Rikthehen grabitjet e blindave me para në zonën e Rinasit, këtë herë me pasojë jo vetëm vjedhjen e parave, por edhe një të vdekur. Tronditës mbetet fakti se grabitja ka ndodhur në atë që mendohet se është zona më e sigurt në vend.

Në studion e Report Tv, gazetari Artan Hoxha ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së pasdites së sotme, ku mendohet se u grabitën 10 milion Euro.

Ai tha se autorët ishin të armatosur rëndë dhe po të donin mund ta kishin marrë peng edhe avionin. Hoxha tha se autorët e kanë ditur mirë se gjatë lëvizjes së tyre në brendësi të aeroportit do kishin të bënin me policë të paarmatosur.

“Kanë qenë tre kompani të ndryshme sigurie dhe tre banda të ndryshme. Deri tek hyrja e aeroportit paratë janë shoqëruar nga policitë private pa inicidentë. Pastaj në pistë transporti bëhet nga një shoqëri kontraktore.

Hyrja e autorëve në momentin kur kanë pritur të bëhet shkarkimi i parave. Ata kanë pritur që paratë të futen në brendësi të avionit. Punonjësit e shoqërive private që bëjnë transportin nuk kanë armë.

Autorët e kanë ditur se duke vepruar në brendësi të aeroportit do kishin të bënin me policë të paarmatosur. Në brendësi të aeroportit, ka qenë një grup i gatshëm i FNSH. Më përpara ka qenë vetëm policia kufitare.

Autorët të armatosur rëndë kanë hyrë brenda pa hasur në asnjë pengesë. Nëse ata do donin, do e merrnin peng dhe avionin. Por me një avion nga Shqipëria nuk mund të largoheshin. Kur bëhet fjalë për miliona euro, nuk është e lehtë as t’i transportosh”, u shpreh Hoxha.