Artisti Landi Hysi, i sapokthyer nga Lojërat Olimpike speciale të Abu Dhabi, ka deklaruar në emisionin “KafeIN”, se mungon vëmendja ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe.

Nisur nga aktiviteti sportiv i Abu Dhabi, ku kryesoi delegacionin shqiptar, Landi tregoi vështirësinë për të siguruar pjesëmarrjen e grupit, megjithë kërkesat e panumërta që bënë për ndihmë financiare.

“Kemi dërguar shumë emaile, pafund, por më në fund reagoi bashkia e Tiranës e cila na mundësoi udhëtimin. Por fëmijët me aftësi ndryshe kanë nevojë shumë më tepër se kaq”, tha Landi.

“Kemi marrë premtim nga bashkia e Tiranës për ofrimin e ambienteve në një nga shkollat e Tiranës, për të stërvitur fëmijët me aftësi ndryshe në sportin e lojërave me dorë.

I bëj thirrje prindërve t’i sjellin fëmijët, të mos i mbyllin në shtëpi”, tha Landi.

Landi tregoi gjithashtu se me rikthimin e grupit “West Side Family”, do vazhdojë të merret me muzikë, por jo në mënyrë intensive, si këngëtarë live me koncerte çdo natë.

“Kur ishte doktor Flori ishte gjithçka më e thjeshtë, tekstet ishin të bukura dhe këngët mbeteshin gjatë. Po punojmë t’i rikthehemi atyre këngëve, duke bashkëpunuar me vëllain e doktor Florit, Albanin”, deklaroi Landi.