Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka dalë sonte, si rrallëherë, në një intervistë televizive. Ai është duke folur në emisionin e Krastës, “A Show”, ku u pyet fillimisht për ngjarjen tronditëse të Shkodrës, ku ditën e shtunë u vranë dy vëllezërit Bilali.

Veliu nuk e pranoi se ka problematikë me rendin në Shkodër, madje ai pasqyroi një grafik, duke thënë se numri i vrasjeve ka rënë me 15 përqind, krahasuar me vitin 2012 (qeverisjen e PD).

“Perceptimi shpesh herë është perceptim i gabuar. Dua që të jem shumë konkret. Themi që në Shkodër ka një situatë të rënduar të kriminalitetit. Në Qarkun e Shkodrës janë vetëm 7% e ngjarjeve kriminale për vitin 2018. Nëse krahasojmë 2018 me 2012 kemi 15 përqind më pak vrasje”, tha ai.

Sakaq, Veliu u pyet nga Krasta se pse shkarkuar Drejtorin e Policise së qarkut Shkodër si dhe shefin e komisariatit direkt pas vrasjes së dy vëllezërve?

Drejtori i Policisë së Shtetit, tha se “ndryshimet u bënë për impuls”, duke mos pranuar se levizjet u bënë për shkak të vrasjeve zinxhir në Shkodër, me 11 të vrarë vetem 8 muajt e fundit.

“Drejtori i Qarkut Shkodër lëvizi sepse duam t’i japim një impuls të ri. Situata në qarkun e Shkodrës është nën kontrollin e plotë të policisë. Policia është në gjendje të kontrollojë çdo territor. Kemi bërë ndryshime edhe në qarkun e Fierit dhe të Tiranës. Do bëjmë ndryshime dhe në qarqe të tjera”, tha Ardi Veliu.

Astrit dhe Brahim Bilali, u ekzekutuan me armë zjarri dy ditë më parë pranë banesë në lagjen “Kiras”.