Zgjidhja? Me pi gjak nga njëri-tjetri!

Nga Gjergj Meta

Jemi në fund të shekullit XIX në Fushë-Krujë, zonë e cila zë fill në kambët e Malit të Krujës e mbaron diku në kreshtën e vargkodrave të Ishmit.

Ndërmjet dy fshatrave, që i ndan lumi, disa njerëz të një fisi mysliman të zonës qëllojnë mbi një tjetër të një fisi katolik. Fshatrat e Fushë-Krujës janë të banuar nga katolikë e myslimanë. E lënë për të vdekur, pak pa i dalë shpirti. Të vetët vijnë dhe e marrin. Nga dita në ditë presin që të vdesë nga plagët.

Ndërkohë disa djem të fisit katolik, të organizuar shpejt e shpejt, dalin dhe vrasin vetë dorasin, atë pra që kishte qëlluar mbi njeriun e tyre, dhe ky vdes në vend. Kaluan pak ditë dhe për personin e plagosur ndodh “mrekullia”. Pas pak kohësh kalon rrezikun nga vdekja, pra shpëton.

Problem ishte i madh për t’u zgjidhur, sepse kishim një të vrarë e një të plagosur që ishte qëlluar për vdekje, por kishte shpëtuar. Ligji i kanunit ishte i paqartë, se si duhej të zgjidhej. Precedentët ishin të paktë ose krejt të paqartë. Duhej një jurisprudencë e re.

Ishte një rrugë pa krye, një qorrsokak në të cilin hynë shumë burra dhe nuk mundën me dalë. Sapo i afroheshin zgjidhjes, dilte gjithmonë dikush, që duke hedhur një fjalë, a një hokë, prishte punë e duhej filluar nga e para. Të dyja këto fise njiheshin në zonë si fise të mëdha e familje të mira, përfaqësuese, si për katolikët e zonës e si për myslimanët, por kjo ngatërresë u kishte ngelur në derë e nuk po dinin si të dilnin në shteg.

U morën ekspertët më të mirë e u pyetën, njerëz që njihnin familjet, por edhe kanunin. U gjetën njerëz të mençur e dashamirë me të dyja familjet. Ishin dy fise të forta e nuk donin të lëshonin pe asnjëri. Vetëm fati kishte dashur që njëri prej të qëlluarve për vdekje të kishte shpëtuar për fije të perit.

Ndërkohë, aq sa shtoheshin ecejaket e dashamirëve, aq shtoheshin edhe ecejaket e gërgasësve: të parët për të pajtuar e të dytët për të ngatërruar. Kjo histori po i ngjante paksa historisë së Kalasë së Rozafës, që ditën ndreqej e natën prishej. Diçka duhej bërë.

Kush e njeh atë zonë, historinë e saj, temperamentin e njerëzve, gjaknxehtësinë e tyre, e kupton mirë se në këtë situatë nuk ishte e lehtë të pajtoje këto dy fise.

Fisi mysliman ishte ai që duhej të thoshte fjalën e fundit, sepse kishte një të vrarë, ndërsa personi nga fisi katolik ishte ende gjallë, edhe pse kishte mbetur pothuajse i paralizuar nga plumbat që kishte marrë. Kush njeh terminologjinë kanunore e kupton se bëhej fjalë për një gjysmë gjaku.

Kalonin muajt e nuk po i jepej një drejtim kësaj situate. Nuk po vinte ai njeri i duhur që të zgjidhte këtë nyjë gordiane e cila mbante peng dy fise të mëdha. Ndërsa burrat po rrihnin mundësitë e zgjidhjeve, pasi kishin bërë edhe shumë seanca kuvendi në shtëpinë e të vdekurit, për t’i bindur për pajtim, dukej se kjo punë nuk do të kishte zgjidhje. Nëse situata nuk zgjidhej, do të kishte ende viktima e të vrarë.

Por pikërisht në atë moment erdhi një burrë, diku nga fshatrat përreth. Ishte një burrë i dëgjuar e pinjoll i një shtëpie të mirë, të cilës ia dëgjonin fjalën myslimanë e katolikë. Edhe pse nuk ishte farë nga ajo zone, fjala i zinte vend. E megjithatë, përballë kësaj situate, suksesi i tij nuk ishte i imagjinueshem

Megjithatë ai e provoi. Zgjodhi një grup të përbërë me burrat më në zë të zonës dhe bashkë me ta mori me vete edhe një djalë të ri, pak ma shumë se 12 vjeç. I çuan fjalë familjes myslimane se do të vinte filani me disa burra. Ata, sipas zakonit, jo vetëm nuk ia mbyllën derën, por i thanë lajmësit: mirë se të vijnë. Para se të afroheshin te kulla, e atëherë shkohej me kalë, ata u ulën prej kuajve dhe morën atë djalin e ri që kishin me vete e ia lidhën duart nga pas shpine me një copë litar,

si të ishte i burgosur. I hodhën krahëve një xhaketë a setër si i thonin dikur e u nisën drejt shtëpisë që i priste. Me pak marifet e fshehtësi arritën që djalin ta ulnin pa e kuptuar kush se kishte duart e lidhura. U nxorën kafen si ishte zakoni në ato anë. Por askush nuk po merrte filxhanin e kafes. I zoti i shtëpisë pak i habitur, por edhe me një lloj shqetësimi se çfarë po ndodhte u thotë: or burra merrini ato kafe. Atëherë i pari i dërgatës, ai që kishte organizuar gjithçka, i thotë:

“Or filani, ty t’u rritë ndera e erzi që na ke pranu në shtëpi, por ne nuk mund ta pijmë kafen se i kena duert e lidhuna e nuk kena si e marrim filxhanin”.

Atëherë plaku i shtëpisë brofi në kambë me shpejtësi e bashkë me të edhe djemtë e tij, a thu se po bëheshin gati për luftë. Por ai u bani me shenjë djemve të ulen e iu drejtua atij burrit:

“E kush i ka duert e lidhuna ndër ju?”

“Qe – ia ktheu ai – ky djaloshi ktu, djali i Gjinit”.

Plaku shtëpisë e kuptoi “hilen” dhe kur i thanë emrin e të atit të djalit e kuptoi mirë se nuk kishte ku me shku.

“Çohu në kambë” – i thotë djalit me duart e lidhura!

Ai u ngrit në këmbë, me kokën ulur si e kishin mësuar e gjithë frikë nga mosha e njomë. Kishte ra një heshtje humnere në katin e dytë të kullës.

“Ma thirrni djalin e Xhemalit”. Ky djalë ishte nipi i tij, e Xhemali ishte burri i vrarë e që kishte vdekur.

Ai erdhi menjëherë e plaku i dha urdhër:

“Zgjidhja durt djalit”.

Në atë moment dikush nga djemtë e plakut desht me fol, por plaku iu hakërrua veç me sy e ai nuk foli, por uli kryet. Djaloshi ia zgjidhi duart dhe të dy djemtë, pothuajse moshatarë, po qëndronin në këmbë kundruall njëri – tjetrit. E dinin mirë kush ishin baballarët e tyre e po shikonin njëri –tjetrin në sy. Atëherë plaku nxori biçakun nga brezi, i preu paksa gishtin nipit të vet e po ashtu edhe djalit tjetër dhe u tha:

“Tash pijeni gjakun e njëri-tjetrit. E mos e harroni kurrë këtë ditë, e as këtë gjak. Deri tash ishit armiq. Tash e mbrapa jeni byrazerë, jeni vllazën. Në shpinë tonë gjithnjë, për mort e për dasëm, do të ketë një përfaqësues të fisit tuaj e po ashtu te fisi juaj për mort e për dasëm do të jetë gjithmonë një i joni. E kshtu le t’bahet për jetë e mot se nuk dona me i lanë ngatërru fmijët”.

I pari i dërgatës u çua në kambë e i tha:

“Paç faqen e bardhë he burrë se e çove ma hijshëm se sa e kishim mendu ne. Nuk i paskan vdek burrat fisit tuaj”.

Atëherë morën me pi kafen. Atë natë u therën bagëtitë e nuk i lanë me ikë. Vetëm një djalë i ri fluturoi me gjogun e tij e shkoi e i tregoi fisit tjetër se gjaku ishte falur.

Edhe sot e kësaj dite, kur burrat e dy fiseve takohen në rrugë a në pazar apo edhe në emigrim i thonë njëri-tjetrit: tjeta jote or byrazer!

Sa ka për të na mësuar e kaluara neve sot. Sa shumë pasuri fshihet në historinë dhe jetën e këtij populli tonë të thjeshtë e sa shumë mund të mësojnë ata që na udhëheqin se gjithmonë ka një rrugëdalje, gjithmonë ka një shteg që çon drejt të mirës së përbashkët.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME

Kalaja e Shkodrës, më shumë vizitorë se Butrinti

Viti i fundit rezultoi të jetë një periudhë shumë...

Dy shenjat e horoskopit që do t’i kthejnë gjërat ashtu siç duan ata

Me Hënën te Peshqit dita fillon e qetë dhe...