Ish-drejtoresha e ‘Agon Channel’, Sonila Meço thotë se shuma e plotë që ka fituar në arbitrazh pronari i këtij televizioni të mbyllur, Francesco Becchetti, është mbi 140 milionë euro dhe nëse Qeveria shqiptare vonon dëmshpërblimin, shumca do të vijojë të rritet.

Biznesmeni italian raportohet të ketë fituar gjyqin ndërkombëtar kundër Shqipërisë, pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për t’i mbyllur në mënyrë arbitrare televizionin.

“Fatura më e rëndë mbi shqiptarët: Shqipëria gjobitet qindra miliona euro, për herë të parë në historinë e saj për shkatërrimin e një televizioni me një aksion të drejtuar nga kryeministri i vendit Edi Rama, për arsye të qëndrimit opozitar të Agon Channel ndaj pushtetit”, shkruan Meço.

Gazetarja paralajmëron se veprimet e Francesco Becchetti nuk kanë përfunduar ende dhe se Shqipëria mund të vijojë të gjobitet, duke ngritur në fund pyetjen “a ka më për shqiptarët?”

Reagimi i plotë i Sonila Meços:

A ka më?

Fatura më e rëndë mbi shqiptarët: Shqipëria gjobitet qindra miliona euro, për herë të parë në historinë e saj për shkatërrimin e një televizioni me një aksion të drejtuar nga kryeministri i vendit Edi Rama, për arsye të qëndrimit opozitar të Agon Channel ndaj pushtetit.

Investimi i sipërmarrësit Francesco Becchetti, një risi në konceptin e delokalizimit, me teknologji bashkëkohore, me 400 punonjës, bashkëpunime me emra të njohur të mediave ndërkombëtare, që prezantoi Shqipërinë në Europë, kur ende politika e ka lënë lëngueshëm jashtë portave të saj, u sulmua në mënyrë antiligjore, direkte dhe në vetë të parë nga kryeministri Edi Rama dhe pushteti rreth tij.

Tashmë është provuar nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (ICSID), gjykatë e Bankës Botërore, se i gjithë sulmi antiligjor, arbitrar dhe personal i kryeministrit mbi televizionin Agon Channel dhe interesat e biznesmenit italian është i mbështetur mbi mashtrime dhe manipulime të dirigjuara nga emra të përveçëm.

Si asnjëherë më parë, në shkelje të të drejtave të njeriut, në dhunim të shtetit ligjor dhe çdo parimi demokratik, një gjykatë e Bankës Botërore dënon shpronësimin e një televizioni ndërkombëtar për arsye të persekutimit politik të pronarit e punonjësve të tij.

Në faqen zyrtare të Gjykatës dëshmohet dalja e vendimit përfundimtar. Në informacionet paraprake, vendimi dëshmon shkërrmoqjen e shtetit, ligjeve, kushtetutës, demokracisë, të drejtave të njeriut duke i vënë emër konkret çdo përgjegjësie. E patëm thënë si gazetarë në betejën për të mbrojtur punën tonë në Agon Channel se kjo kauzë është pasqyra ku shohim qartazi qëllimet e pushtetit. Me vendimin e ICSID-it tashmë çdo shqiptar e di se kush dhe pse organizoi aksionin e paprecedent kundra fjalës së lirë, medias, investimeve të huaja në vend dhe kush po i ngjesh në kurrizin dërrmuar varfërie e padrejtësie faturën më të lartë për shpronësimin, që një pushtet i bën një medieje ndërkombëtare.

Vendimi thuhet se është shumë voluminoz dhe është ende në proces vlerësimi nga ana e avokatëve të Becchetti-t. Ata konfirmojnë se dëmi ndaj paditësve italianë është rreth 111 milionë euro plus 30 milionë euro, që i detyrohen ortakut shqiptar të Agonset. Vendimi është res judicata. Pra dëmi kalon mbi 140 milionë euro . Sikur të mos mjaftojë, sa më shumë qeveria vonon pagesën, aq më shumë shtohet vlera e dëmit.

Dhe ky është vetëm njëri nga vendimet, pasi sipas avokatëve priten edhe shumë të tjerë. Dhe jo nga gjykata në procese vetting-u.

A ka më për shqiptarët?