Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Grida Duma ka deklaruar se largimi i kryeministrit Edi Rama do të shpëtonte institucionet.

E ftuar në emisionin Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja, Duma u shpreh se beteja do të zgjasë dhe se demokratët janë të gatshëm që ta çojnë deri në fund.

“Beteja jonë do të zgjasë dhe demokratët qëndrestarë e dinë këtë shumë mirë dhe janë të gatshëm që ta çojnë deri në fund. Ne nuk jemi duke zgjedhur kryetarin e Partisë Socialiste, por ne i kemi vënë kushte kryeministrit, i cili është i detyruar që për të shpëtuar institucionet duhet të lëvizë si kryeministër. Ndërtimi i institucioneve varet nga lëvizja e Ramës”, deklaroi Duma.

Është e domosdoshme që opozita, ashtu siç fitoi moralin me djegien e mandateve, duhet të qartësojë pozicionin e vet gjithmonë e më tepër dhe duhet të thotë se kjo betejë nuk është betejë për pushtet, pasi ai do të merret nëpërmjet votës; por është një betejë për të fituar rregullat e lojës”.

“Qartësia e këtij mesazhi do të rrisë edhe më tepër kredibilitetin e betejës opozitare”, u shpreh Duma.