Familja Gjoni në fshatin Reç të Malësisë së Madhe prej vitesh jeton në kushte të vështira. Alma Gjoni, 45 vjeçe ka dy djem, 23 dhe 20 vjeç që të dy të sëmurë ndërsa edhe nëna e tyre vuan nga disa sëmundje.

Babai i dy djemve është ndarë nga jeta 7 vite më parë pas një sëmundje të rëndë. Sot gjendja e tyre ekonomike është tejet e vështirë. Ata jetojnë në një dhomë të vetme.

Nëna e dy djemve shprehet se është detyruar që të gatuaj në tualet ndërsa dy djemtë e saj të sëmurë gjatë gjithë vitit, edhe në dimër kur është shumë ftohët duhet të dalin jashtë për të shkuar në tualet ndërsa me shumë vështirësi sigurojnë bukën e gojës.

Djali 20 vjeçar thotë se konsumon më shumë ilaçe se sa bukë për shkak të pamundësive ekonomike.

E zonja e shtëpisë kërkon që kushdo që mundet t’i vijë në ndihmë për t’i bërë një shtesë të shtëpisë në mënyrë që dy djemtë e saj të gëzojnë sado pak. Vetëm njëri nga djemtë tregon se nuk ka qenë kurrë i lumtur dhe ëndrra e tij është një shtëpi siç e kanë gjithë të tjerët.

Familja Gjoni pret ndihmë kryesisht për një shtesë të shtëpisë që të paktën të kenë një strehë normale për të shmangur kushtet e vështira që kanë momentalisht.

SENAD NIKSHIQI – STAR PLUS TV