Jetojmë në një epokë ku llogaria personale në Instagram apo Facebook, po kthehet gjithmonë e më shumë në një arenë në të cilën mundohemi të shprehim veten. Arritjet profesionale, momentet e gëzueshme në familje, apo kujtimet në shoqëri, të gjitha kalojnë në filtrin e rrjeteve sociale.

Por sa të gatshëm jemi të tregojmë atë që vërtetë jemi nëpërmjet një fotografie, një videoje apo një mesazhi? Mamaja e katër fëmijëve Brittany Ernsperger nuk e kishte imagjinuar që një foto e postuar në Facebook, do të shpërndahej nga 339 mijë njerëz, të njohur dhe të panjohur që iu bashkuan thirrjes së saj për të mos injoruar kurrë depresionin.

Prej disa kohësh, ajo po përballet me këtë sëmundje të rëndë që nuk ka hezituar ta quajë sfidën më të vështirë të jetës. Ndryshimet e vazhdueshme të humorit, pasiguria, frika e të qenit vetëm apo se mos një ditë askush nuk e kuptojë janë disa prej shenjave që trazojnë mendjen e 30-vjeçares prej muajsh.

Mirëpo depresioni mund të fshihet kudo, si për shembull në një kuzhinë të rregullt ose të pisët e mbuluar nga pluhuri. Me anë të fotos së mëposhtme, Britanny ka shpjeguar ç’do të thotë të vuash nga ky armik i shëndetit mendor.

”Kjo është një nga fytyrat e depresionit. Jo, nuk e kam fjalën për enët e pastra. Kisha gati dy javë pa i larë. Tre ditë më parë isha në kuzhinë dhe u shtriva në dysheme duke qarë si fëmijë.

E dija që duhej t’i laja, por nuk mundesha. Doja t’i laja dhe të shpëtoja prej tyre, por depresioni më kishte pushtuar të gjithën tamam si një vrimë e zezë. E ndjeja që po fundosesha.

U çova dhe fillova të ecja si e marrë në shtëpi. Ndihesha një dështake dhe e pavlefshme.