë që ndodhi ngjarja unë i kisha ulur dhe nuk kuptoj sesi ka ardhur tensioni i lartë brenda në shtëpi. Kjo është absurde. Shumë të siguruar ikëm në punë dhe kur u kthyem gjetëm atë që kishte ndodhur.

Marrë nga Tvklan