Shqiptarët e lodhur, e konsumuar, të pashpresë nga politika, të “pangopur” me ekranin nga natyra, konsumojnë ndoshta kohën e tyre më të madhe duke ndjekur programet që janë kthyer njësoj si kërpudha.

Ndjeshmëria dhe nostalgjia për kohën kur të gjithë nuk kishin, e i përlot jo pak prej tyre, kur shohin thërrimet që pronarët e mediave, moderatoret, gazetarët, biznesmenët, hedhin për ta.

Xheison Bafti, është rasti më i fundit ku dinjiteti i një fëmije kthehet në mall konsumi për audiencën.

Profili: Perfekt! Fëmijë, i dashur, i zgjuar, me një shkathtësi natyrale. Masa ekzaltohet kur sheh në ekran një fëmijë që del dhe sfidon varfërinë e tij me ar.mën më të madhe që ka: Zgjuarsinë.

Çfarë bën programacioni?

Premton zgjidhje të menjëhershme të hallit përmes lëmoshës që mblidhet në çdo lloj burimi.

Imazhi i një moderatoreje me zë të ëmbël dhe buzëqeshje ndritëse shpaloset në çdo portal, në çdo hapësirë të mundshme virtuale. Bamirësja kujdeset për të përzgjedhurin, për “markën”. Të drejtën për të patur një shtëpi si çdo njeri, ia shet si një favor, dhe këtu metodat nuk mungojnë.

Familja, është e distancuar në këtë rast.

Rasti i Xheisonit është një pasqyrë e thyer për një tjetër ngjarje të shfaqur në një televizion kombëtar.

Ishte 3 mars 2018 kur Arbana Osmani, e rikthyer në televizion pasi u bë nënë, në emisionin e saj “Dua të të bëj të lumtur”, prezantoi rastin e Gëzim Abdulajt.

Babai nga Treblova u ftua në emision për të dhuruar dy vajzat e tij tek një familje protestante. Alfred dhe Djana Zike treguan për shqiptarët se kishin zbuluar vajzat e vogla, në një jetimore në Sarandë, aty ku Gëzimi i kishte lenë pasi nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për t’i rritur vetë në shtëpinë e tij.

Teatri ishte i hidhur. Babait të nxirë nga dielli, të veshur me një xhaketë të vjetër, në një shtëpi me mure të krisura, iu kërkua publikisht që të hiqte dorë ligjërisht nga vajzat e tij, dhe ato t’i kalonin pastorit dhe gruas së tij.

Argumenti: Ata kishin para. Ti s’ke. Je thjesht biologjik.

Gëzimi, i heshtur, me mjekrën që i dridhej nuk u dorëzua. Pranoi për çdo pyetje se ishte i varfër, ndërkohë që programacioni dhe vetë drejtuesja Arbana Osmani ia bënë gjyqin publik sepse ishte i varfër…

Moderatorja pyeste babain:

A i keni pyetur ndonjëherë vajzat se mos ndoshta janë më të lumtura në familjen e pastorit sesa në jeti.more?”
Përballë gjeti një burrë të varfër, por me dinjitet, që nuk ka çek të bardhë që e blen.

Gëzimi refuzoi për disa herë të lëshonte vajzat, ndërsa përballë çdo përgjigjeje “Jo”, shigjeta e mbushur me helm mbante vulën “Varfëri”.

Perdja ra, dhe babai u largua krenar. Nuk pranoi t’i lëshonte të bijat e tij, pavarësisht se joshja iu kthye në imponim, dhe e drejta e tij e shenjtë si baba iu shit një favor në togfjalëshet: “As ligji dhe as e drejta e Zotit nuk ia pengon që të jetë babai i tyre biologjik.”

Rasti i Treblovës, është rasti i parë në Shqipëri kur rrjetet sociale mundën median tradicionale dhe emisioni i datës 3 mars 2018 u fshi nga Televizioni “Top Channel”.

Një stuhi mendimesh xhiron në kokë, kur imagjinon për një çast një tjetër nocion për botën ku jemi.

Nëse e drejta për të patur një fëmijë, përkthehet në mundësitë materiale për t’a rritur, atëherë pse ndihma nuk kanalizohet pa bujë në veshin e atij që do të bjerë, shkruan Fjola Graçi për dosja.al.

Fjala bie, nëse stafi i Top Channel pati ke.qardhje për Gëzimin që la vajzat në jetimore, pse nuk e ndihmoi atë por deshi që t’ja heqë nga duart? Dhe e bëri fajtor sepse ai nuk pranoi?

Fjala bie, nëse Alketa Vejsiu pati ke.qardhje për Xheisonin, pse nuk drejtoi apelin aty ku duhet, në institucionet e këtij vendi, që kanë për detyrë të krijojnë mundësi për një shtet social?

Në këtë univers, në këtë Shqipëri të vogël e me shqiptarë të mirë, padyshim që ka kohë për gjithçka. Një kohë për të dashur, një kohë për të ur.ryer, një kohë për heronjtë, për qëndrestarët, e me shpresë…ka një kohë edhe për të mbajtur peshën e turpit.