Përpiqem ta përfytyroj Iris Luarasin pa buzëkuqin e ndezur, por nuk arrij të krijoj një imazh. Ajo është gjithmonë kaq e kuruar dhe buzët në të kuqe të ndezur bien aq shumë në sy, saqë kushdo kthen kokën drejt saj.

Kureshtare, vendosa të vizitoja këndin personal të bukurisë, të gruas që përveç profesionit si pedagoge e gazetarisë, mision të jetës ka edhe mbrojtjen dhe emancipimin e gruas shqiptare. “Nuk e ndaj me shumë njerëz këndin tim të bukurisë, sepse është shumë personal dhe, mbi të gjitha, ndodhet në dhomën time të gjumit, – thotë Irisi dhe na tregon se për këtë vizitë ekskluzive të revistës ‘Living’ në shtëpinë e saj, bëri ca ndryshime.

– Disa produkte i kam future në sirtar, që të mos çuditen njerëzit e të thonë: ‘Po kjo ç’bën kështu?’(qesh).” Buzëkuqi është detaji që e dallon një grua dhe feministet e konsiderojnë si një nga armët e tyre më të forta, kështu që nuk kishte si të mungonte në komodinën e Irisit, gruas nismëtare të shumë kauzave. Ja pse nuk u habita aspak kur pashë se komodina ishte e tejmbushur me këtë produkt kozmetik. “Nuk dal kurrë pa vënë buzëkuq. Edhe në ato pak raste që mund të ndodhë, në semaforin e pare që ndaloj, lyej buzët me buzëkuqin që mbaj gjithmonë në makinë.

– Për Irisin, buzëkuqi përcjell një mesazh të fortë për çdo grua, por, mbi të gjitha, tregon respekt për veten dhe dëshirën për t’u ndier mirë dhe e bukur. – Në rastin tim, është pak më i nevojshëm, duke qenë se jam bionde, me qerpikë biondë dhe vetulla të verdha. Pa buzëkuq dukem si pa jetë”, – thotë Irisi dhe qesh. Gruaja që është shndërruar në zërin e shumë grave shqiptare, nuk e kujton dot herën e saj të parë kur ka vënë buzëkuq, por sigurisht që ka ndodhur në moshën kur të gjitha vajzave iu lind dëshira për t’u dukur bukur.

“Kam përdorur buzëkuq që në gjimnaz, ngjyra të lehta, natyrale. Kur je vajzë e re dhe fillon të bësh grim, përpiqesh të ndryshosh gjithmonë, duke e theksuar makijazhin dita-ditës, sepse mendon se ndryshimi vjen duke u lyer pak më shumë. Kështu ka ndodhur me mua, pastaj, vjen një çast dhe, kur sheh veten në pasqyrë, thua: ‘Hej, prit! Ku po shkoj me gjithë këtë makijazh?’.

E po, në fund të fundit, po shkoja në shkollë. Kështu, fshihesha dhe rikthehesha në ritmin tim të ngadaltë të grimit. Më kujtohet ime më, kur më thoshte: ‘Je e bukur vetë, je vajzë e re, ç’të duhet të lyhesh? Ajo është për zonjat që kanë gjëra për të mbuluar.’ Tani që jam në moshën kur gruaja duhet të përdorë ‘make-up’, për të mbuluar ca të ‘meta’, e kuptoj se sa të drejtë kishte ime më. Jam e sigurt se këtë do ta kaloj edhe unë me time bijë, ashtu siç jam e sigurt se do t’i dukem me të vjetrën e do të thotë që mami nuk merr vesh fare nga moda, – vazhdon të rrëfejë Iris Luarasi, nga këndi i saj i bukurisë. Ajo tregon se, kur shkoi për studime në Amerikë, mori një mësim të mirë për grimin. – Vazhdoja me ritmin shqiptar të grimit. Çdo ditë vendosja penel, rimel, rregulloja vetullat dhe vija buzëkuq, i cili as që bëhej fjalë të mungonte.

Por, kur isha mes studentëve, nuk ndihesha si një prej tyre. Nuk më pëlqente të më tregonin me gisht, kështu që i thashë vetes ‘stop’ dhe që nga ai çast, nuk bëja më makijazh, por pak buzëkuq e vija gjithmonë.” Kjo është e qartë, sepse gjithkush që e njeh Irisin në përditshmëri, por edhe nga ekrani, e di se ajo mund të heqë dorë nga shumë gjëra, përveçse nga i kuqi i buzëve.

“Mesazhi i buzëkuqit është mesazhi i feminitetit dhe, nëse do t’i japësh shpirt e dritë ditës sate, bën mirë të përdorësh pak buzëkuq”, – thotë gruaja që përqafon me aq dëshirë dhe këmbëngulje çështjen e pavarësisë dhe lirisë së gruas. Nëse shihni një grua me buzë të lyera në ngjyrë të ndezur, të jeni të sigurt që ajo ndihet e tillë edhe në shpirt, një grua e fortë dhe e gjallë. “Buzëkuqi im i preferuar është ai në ngjyrë të ndezur. Në fakt, kam disa tonalitete të së kuqes, – tregon Irisi. – Kur shkoj në studio televizive, përdor buzëkuq të ndezur.

Është ajo e kuqja e përsosur që kërkojnë të gjithë. Jam gjithmonë në kërkim të tonaliteteve të së kuqes dhe besoj se i kam gjetur. Grimierja ime po përpiqet të ma zhdukë fare të kuqen, sepse deri tani ka qenë e kuqja ajo që më ka identifikuar, por kam zbuluar se më shkojnë edhe ngjyra të tjera, si për shembull nude, që nuk ka qenë kurrë pjesë e kozmetikës sime.” Që prej atij çasti, Irisi i shtoi koleksionit edhe disa buzëkuqë në variacione të ndryshme të bezhës. Ka gjithçka që mendon se i duhet arsenalit të saj femëror dhe s’mund t’ia lejojë vetes që t’i mungojë ndonjë produkt, veçanërisht buzëkuqi perfekt, që në rastin e saj rezultojnë të jenë shumë të tillë.

“Jam gjithmonë e grimuar, por mos kujtoni se jam kaq e kujdesshme ndaj detajeve. Siç tregova edhe më sipër, shpeshherë mund të më rastisësh nëpër semaphore me një sy të lyer e një të palyer, sepse pres ndalesën në semaforin e radhës për të lyer syrin tjetër, ose mund të jem me buzën e sipërme të lyer dhe buzën e poshtme të palyer. Ama, kur arrij në destinacion, i kam të dyja buzët të lyera (qesh).” Nuk të rastis kurrë ta shohësh Iris Luarasin pa buzë të lyera, madje as në rastet kur tradita shqiptare e ka të ndaluar.

“Buzëkuqin e vendos gjithmonë. Për mua ai tregon seriozitet e dashuri për njerëzit që ti takon, edhe në raste dëshpërimi. Në Shqipëri është zakon që nuk vëmë buzëkuq në mort. Nuk them se duhet të shkosh me buzë të kuqe flakë kur një njeri i dashur është ndarë nga jeta, por nuk e kuptoj këtë maninë shqiptare që njerëzit të tjetërsohen, të shëmtohen. Nuk e kuptoj ku qëndron këtu respekti për njeriun e larguar nga kjo botë. Për mua, vendosja e buzëkuqit në raste të tilla është shenjë respekti, dashamirësie dhe dashurie ndaj njeriut të larguar.

Të pranishmit në ceremoninë e ndarjes duhet të jenë sa më dinjitozë. Edhe në rastet e humbjes së njerëzve të mi të dashur, kam vendosur buzëkuq, sigurisht, jo të kuq, por të errët ose natyral. – Ideja e përdorimit të të kuqit të buzëve në një ceremoni mortore duket revolucionare për mentalitetin shqiptar, shihet si diçka anormale. Reagimet do të ishin të forta, por askush nuk ka guxuar t’i thotë diçka asaj. – Ndoshta ngaqë mendojnë se edhe reagimi im mund të jetë i fortë, – thotë Irisi. – Në fakt, mua do të më pëlqente shumë ta diskutoja, sepse mbaj mend që edhe kur u nda nga jeta gjyshja ime (isha e vogël atëherë),

u la amanet hallave që të mos visheshin me të zeza e të mos shtrembëroheshin në fytyrë nga të qarët, sepse nuk donte të largohej nga kjo botë duke menduar fytyrat e vrenjtura të vajzave të saj.” Duket se sqimën për t’u kujdesur për veten, Irisi e ka trashëguar nga gjyshja e saj e ndjerë. Ajo i ka trashëguar mbesës një mesazh të fortë për mënyrën se si duhet parë jeta: si një cikël që ka një fillim e një mbarim. Iris Luarasi mendon se, për sa kohë jemi gjallë, duhet ta jetojmë jetën plotësisht. Për të, si model ka shërbyer edhe vjehrra e saj, e ndarë nga jeta në moshën tetëdhjetëvjeçare.

“Kur ishte shtatëdhjetë e nëntë vjeçe, mamaja e Enos dilte me kapelë në kokë dhe gjithmonë me buzë të kuqe. Buzëkuqin e kishte përherë në të njëjtën ngjyrë me manikyrin e duarve. Kombinonte vëthët me unazën dhe varësen. U kushtonte vëmendje detajeve dhe nuk e tepronte asnjëherë. E kisha zili dhe e admiroja mënyrën se si kujdesej për veten, gjithë dashuri.” Ndoshta shëmbëllimi i nënës, që ka parë tek Irisi, ka qenë edhe shkëndija e parë që e ka tërhequr bashkëshortin e saj. Edhe vetë pedagogia dhe kryetarja e Qendrës së Këshillimit për Gra dhe Vajza gjen një ngjashmëri unike me nënën e ndjerë të bashkëshortit dhe rrëfen se ka pasur një lidhje të fortë mes tyre,

madje më shumë sesa me nënën e vet, ndaj dhe ndien një vlerësim të pashoq për të. Irisi është një grua me vetëbesim, që di ta mbajë veten dhe zë një vend të lartë në grupin e feministeve, por përfaqësueset e mendimit të vjetruar shpesh hedhin baltë dhe e paragjykojnë një femër që guxon ta mbajë shumë veten. Megjithatë, grave si Iris Luarasi kjo gjë nuk u ka interesuar kurrë. Nuk ka mentalitet e zakon që t’i presë rrugën një gruaje të lirë, të përmbushur dhe me vizione të qarta. Sigurisht që një buzëkuq nuk është doemos arma me të cilën ajo do të çajë përpara, por është pa dyshim elementi që konfirmon fuqishëm ekzistencën e saj të ëmbël në realitetin që e rrethon.