Anxhela Peristeri ka paralajmëruar publikimin e këngës së saj të re, e cila shoqërohet edhe me videoklip. Këngëtarja e famshme shqiptare ka publikuar një fotografi në “Instagram”, ku tregon së është gati për publikimin e këngës “Maraz”, e dyta brenda muajit pas “Muza ime” me Mateus Frrokun, për të cilin u përfol për lidhje.

Peristeri, e njohur për baladat e saj të fuqishme të dashurisë dhe fituese e “Këngës Magjike” vitin e kaluar, kishte dhe një surprizë.

Në klip këngëtarja shfaqet me një tatuazh gjigant në shpinën e saj, i cili është një trëndafil i kuq i vizatuar në këtë pjesë të trupit. E për trëndafilat e kuq e dimë të gjithë që simbolizojnë dashurinë.

Duket se brenda muajit ajo publikon projektin e ri, ku duket e dashuruar kokë e këmbë.

“Muza ime” titullohej kënga e saj e publikuar në fillim të prillit me Mateus Frrokun, një këngë dashurie me muzikë të Kledi Bahitit.

Klipi muzikor i mbushur me të rinj ishte xhiruar në disa prej vendeve më të bukura të Tiranës, ndërkohë që binte në sy kimia mes Mateus dhe Anxhelës.

Kënga ishte një dedikim për dashurinë e vërtetë, nëse u referohemi vargjeve, ku Mateus i drejtohej Anxhelës: “A e din ti drita jem? Sa vuj unë ty të t’kem, A e di për mu sa vlen? E si unë tjetër s’gjen”.

Ndërsa Anxhela ia kthen: “S’kam dasht me ta tregu, ça m’bën kjo zmera jem, A e din sa t’kam kërku? E tjetër nuk du t’kem”. Në refrenin e këngës ata këndojnë bashkë të njëjtat vargje, ndërsa shpreheshin: ”Do ta them unë ty sa herë, Sa herë malli mu më merr, Bëhu kënga ime-e, Se ti je muza jem, Zemrën ti ma shkrive, Se t’kom dashni përjetë”.

Për publikimin e këngës, Mateus ndau me ndjekësit një foto në makinë me Anxhelën, ku duken të dy shumë pranë njëri-tjetrit.

Kujtojmë, që këngëtari i njohur pak kohë më parë deklaroi publikisht ndarjen nga e fejuara, me të cilën pati një lidhje 9-vjeçare.

Ndërsa Anxhela Peristeri vitin e kaluar u përfol për një fejesë të mundshme, po në fund të vitit. Këngëtarja nuk përmendi kurrë një emër, por gjatë një interviste televizive iu përgjigj thashethemeve me deklaratën se: ”Nuk është turp të dashurosh”.

Le të shohim nëse kënga e saj e re është një dedikim për lidhjen e re.