Muriqan / Shkodër

Policia Kufitare e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracioni, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe autoritetet doganore kanë rritur kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë që mund të zhvillohet në Pikat e Kalimit Kufitar.

Gjatë kontrolleve goditet një tjetër rast i tentativës për transferta të paligjshme parash jashtë vendit.

Procedohet penalisht një 35 vjeçar për mosdeklarim të të hollave në kufi, në Pikën e kalimit kufitar Muriqan, Shkodër.

Sekuestrohen rreth 100 mijë euro.

Shërbimet e Policisë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas do transferonte jashtë vendin në mënyrë të paligjshme një sasi të konsiderueshme eurosh, kanë forcuar kontrollet në bashkëpunim dhe me autoritetet doganore.

Gjatë kontrollit në vijën e dytë , shtetasit A. Q. 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte si pasagjer në autobusin e linjës Tiranë – Gjermani, në çantën e dorës policia gjeti dhe sekuestroi një sasi e konsiderueshme eurosh të pa deklaruara.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” parashikuar nga neni 179/a i Kodit Penal.