Briken Calja, u shpall nën kampion i Europës para pak ditëve në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në ‘Batumi 2019’.

Djaloshi nga Elbasani tarriti të merrte medalje të artë në stilin e shkëputjes duke ngritur 158 kilogramë.

Ndërkaq, në stilin e shtytjes, Calja e mbylli vendin e dytë, po i dyti edhe në peshën totale duke marrë dy medalje të argjendta.

Megjithatë, sërish Briken Calja nuk ka marrë vëmendjen e merituar nga mediat ndërkohë që dhe nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve apo zyrtarë të Ministrisë as nuk e kanë uruar peshëngritësin për arritjen, pavarësisht se ai nderoi flamurin shqiptar në Europë.

Për këtë ka reaguar vetë sportistit në një postim të gjatë në Facebook ku shpreh hapur indinjatën e tij.

Brikeni shkruan:

ÇDO TË THOTË 4 MEDALJE ARI DHE 2 ARGJENDI?!
Gjatë dy viteve, 2018 dhe 2019, u arritën rezultate historike për sportin shqiptar dhe për peshëngritjen në veçanti, që deri dje dukeshin të pamundura. Por me punë ia dolëm! Në një vend normal europian kjo do të jehonizohej e do të bënte të fliste i madh e i vogël.

Por ç’ndodh?! Në vendin tonë kjo gjë kalohet sikur të jetë një arritje e rëndomtë dhe krejt normale. A e do njeri fjalën sport në këtë vend? A mund të sillemi me sportistët siç ata e meritojnë? Çfarë duhet të bëjmë më shumë ne peshëngritësit që ndaj nesh të ketë një sjellje e duhur dhe dinjitoze?

Për median kjo gjë u kalua si diçka krejt standarte e normale. Më falni, duhet të jetë patjetër Brikeni nëpër studiot tuaja që të flitet për medaljet historike të sjella këto dy vite për Shqipërinë? Për Brikenin flet vetë rezultati, por ju nuk po arrini të përmbushni atë motiv që profesioni juaj mbart, përcjelljen e lajmeve dhe opinioneve të duhura në mënyrë sinkrone, direkte dhe sigurisht të pavarura

Në këtë vend flitet për çdo gjë, por për sportin dhe peshëngritjen në veçanti janë të gjithë neglizhentë kur ndërkohë deri tani përsa i përket rezultateve është krenaria jonë më e madhe.

Për mua rëndësia më e madhe është publiku, i cili më ka mbështetur në çdo hap timin, ata që kanë brohoritur në çdo kilogram timin të ngritur dhe që më kanë pritur ardhjen time në vendlindje me entuziazëm, duartrokitje e krenari. Meqë përmendëm pritjen dhe përkrahjen, po ju përcjell lajmin që akoma nuk kam marrë asnjë telefonatë apo mesazh nga Ministria e Arsimit dhe Sportit apo qoftë nga ndonjë zyrtar i saj. As edhe një urim të thjeshtë! Zero!

Mua si Briken kjo gjë nuk më duket normale, dhe nuk duket normale për asnjë person mesatar në nivelin e kuptueshmërisë. farë duhet të bëj më shumë një kampion Evrope?

Ka shumë pikëpyetje për çdo gjë dhe këdo që nuk më ka dhënë mbështetjen e duhur, gjë të cilën ia dikton detyra por do të duheshin ditë të tëra për tu shprehur.

Këto fjalë burojnë nga zemra, që edhe pse e trazuar nga mërzitja e inati për ato që shpreha më lart, prapë buzëqesh kur bëhet fjala për Shqipërinë. Do të vazhdoj të derdh djersë e gjak për kombin tim, edhe pse i papërkrahur aq sa duhet nga disa komponentët kyç që duhet të më gjenden pranë.
Juaji, Briken Calja.

Fitues i 4 medaljeve Ari dhe 2 Argjendi në krye të dy viteve të fundit”.